Ndërlidhjet

Bie importi si pasojë e rënies së fuqisë blerëse


Ilsutrim
Ilsutrim

Të dhënat e publikuara të premten nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë ka shënuar rënie për 1.8 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e parë të po këtij viti.

Derisa, një rënie e lehtë e importeve ishte shënuar në qershor të po këtij viti.

Analistë të çështjeve ekonomike këtë trend të rënieve të çmimeve të importeve apo edhe produkteve që importohen në Kosovë, i konsiderojnë si rezultat i rënies së fuqisë blerëse.

Ata thonë se qytetarët e Kosovës janë në një situatë jo të mirë ekonomike dhe sociale, gjë e cila ka bërë që shporta e konsumatorit të varfërohet edhe më shumë muajve të fundit.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon arsyet që mund të kenë shkaktuar rënien e importeve në Kosovë.

“Kanë ndikuar shumë faktorë, një ndër më kryesorët është se nuk po funksionon si duhet Qeveria e shtetit, kanë mbetur papërfunduar shumë pagesa për bizneset, të cilat kanë marrë tenderët për infrastrukturë apo projekte tjera nga qeveria. Është ngritur inflacioni dhe ajo çka është më kryesorja pse ka rënie të importeve, është fakti se populli i Kosovës është varfëruar dhe ka rënë fuqia blerëse”, thotë ai.

Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë për një rënie të lehtë të importeve, rënie kjo e cila nuk arrin të përmirësojë deficitin e lartë tregtar që ka Kosova tash e sa vjet.

Në tremujorin e parë të këtij viti, importet kapin shifrën e rreth 500 milionë eurosh, përderisa eksporti vazhdon të mbetet mjaft i ulët dhe atë vetëm rreth 70 milionë euro.

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se ka rënë fuqia blerëse në familjet e tyre. Nora Shabani me profesion ekonomiste, thotë se shumë produkte, të cilat mund të konsiderohen edhe të nevojshme për familjet, që jetojnë në vendet e zhvilluara, në familjen e saj nuk blihen më.

“Nuk jemi duke blerë si më parë, jo vetëm në familjen time, unë këtë jam duke e vërejtur edhe te të tjerët, te shumë familje tjera. Këtë e kam vërejtur edhe te dyqanet, të cilat zakonisht po ankohen se nuk kanë shitje si më parë”, thekson Nora.

Derisa Vjollca, një qytetare tjetër nga Prishtina, thotë se ka menduar që t’i reduktojë shpenzimet:

Po mundohemi të mos shpenzojmë shumë, këtë vit kemi vendosur të ngrohemi me dru, në mënyrë që edhe shpenzimet të jenë më të ulëta”.

Reduktimi i shpenzimeve dhe kursimi i mjeteve financiare që po bëjnë qytetarët, sipas profesorit të ekonomisë Isa Tahiri, është edhe si pasojë e frikës që ata mund të kenë shkaku i ngecjes ekonomike që është në Kosovë dhe krizës ekonomike më të thellë që mund të ketë vendi.

“Qytetarët, shoqëria në përgjithësi, po fiksohet duke e parë këtë situatë, në të cilën gjendet vendit. Buxheti i Kosovës, i cili është dashur të konsolidohet në qershor, derisa është dashur të përgatitet deri në fund të gushtit, e që në fund të vitit në mënyrë faktike të aprovohet, nuk është bërë. Tani ne jemi në muajin shtator dhe nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim dhe mund të jemi në një krizë buxhetore”, shton Tahiri.

Ndryshe, për shkak të vonesës në krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, Kosova rrezikon të hyjë në vitin 2015 pa buxhet të miratuar.

XS
SM
MD
LG