Ndërlidhjet

Të rinjtë, financiarisht të varur nga familja


Të rinjtë në Kosovë thonë se e kanë shumë të vështirë që të mbijetojnë pa përkrahjen financiare të prindërve.

Në rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë, shumica e të anketuarve tregojnë se, financiarisht varen nga familja dhe shpenzojnë, duke mos ditur shpesh se sa mjete shpenzojnë brenda një muaji.

Xheneta Beka, nxënëse në Shkollën e Mesme “Sami Frashi”, e cila bashkë me disa shoqe të saj kishin dalë për të shëtitur, thotë se nuk është shumë e varur nga familja dhe se nuk shpenzon shumë.

Xheneta, që në dorë mbante një revistë, thotë se pas përfundimit të studimeve, do të jetë e zonja që të përballet me të gjitha sfidat që mund t’i dalin para.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00
Shkarko


“Nuk jam shumë e varur nga familja se kam edhe të ardhura të mija që i ruaj. Nuk mendoj se jam shumë e varur nga ta. I kam disa punë që më sjellin pak të ardhura dhe nuk jam shumë e varur nga familja”, tregon Xheneta.

Edhe Behar Berisha, 18 vjeç, nga Prishtina, thotë se ka dëshirë të punojë mirëpo, sipas tij, prindërit i thonë se është i ri për punë. Ai tregon se familja aktualisht ka të ardhur të mjaftueshme dhe nuk ka probleme për financim rreth shkollimit apo edhe gjëra të tjera.

Si ta përfundoj shkollën e mesme, familja do tw më dërgojë jashtë vendit dhe kur ta kryej shkollimin, do të jem i pavarur. Tash për tash, jam i varur shumë nga dy të dy prindërit”, shprehet Berisha.

Burim Mjekiqi nga Prishtina, 18 vjeç, duke qeshur thotë se është i varur nga familja, duke theksuar faktin se shteti nuk është duke ofruar për të rinjtë vende pune, prandaj, sipas tij, shumë të rinj janë të varur nga familja:

“Jam i varur nga familja non-stop, njëqindpërqind”.

Besmir Shala, student në Universitetin e Prishtinës thotë se për dallim nga shtetet e tjera në Evropë, ku studentët punojnë dhe studiojnë, kjo në Kosovë nuk është e mundur, prandaj siç thotë ai, shumë studentë janë të varur nga familjet e tyre.

“Jam një student dhe jam i varur nga familja shumë, sepse te ne papunësia është e madhe. Çdo student është i varur nga familja se nuk ka kushte. E përfundon shkollën e mesme dhe nuk mund të gjejë një vend pune për t’i mbuluar shpenzimet e studimeve”, shprehet Besmiri.

Altin Shamolli nga Lipjani, i cili ishte duke marrë pjesë në një lojë shpërblyese nga Ambasada Gjermane, me rastin e 15-vjetorit të pranisë diplomatike në Kosovë, thotë se deri tash gjithmonë ka qenë i varur nga të ardhurat e familjes:

“Gjithmonë jam i varur nga familja. Kam dëshirë të mos jem i varur, ta kem një punë që mund ta bëj vetë edhe të mos jem i varur nga askush. D otë doja ta kisha një punë, ta dija unë veten ku jam dhe ku mund të arrij. Megjithatë, shpresoj se pas përfundimit të universitetit, hyj në ndonjë punë, mendoj se atëherë do të jem i pavarur”.

Ahmet Osmani thotë se edhe nëse arrin ta kesh një vend pune, pagat nuk janë shumë të mëdha dhe prapë është e nevojshme përkrahja nga familja.

“E kam punën time dhe nuk jam aq i varur, më shumë e bëj jetën vetë. Por, është problem në Kosovë që të jesh i pavarur. Ndryshe është nëse je duke punuar dhe ndryshe kur të jep para dikush”, pohon Osmani.

Edhe Kreshnik Bici mendon ngjashëm:

“Nga familja jemi shumë të varur, sepse nuk ka edhe punë. Për shembull, kur i bën 18 vjet, nuk mund të gjesh një punë me orar të shkurtuar ose diçka tjetër, do të thotë jemi shumë të varur nga familja”.

Papunësia e të rinjve, si në raportet vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, së fundi, është konsideruar një problem mjaft i theksuar në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 32 për qind e të papunëve në Kosovë janë të moshës 15 deri 24 vjeç.

XS
SM
MD
LG