Ndërlidhjet

Të rinjtë nuk shohin perspektivë në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim

Organizatat joqeveritare, të cilat kanë në fokus të drejtat e të rinjve, kanë ndezur alarmin se të rinjtë nga Maqedonia në kërkim të një jete më të mirë, nuk llogarisin rreziqet gjatë largimit nga vendi.

Drejtori i koalicionit të të rinjve nga Maqedonia “SEGA”, Zoran Ilievski, thotë se kushtet e vështira ekonomike, si dhe mungesa e perspektivës, janë faktorët që i detyrojnë të rinjtë të marrin rrugën e mërgimit duke mos llogaritur rreziqet e ndryshme, qoftë ato profesionale, madje as sigurinë e jetës.

“Në të shumtën e rasteve tek ata parësore është realizimi synimit si të arrihet deri te destinacioni që kanë vënë si qëllim, pa bërë llogaritjet se me çfarë problemesh ekzistenciale mund të përballen, cilat janë kushtet e punës, çfarë perspektive atyre u mundësohet, thjesht ata duan të largohen nga vendi”, thekson Ilievski.

Ndërkohë, Bashkim Selmani, i cili 10 vjet ka punuar në Gjykatën e Tetovës për të mitur, thekson se të rinjtë e vendeve në tranzicion jo rrallë bëhen pre e manipulimit të grupeve të caktuara kriminale, të cilët i joshin me një pasqyrë joreale për kushtet e punës dhe mundësitë e përfitimit material, qoftë në vendet evropiane, apo edhe në vendet tjera të botës.

“Po të rinjtë zakonisht joshen nga ajo që shohin përmes mediave apo marrin si informacion nga interneti se çka ofrojnë shoqëritë bashkëkohore, mendoj prioritete që krijojnë lakmi te të rinjtë, madje edhe te të miturit, por në mungesë të influencës familjare, kjo kategori nuk është në gjendje t’i kuptojë rreziqet e ndryshme, të cilat zakonisht janë të mbështjella nën atë që ne i themi shoqëri bashkëkohore”.

“Ne duhet të kuptojmë një fakt të dhimbshëm se nuk kemi një rini të stabilizuar se ata për t`i realizuar standardet, të cilat atyre u pasqyrohen nga mediat, shpeshherë bien nën grackën e krimit të organizuar”, thotë Selmani.

Ai shton se këta të rinj, duke humbur të drejtën e vazhdimit të shkollimit, humbin edhe mundësinë për të ndërtuar një perspektivë edhe në Maqedoni.

Ndryshe, Martin Aleksovski nga Forumi i të Rinjve nga Maqedonia, konsideron se masat e fundit, të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e Maqedonisë, duke përfshirë ndihmën financiare përmes kredive të volitshme për vetëpunësim apo hapjen e bizneseve të vogla ose ato familjare, në masë të caktuar ka ndihmuar që një pjesë e të rinjve perspektivën ta shohin në Maqedoni.

Por, edhe më tej pjesa më e madhe e të rinjve, të cilët nuk kanë asnjë përgatitje profesionale, me rrogën që mund ta marrin këtu, nuk mund të sigurojnë as nevojat minimale personale, e lëre më që të krijojnë një bazament për të ardhmen e familjes së tyre, të cilën synojnë ta krijojnë ose posa e kanë krijuar.

“Kohën e fundit është shumë i madh numri i të rinjve nga Kumanova, të cilët pa menduar shumë nisen edhe në vende e largëta, siç është Katari. Është shumë i madh edhe numri i atyre që nuk hezitojnë të shkojnë në ato shtete që kanë një shkallë të lartë të rrezikut në aspektin e sigurisë siç është rasti me Afganistanin, Irakun, duke bërë punë të rënda fizike nga më të ndryshmet”, bën të ditur Aleksovski.

Në kërkim të një jete më të mirë, të rinjtë nga Maqedonia i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë, për t’u larguar nga vendi, përfshirë këtu dhe vizat studentore, ato turistike, siç ishte rasti i fundit i zhdukjes së 23-vjeçares nga Prilepi, Denisa Markoska, e cila u zhduk nga anija ku punonte tre vjetët e fundit në ujërat e bregdetit grek.

XS
SM
MD
LG