Ndërlidhjet

Maqedonia ngec me shfrytëzimin e IPA fondeve


Ilustrim
Ilustrim

Fatmir Bytyçi, konsulent për shfrytëzimin e fondeve nga programi IPA, thotë se autoritetet lokale në Maqedoni duhet të investojnë në aftësimin e administratës.

Njëkohësisht, sipas tij, duhet të përfshihen të gjithë aktorët relevantë në përpilimin e një strategjie afatgjate, e cila do të përcaktonte prioritetet për zhvillimin e komunave të caktuara.

“Programimi i fondeve IPA 2014 2020 sapo ka përfunduar, unë vetëm pyetem sa nga këto projekte strategjike në interes të shqiptarëve, përkatësisht komunat shqiptare, janë përfshirë në strategjinë e re të programit IPA. Nëse kjo s’është bërë, atëherë është e kotë të flasim për atë se duam apo nuk duam të jemi aktorë relevantë të shfrytëzimit të këtyre fondeve evropiane”.

”Duhet kuptuar se programi ose mundësia për të marrë fonde nga BE-ja, siç është shfrytëzimi i mjeteve nga buxheti i shtetit, i cili planifikohet në dhjetor dhe mjetet shfrytëzohen që nga janari, por bëhet fjalë për një planifikim afatgjatë që veçanërisht vërehet te drejtuesit e komunave shqiptare, se cilat projekte do të jenë me prioritet pas shtatë ose dhjetë vjetësh”, thotë Bytyçi.

Ndërkohë, Ministria e Pushtetit Lokal në Maqedoni në bashkëpunim me UNDP-në ka promovuar hapjen e disa zyrave konsulente, qëllimi i së cilave është rritja e aftësisë konkurruese, duke mbështetur bizneset e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla për të pasur qasje në fondet evropiane IPA.

”Këto qendra do të funksionojnë në kuadër të qendrave për zhvillim rajonal në bashkëpunim të UNDP-së. Këto qendra do të disponojnë me udhëzues për investitorët potencialë me të gjitha informacionet më të rëndësishme, duke filluar nga kontaktet deri te legjislacioni, si dhe do të ofrohen informacione për programet e Bashkimit Evropian për të mbështetur sektorin privat”, bën të ditur ministri i Pushtetit Lokal në Maqedoni, Lirim Shabani.

Në këtë aspekt, Fatmir Bytyçi thotë se është për t`u përshëndetur çfarëdo iniciative që ka për qëllim të ndihmojë palët e ndryshme si të vijnë te burime alternative të financimit.

Ai thekson se qendrat duhet menaxhuar nga njerëz profesionistë dhe jo nga ata që kanë për qëllim të sigurojnë vetëm një vend pune, sepse bëhet fjalë për menaxhimin e projekteve që kanë të bëjnë me të ardhmen e një rajoni apo komune të caktuar.

”Nuk do të kemi mundësi të thithjes së fondeve IPA, përderisa kapacitetet e njerëzve, të cilët punojnë në administratë, në kuadër të pushtetit lokal apo atij qendror, janë të tilla si sot. Do të thotë ne detyrimisht duhet të punojmë në ngritjen e kapaciteteve”.

“Këtu nuk kam parasysh vetëm aspektin në sasi, por edhe në cilësi, që të jemi pandan kundrejt atyre që janë në Bruksel dhe u intereson vetëm cilësia e realizimit të projekteve konform kushteve të parapara dhe aspak nuk janë të interesuar se kush qëndron prapa realizimit të po këtyre projekteve, me të cilat konkurrohet për shfrytëzimin e IPA fondeve”, vlerëson Bytyçi.

Gjatë këtij muaji, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, i shoqëruar nga të punësuarit e sektorëve për IPA fondet, ka vizituar pjesën më të madhe të ministrive për t`u njoftuar me mundësitë dhe kapacitetet e shfrytëzimit të mjeteve evropiane.

Organizatat joqeveritare disa herë kanë ngritur zërin se Maqedonia nuk arrin të shfrytëzojë as dy të tretat e mjeteve të siguruara nga IPA fondet, si pasojë e mospasjes së një strategjie të qartë nga ana e Qeverisë, që do t’i identifikonte dhe eliminonte të gjitha defektet që pamundësojnë realizmin e këtyre fondeve.

Nga 614 milionë eurot e alokuara nga vitit 2007-2013, Maqedonia ka arritur të shfrytëzojë vetëm 34 për qind të tyre.

XS
SM
MD
LG