Ndërlidhjet

PDK dhe blloku nuk komunikojnë, vazhdojnë krizën


Gjatë
Gjatë

Dy blloqet më të mëdha politike në Kosovë vazhdojnë të mos lëvizin nga pozicionet fillestare në drejtim të tejkalimit të krizës për formimin e institucioneve.

Përderisa PDK, edhe me seancën e të enjtes dëshmoi se pavarësisht që është fituese e zgjedhjeve të fundit nuk e ka shumicën në Kuvend që t'i formojë institucionet.

Në anën tjetër, blloku i gjerë pas zgjedhor LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, ka vërtetuar se i ka 61 vota, por ka probleme me procedurat kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si hapi i parë drejt formimit të organeve të reja.

PDK ndodhet në situatën kur nuk po gjen përkrahje e as partneritet për formimin e institucioneve.

Andaj, kjo parti politike shprehet e gatshme për të diskutuar dhe gjetur një zgjidhje me subjektet tjera parlamentare, përfshi edhe ato të blloku pas zgjedhor.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kjo parti politike ka zhvilluar mbledhje dhe konsultime të brendshme dhe nuk do të pranoj që t'i japë postin e kryetarit të Kuvendit ndonjë partie tjetër, pasi që do të shkelte Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

"PDK fton partitë tjera që të heqin dorë nga bllokada e institucioneve. PDK mbetet e hapur për të bashkëpunuar me partitë e tjera për zgjedhjen e problemeve duke respektuar kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve. Ne jemi të hapur të diskojmë por nuk do të bëjmë kompromis që të heqim dorë nga vullneti që kanë dhënë qytetarët", ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje të drejtën e vet për formimin e institucioneve e mbështet në faktin se përbën shumicën në Kuvend.

Andaj, ky bllok po kërkon që kryesuesja e Kuvendit, t'i jap rastin që të propozoj kryetarin e Kuvendit dhe të shkohet tutje me formimin e qeverisë.

Isa Mustafa, lider i LDK-së e ka përjashtuar mundësinë që për tejkalimin e kësaj gjendje të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse edhe me PDK-në.

"Qeveria gjithëpërfshirëse është kjo qeveri, me këto parti që jemi këtu (LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje), e cila ka shumicën dhe më gjithëpërfshirëse se sa jemi ne, dhe më qeveri stabile se sa ofrojmë ne mendoj se ky vend nuk ka pasur pas lufte. Ne këtë ofertë e kemi për vendin", ka deklaruar Mustafa.

Pas seancës së 18 shtatorit kur dështoi sërish kandidatura e PDK-së për kryetar të Kuvendit, presidentja Atifete Jahjaga kishte takuar ndaras partitë parlamentare që t'i dëgjonte pikëpamjet e tyre.

Mirëpo, analistët politik edhe roli i presidentes nuk e shohin si vendimtar për tejkalimin e bllokadës.

Analisti, Artan Muhaxhiri mendon se një rol më domethënës në këtë aspekt do të mund të luante faktori ndërkombëtar, i cili në shumë raste është dashur të intervenoj për të quar përpara proceset politike në Kosovë.

"Liderët e V-LAN-it (blloku pas zgjedhor) dhe të PDK-së, mund t’u binden vetëm presionit dhe kërkesave të ambasadorëve të huaj, por jo presionit të presidentes”, ka theksuar Muhaxhiri.

Opinionistët në disa raste e kanë përmendur si mundësi që PDK, si fituese e zgjedhjeve të marrë postin e kryetarit të Kuvendit, kurse blloku pas zgjedhor si shumicë parlamentare, të fitojë të drejtën e formimit të qeverisë.

Sidoqoftë për të arritur në këtë zgjidhje, do të nevojitet fillimisht vendosja e dialogut mes PDK-së dhe bllokut pas zgjedhor.

XS
SM
MD
LG