Ndërlidhjet

Obama: Shteti Islamik nuk është luftë vetëm e Amerikës


Barack Obama
Barack Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka bërë sërish thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet sa më shumë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët kanë pushtuar pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë dhe thuhet se kërcënojnë sigurinë globale.

“Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime kundër këtyre terroristëve në Irak apo në Siri. Por, kjo nuk është vetëm luftë e Amerikës. Unë nuk do t’i angazhoj këmbësoritë tona në një tjetër luftë”, ka thënë Obama në adresimin e tij javor.

Shtetet e Bashkuara janë duke udhëhequr përpjekjet për të krijuar një përgjigje globale kundër kërcënimit në rritje të Shtetit Islamik.

Aleanca deri më tash ka mbledhur disa shtete arabe dhe aleatë të SHBA-së, ndërsa sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka kërkuar që edhe Irani të mos mbetet jashtë këtij koalicioni.

Franca, e cila ka refuzuar të mbështesë pushtimin e Irakut më shumë se një dekadë më parë, është bërë vendi i parë që i është bashkuar fushtaës ajrore amerikane në Irak, kundër militantëve të Shtetit Islamik.

“Ne do të udhëheqim një koalicion të gjerë të vendeve që kanë pjesë në këtë luftë. Kjo nuk është vetëm Amerika kundër Shtetit Islamik. Janë njerëzit e rajonit kundër Shtetit Islamik. Është bota kundër Shtetit Islamik”, ka thënë Obama.

Me gjithë mbështetjen e gjerë në SHBA për një qëndrim më të ashpër, Obama është zotuar se nuk do të dërgojë forca tokësore në Irak, vetëm tre vjet pas tërheqjes së tyre nga ky vend.

Presidenti ka përshëndetur votimin e kësaj jave në Kongres, që ka mbështetur planin e tij për të ndihmuar rebelët sirianë në luftën kundër Shtetit Islamik. SHBA ka paralajmëruar po ashtu sulme ajrore në Siri.

Shumica e demokratëve dhe shumica e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat kanë miratuar pjesën e parë të strategjisë sonë. Ata u kanë dhënë trupave tona autoritetin që u duhet për të trajnuar luftëtarët e opozitës siriane, në mënyrë që ata të mund të luftojnë Shtetin Islamik”, ka thënë Obama.

Ai ka numëruar dhjetëra vende që janë ofruar për të ndihmuar fushatën kundër Shtetit Islamik përmes trajnimeve, pajisjeve, ndihmave humanitare dhe misioneve ajrore.

“Mbi 40 vende kanë ofruar ndihmë për fushatën e gjerë kundër Shtetit Islamik. Këtë javë, në Komebet e Bashkuara, do të vazhdoj të mbledh botën kundër këtij kërcënimi”, është zotuar Obama.

Ai u ka kujtuar amerikanëve se “ky është momenti i udhëheqjes amerikane”.

“Kjo është një përpjekje, të cilën Amerika ka aftësi unike për ta udhëhequr. Kur bota kërcënohet, kur bota ka nevojë për ndihmë, ajo thërret Amerikën dhe ne thërrasim trupat tona”, ka thënë presidenti Obama.(v.tela)

XS
SM
MD
LG