Ndërlidhjet

Maqedoni: Rritet numri i viktimave të trafikimit të fëmijëve


Ilustrim
Ilustrim

Vendet e Ballkanit Perëndimor ballafaqohen me sfida serioze sa i përket luftës kundër trafikimit të njerëzve, e cila viteve të fundit ndryshon si nga përmbajtja, ashtu dhe forma, përfshirë këtu shfrytëzimin edhe të fuqisë punëtore.

Ndërkohë, vërehet rritje e numrit të viktimave të trafikimit të fëmijëve, të cilët shfrytëzohen në forma të ndryshme, kryesisht për kërkim lëmoshe.

Hulumtimi i organizatës ndërkombëtare për migrim IOM, ka nxjerrë në pah moszbatimin në përpikëri të rregullativës ligjore që rregullon këtë çështje.

“Rajoni ballafaqohet me sfida afatgjata kundrejt trafikimit me qenie njerëzore, si pasojë e kushteve të rënda ekonomike dhe situatave të komplikuara politike”, ka bërë të ditur Majra Allbu, e cila është koordinatore e IOM-it.

Nga rezultatet e hulumtimit në fjalë del se në Maqedoni dhe Kosovë në numër më të madh viktima nga trafikimi me qenie njerëzore janë femrat, të cilat janë pre e shfrytëzimit seksual.

Pjesa më e madhe e këtyre viktimave janë ende të mitura dhe nuk e kanë të kryer as shkollën fillore.

Ekzistojnë më shumë forma përmes së cilave bëhet rekrutimi i viktimave të trafikimit me njerëz, por zakonisht kjo bëhet përmes kontakteve të drejtpërdrejta, e jo rrallëherë dhe agjencitë e ndryshme për punësim përdoren si kanale për rekrutimin e shumë të rejave, që më pas bëhen pre e trafikimit.

Përfaqësuesit e zyrave diplomatike Shkup kanë theksuar nevojën e bashkëpunimit dhe koordinimit të institucioneve, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, në luftën kundër trafikimit të njerëzve.

“Viktimat nuk kanë mundësi që vetë t`i bëjnë ballë kësaj dukurie, andaj është më se e nevojshme që institucionet e ndryshme ndërkombëtare t`i ndihmojnë ato”, ka thënë shefi i administratës së Ambasadës Italiane në Shkup, Xhovani Vietri.

Nga ana tjetër, Sande Kitanovski, koordinator nacional nga Maqedonia në luftën kundër trafikimit me njerëz, vlerëson se për të pasur rezultate të dukshme në këtë drejtim, nevojitet mbështetje e koordinuar e institucioneve për viktimat e trafikimit.

“E gjithë kjo neve na jep një pasqyrë reale për t`i parashikuar të gjitha nevojat që mund t`i kemi ne, si shtet, por edhe rajonin në përgjithësi, për të qenë sa më efikasë në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore”, shprehet Kitanov.

Në rekomandimet e hulumtimit të prezantuar të premten në zyrën e IOM-it në Shkup, theksohet se ndër faktorët që kryesisht ndokojnë në trafikimin e qenieve njerëzore janë varfëria, mosmarrëveshjet familjare, mungesa e ligjeve apo moszbatimi i tyre në përpikëri, ndërkohë apostrofohet dhe neglizhenca nga ana e disa institucioneve përkatëse për atë që ndodh përreth.

Në rekomandimet e hulumtimit në fjalë, gjithashtu, theksohet nevoja emergjente e bashkëpunimit të institucioneve në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar, zhvillimi i procedurave gjyqësore me një efikasitet të lartë kur bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme siç është trafikimi, e cila nuk prek vetëm viktimën, por rrethin më të gjerë.

Po ashtu nevojitet edhe angazhim më i madh autoriteteve qeveritare për riintegrimin në formë sa më pak të dhimbshme të të gjithë atyre personave, të cilët në një formë kanë qenë viktima të trafikimit me njerëz.

XS
SM
MD
LG