Ndërlidhjet

Maqedoni: Kriza politike të zgjidhet me dialog


Përplasjet e fundit mes pushtetit dhe opozitës nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamentare në nëntor, kanë thelluar edhe më shumë dallimet mes dy blloqeve politike.

Në fakt, një deklaratë e një zyrtari të VMRO-së, që më vonë ishte thënë se është nxjerr nga konteksti, se do të ketë zgjedhje nëse LSDM-ja refuzon dialogun dhe kthimin në Kuvend, nga opozita është vlerësuar si një nga shantazhet më të ulëta të pushtetit ndërkohë që ka përjashtuar çdo mundësi për pjesëmarrje qoftë në zgjedhje të pjesshme apo të përgjithshme, nëse ato nuk organizohen nga një qeveri teknike.

Njohësi i çështje politike, Albert Musliu, thotë se ligjërisht zgjedhje të pjesshme mund të ketë për të plotësuar vendet boshe të deputetëve të LSDM-së, që kanë nënshkruar edhe deklarata se nuk pranojnë mandatin e deputetit, por edhe këto zgjedhje sipas tij, nuk do të zgjidhin krizën.

“Bisedat e ditëve të fundit për zgjedhje të parakohshme i shoh si një reflektim apo mungesës së ideve dhe gatishmërisë së partive politike për të kapërcyer bllokadën e institucionin të Kuvendit në të cilën ndodhet për momentin. Ne jemi mësuar me skenën politike që për çdo mospajtim, apo mungesë të kapaciteteve për zgjidhjen e problemeve me dialog ta kërkojnë tek zgjedhjet e parakohshme".

"Ato nuk janë zgjidhje pas përveç që shkaktojnë probleme në ekonominë e vendit, ato gjithashtu thellojnë edhe më shumë krizën politike në vend, duke marr parasysh pozicionet e partive që nuk lëvizin nga pozicionet“, thotë Musliu.

Krahas njoftimeve partiake për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, janë edhe aktivitetet e shtuara të përfaqësuesve ndërkombëtarë për uljen e palëve në bisedime.

Por, nga LSDM-ja i kanë quajtur spekulime njoftimet se gjoja ka presione për nisjen e dialogut politik.

Kjo parti vlerëson se kriza mund të zgjidhet vetëm me formimin e qeverisë teknike, e cila më pas do të organizonte zgjedhje të parakohshme.

“Normal që bllokada duhet të tejkalohet me biseda për arritjen e një forme të kompromisit, por ne ende palët i shohim të përforcuara në pozicionet e tyre andaj edhe nuk shoh ndonjë zhvillim. Sa i përket ndërkombëtarëve vlerësoj është normale që ata të insistojnë në kapërcimin e situatës në të cilën ndodhemi. Ne kemi të bëjmë me procedura ligjore, por në anën tjetër bojkoti e vënë në pikëpyetje gjithë punën e Kuvendit“, thotë Musliu.

Në anën tjetër, profesori universitar, Nikolla Dujoski, thotë se pasojat e krizës politike mund të jenë edhe më të mëdha, nëse në një afat sa më të shkurtër palët nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje për kontestet.

Ai thotë së është për të ardhur keq që pas çdo cikli zgjedhor, kemi kontestim të rezultateve.

“Kjo po bëhet praktikë në Maqedoni që nuk është mirë, aspak nuk është mirë pasi për çështje të tejkaluara, siç janë zgjedhjeve e para gjashtë muajve, ne nuk mund të realizojmë asnjë dialog real politik apo të kemi ndonjë konsensus për çfarë do qoftë çështje“, thotë Dujoski.

Që nga zgjedhjet parlamentare që nuk njihen nga opozita, është zhvilluar vetëm se një takim mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të opozitës, Zoran Zaev, por përveç konfirmimit se mbeten në pozicionet e tyre, se qeveri teknike nuk do të ketë apo se pa një qeveri të tillë bojkoti do të vazhdojë, nuk ka pasur ndonjë epilog tjetër.

Ndërkohë, Kuvendi tashmë bojkotohet edhe nga opozita shqiptare pas rrahjes mes deputetëve të PDSH-së dhe BDI-së, në debatin lidhur me ndryshimet kushtetuese në pjesën që ka të bëjë me buxhetin.

XS
SM
MD
LG