Ndërlidhjet

Maqedoni: Pezullohet greva në arsim, ministria pranon dialogun


Ilustrim@Shutterstock.
Ilustrim@Shutterstock.

Greva e përgjithshme e paralajmëruar për të hënën në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm, në Maqedoni, nuk do të mbahet.

Sindikata e arsimit, shkencës dhe kulturës ka vendosur pezullimin e grevës për t’u dhënë shans negociatave me Ministrinë e Arsimit, e cila realizoi një takim me drejtuesit e sindikatës për shqyrtimin e kërkesave të tyre.

Është vendosur formimi i grupeve të punës për të diskutuar të gjitha çështjet e ngritura. Ndërkohë, kërkesat e sindikatës vazhdojnë të mbështeten edhe nga shoqatat tjera.

Kërkesat për rritjen e pagave, nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive, shqyrtimin e provimit ekstern si dhe të lëndëve të reja mësimore, janë reale dhe çdo refuzim nuk do t'i shërbejë ngritjes së cilësisë në arsim, vlerësojnë përfaqësues nga Shoqata e Arsimtarëve Shqiptare dhe ata nga sindikata multi-etnike në arsim.

Këto komente vijnë pas dialogut ndërmjet Sindikatës së arsimit, shkencës dhe kulturës dhe Ministrisë së Arsimit, si për çështjen e pagave, ashtu edhe për reformat, përfshirë edhe ndryshimet e fundit në Ligjin për arsim që parasheh gjoba dhe zëvendësim të arsimtarëve me kuadër tjetër, nëse ata vendosin të hyjnë në grevë.

Nuhi Dardhishta nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar (LASH), thotë se punonjësit e arsimit meritojnë shumë më tepër nga ajo që për momentin ofron shteti.

“Puna e mësimdhënësit është një punë e shenjtë, pra pagat duhet të jenë shumë më të mëdha. Ngritja e pagave ndikon edhe në ngritjen e cilësisë në arsim. Me punën që e bëjnë arsimtarët, duhet të vlerësohen më shumë në aspekt financiar”, thotë Dardhishta.

Ai kritikon edhe ndryshimet e fundit në Ligjin për arsim, si dhe futjen e lëndëve të reja pa konsultimin e punonjësve të arsimit.

“Nuk mundet që Ministria e Arsimit apo Kuvendi të sjellë ndryshime të ligjit apo të miratojë lëndë të reja pa u konsultuar punonjësit e arsimit, pasi ata e dinë më së mirë se çfarë duhet për nxënësit, cili material nevojitet, cila temë e kështu me radhë".

"Por, fatkeqësisht te ne ndodhë e kundërta, politika është ajo, e cila i imponon arsimit, se si duhet të veprojë, e jo arsimtarët të japin propozimet e tyre për rrjedhën e procesit mësimor, sepse ata e dinë më së mirë se çfarë duhet të përmbajë programi mësimor, apo sa mund të obligohet nxënësi e sa jo“, thekson Nuhi Dardhishta.

Kundër ndryshimeve ligjore shprehet edhe Suzana Stefanoviq, nga Sindikata multi-etnike e arsimit. Ajo thotë se përveç ndryshimeve të papranueshme në procesin mësimor, arsimtarët përballen edhe me gjoba, në vend se të pranohet kërkesa e tyre për paga më të larta.

“Aktualisht, arsimtarët janë të frikësuar pasi nuk e dinë se nga do të goditen, apo do të largohen nga puna. Brenda natës sillen vendime për programe të reja mësimore, pa u konsultuar fare ata që duhet t’i zbatojnë programet e tilla apo të paktën të kishte një debat apo analizë më të gjerë për masat e reja ligjore”, thotë Stefanoviq.

Ajo ndalet në tekstet e Kembrixhit që kanë nisur të aplikohen për nxënësit e klasave të dyta dhe të treta të shkollave fillore. Stefanoviq thotë se punonjësit e arsimit nuk janë kundër programeve të tilla, por ato nuk mund të zbatohen brenda natës, pasi praktika e ditëve të para ka nxjerr në sipërfaqe probleme të shumta.

Arsimtarët po heqin të zinjtë e ullirit, veçanërisht ata të klasave të dyta me matematikën. Trajnimi, i cili ka zgjatur vetëm se dy ditë, nuk është i mjaftueshëm për zbatimin e një programi të tillë të njohur në përmasa botërore“, vlerëson Stefanoviq.

Në komunikatën e fundit, Ministria e Arsimit ka shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar ankesat e arsimtarëve, por jo edhe për të hequr dorë nga tekstet e Kembrixhit apo provimi ekstern.

Sa i përket pagave të arsimtarëve, ajo thotë se ato do të rriten, por në përputhje me politikat buxhetore të qeverisë.

Sipas ministrisë, rritja e parë prej katër për qind do të ndodhë duke filluar nga muaji i ardhshëm, ndërsa rritjet tjera do të realizohen varësisht mundësive financiare, por sigurojnë se rritje do të ketë.

XS
SM
MD
LG