Ndërlidhjet

Skocia i thotë “Jo” pavarësisë nga Britania


Skocia ka votuar për të mbetur në Mbretërinë e Bashkuara, duke e refuzuar pavarësinë në referendumin historik, i cili gjatë fushatës, e ka ndarë këtë vend, dhe ka zgjuar interesim në gjithë botën.

Rezultatet e votimit në referendumin historik tregojnë se 55% u deklaruan kundër pavarësisë.

Disfatën e ka pranuar edhe udhëheqësi i fushatës për pavarësi, ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond.

“Me shumicë, Skocia ka vendosur për jo, në këtë shkallë, për tu bërë vend i pavarur. Unë e pranoj vendimin e popullit dhe u bëjë thirrje të gjithëve në Skoci për ta pranuar vendimin demokratik të popullit të Skocisë”, tha Salmond, sot herët në mëngjes në Edinburg.

Tash e 307 vjet, Skocia është në union politik me Mbretërinë e Bashkuar.

Zoti Salmond, megjithatë, i falënderoi ata që votuan për pavarësi në Skoci:

“Ju falënderohem juve në Skoci, për 1.6 milionë vota për pavarësinë e Skocisë”, tha Salmond sot herët në mëngjes.

Ai ka kërkuar që të realizohen premtimet e bëra nga liderët e partive unioniste për autoritete më të mëdha të Skocisë.

“Partitë unioniste kanë bërë premtime në fushatë për të drejta më të mëdha në Skoci. Skocia pret që këto të realizohen në mënyrë të shpejtë”, tha Salmond.

Nga ana tjetër, kryeministri britanik, David Cameron, ka bërë sot thirrje për unitet, pasi në Skoci është refuzuar pavarësia në referendumin historik.

“Tash është koha për ne në Mbretërinë e Bashkuar, të bashkohemi dhe të lëvizim përpara”, tha Cameron, gjatë një fjalimi para zyrës së tij në Downing Street, numër 10, në Londër.

Ai theksoi se është i “entuziazmuar” nga votimi që Skocia të mbetet në Mbretërinë e Bashkuar, por votuesve për pavarësi u tha se “ju kemi dëgjuar” dhe ka premtuar se Londra do t’i plotësojë përkushtimet për autoritete më të mëdha për Skocinë.

“Siç kam thënë gjatë fushatës, do ta kisha zemrën e thyer duke parë se e jona Mbretëri e Bashkuar po vinte në fund dhe e di se kjo ndjenjë është ndarë nga njerëzit, jo vetëm në vendin tonë, por po ashtu, në gjithë botën, për shkak të asaj që është arritur së bashku në të kaluarën dhe ajo që mund të bëjmë ne në të ardhmen”, tha David Cameron.

Zoti Cameron është shprehur se kjo çështje është zgjidhur për një kohë të gjatë.

“Tash debati është zgjidhur për një gjeneratë”, tha Cameron.

Por, shumë votues që ishin për pavarësi të Skocisë nga Britania, kanë shprehur shpresën se përsëri do të kenë rastin të votojnë për pavarësi, por herën tjetër me rezultat pozitiv.

Derisa rezultatet u bënë të qarta në orët e para të mëngjesit të sotëm, kryeministri britanik, David Cameron, i ka uruar shefit të fushatës kundër pavarësisë së Skocisë, Alistair Darling.

Darling ka theksuar se ky ishte vendim i rëndësishëm dhe se votuesit kanë zgjedhur “ndryshim pozitiv e jo ndarje të panevojshme”.

Fushata për “Po” pavarësisë ka fituar në qytetin më të madh të Skocisë, Glasgou, por kundërshtarët e pavarësisë kanë mbizotëruar në kryeqytetin Edinburg, me epërsi 61:38%, dhe po ashtu, kanë fituar në qytetin e lindjes së zotit Salmond, Aberdin.

Dalja në votime në referendumin, që u mbajt gjatë ditës së djeshme (prej orës 8 të mëngjesit e deri në orën 23 në mbrëmje), ishte e lartë – votuan 85% të atyre që kishin të drejtë.

Sikur të kishte fituar opsioni për pavarësi, konsiderohet se njëra nga çështjet kryesore e negociatave me Londrën, do të ishte e drejta për naftën në Detin Verior, pastaj si të veprohej me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, çfarë monedhe do të përdorej, e ardhmja e bazës më të madhe britanike të nëndetëseve, që gjendet në Skoci, e të tjera.

Vota për pavarësi, duket se do të paraqiste dëshpërim për aleatët britanikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, por do të ishte tronditëse për qeveritë në mbarë botën, që ballafaqohen me lëvizjet për pavarësi. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG