Ndërlidhjet

Si do ta përballojë Kosova mungesën e energjisë?


Pas paralajmërimeve të autoriteteve energjetike se gjatë muajve të dimrit do të ashpërsohen reduktimet me energji elektrike, ekspertë për këtë çështje konsiderojnë se vetëm ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese mund të stabilizojë situatën e furnizimit me energji elektrike.

Ndërtimi i kapaciteteve të reja apo rivitalizimi i termocentraleve ekzistuese vazhdimisht ka qenë temë debatesh ndërmjet autoriteteve kompetente dhe shoqërisë civile.

Eksperti për çështje energjetike, njëherësh ish-ministër i energjisë, Ethem Çeku, për Radion Evropa e Lirë, konsideron se alternativa e vetme për të dalë nga situata e krijuar është rivitalizimi i termocentraleve ekzistuese dhe ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”.

“Zgjedhja duhet të kthehet prapë te vetvetja. Cila është vetvetja? Duhet të kthemi te rivitalizimi, rregullimi i plotë i blloqeve të termocentralit ‘Kosova A’, dhe po ashtu edhe të ‘Kosovës B’. Do të thotë më nuk kemi asnjë alternativë nga ato idetë e famshme se termocentralin ‘Kosova A’ duhet ta bëjmë rrafsh me tokë”.

Tani duhet të kthemi te blloqet e termocentralit ‘Kosova A’ të bëjmë investime jo të vogla, por të mëdha, në mënyrë që të kemi furnizim të rregullt me energji elektrike derisa të ndërtohet termocentrali ‘Kosova e Re’”, vlerëson Çeku.

Por, sipas një marrëveshjeje që ka nënshkruar Republika e Kosovës me Komunitetin e Energjisë së Evropës Juglindore, termocentrali “Kosova A” duhet të mbyllet deri në fund të vitit 2017, termocentral ky që mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor.

Sidomos pasojat nga shpërthimi i fundit që ka ndodhur në këtë termocentral, sipas zyrtarëve të Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, (KEDS), paraqesin problem kryesor me furnizim të rregullt me energji elektrike.

Përveç rivitalizimit të domosdoshëm të termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B”, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, thekson se autoritetet kompetente duhet të fokusohen në energjinë alternative dhe ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas tij, as liberalizimi i tregut energjetik me Evropën Juglindore, siç është promovuar kohëve të fundit në Kosovë, nuk e zgjidh problemin e energjisë elektrike.

“Për çdo kalkulim tjetër, çdo formë tjetër, pasojat do të jenë katastrofale për ekonominë dhe furnizimin e qytetarëve me energji elektrike. Qe 15 vjet ka tendenca që Kosovës nuk i nevojitet ndërtimi i termocentraleve ‘Kosova e Re’ në atë kohë ‘Kosova C’. Madje, janë shkruar edhe libra, kanë bërë fushata ekstreme për të ndërprerë punimet në blloqet e reja të termocentralit, dhe sot jemi para dilemave çka dhe si do të përballet shteti i Kosovës me furnizim me energji elektrike?!”, thekson Çeku.

Ndryshe, përgatitjet për projektin në atë kohë të termocentralit “Kosova C” tash “Kosova e Re”, kanë filluar në vitin 2001. Gjatë kësaj periudhe pësoi shumë ndryshime, në radhë të parë termocentrali kishte 2100 megavat, ku prapë ulet kapaciteti prodhues në 1000 megavat.

Po, ndërkohë kompani të ndryshme ndërkombëtare janë larguar nga gara tenderuese. Edhe pse aktualisht në garë janë katër konsorciume ndërkombëtare, afati për zgjedhjen e kompanisë fituese është shtyrë disa herë, siç është shtyrë ditë më parë edhe për tre muaj të tjerë.

Por, lidhur me këtë, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë kanë vlerësime të ndryshme.

Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka nevojë për kapacitete të reja energjetike, pasi, sipas tij, paralajmërimet për furnizim jo të rregullt të energjisë elektrike, janë false dhe mbulim i vendimit për shtrenjtim të energjisë elektrike, vendim ky që është kundërshtuar vazhdimisht nga shoqëria civile.

Arsye pse energjia elektrike nuk mbërrin te konsumatorët, Azemi thotë se nuk është për shkak se nuk ka sasi të mjaftueshme të energjisë, por janë humbjet komerciale dhe moskursimi i rrymës nga konsumatorët.

“Deklaratat e fundit se gjatë këtij viti do të ketë reduktime, janë deklarata false dhe i shërbejnë vetëm momentumit dhe pjesën që ne kemi parë se KEK-u dhe KEDS-i kanë kërkuar rritjen e energjisë për të arsyetuar një rritje të tillë, të cilën ne si shoqëri civile e kemi kundërshtuar në forma të ndryshme”, thotë Azemi.

Ndryshe, në fund të muajit të kaluar Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka nxjerrë vendim lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5,18 për qind.

Kundër shtrenjtimit të energjisë, në Kosovë, ka përfunduar aksioni i mbledhjes së nënshkrimeve për peticion, organizuar nga Koalicioni i Qytetarëve Konsumatorë, Sindikatave dhe Organizatave Joqeveritare.

XS
SM
MD
LG