Ndërlidhjet

Evropa përpiqet të ndalojë qytetarët nga xhihadi


Ilustrim
Ilustrim

Gazeta New York Times shkruan se vendet evropiane u kanë dhënë shtytje përpjekjeve për të penguar rritjen e numrit të qytetarëve të tyre, që kërkojnë të bashkohen me lëvizjet radikale islamike në Irak dhe Siri. Megjithatë, ekspertët kanë paralajmëruar se fushata ushtarake, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kundër Shtetit Islamik, ka rritur rrezikun që grupet ta kthejnë vëmendjen e tyre kah objektivat perëndimore.

Ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, duke promovuar legjislacionin që adreson problemin, ka thënë të martën se numri i shtetasve francezë, që kanë udhëtuar për të luftuar në rajon, ose kanë planifikuar të shkojnë atje, është rritur për 74 për qind këtë vit, përkatësisht në 1,000. Ai po ashtu ka thënë se rreth 350 shtetas francezë ndodhen aktualisht atje - në mesin e tyre 60 gra.

Gazeta kujton edhe deklaratat e sekretares për çështje të brendshme të Britanisë, Theresa May, e cila ka thënë se do fuqi të reja për të parandaluar të dyshuarit për radikalizëm islamikë nga përdorimi i mediave sociale. Ajo po ashtu është duke nxitur legjislacionin, i cili i jep policisë kompeteca për të konfiskuar pasaportat e britanikëve, që dyshohet se udhëtojnë për t’iu bashkuar radikalëve islamikë.

Peter Neumann, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit në Kolegjin Mbretëror të Londrës, ka thënë se potenciali për dhunë të re në Evropë është rritur.

“Shqetësimet nuk janë më të mëdha për shkak se është rritur numri i xhihadistëve. Por, me ndërhyrjen e Perëndimit, vëmendja e xhihadistëve është duke u kthyer gjithnjë e më shumë kah Perëndimi”, citon New York Times analistin Neumann.

“Shumica e xhihadistëve nuk kanë qenë të interesuar për sulme në Perëndim, por tani ato janë bërë prioritet për ta. Kjo, për shkak se ka ndryshuar natyra e konfliktit”, ka thënë Neumann.

Britania ka kryer sulmet e para ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak të martën. Pesë shtete arabe, ashtu si edhe Australia, Belgjika, Danimarka, Franca dhe Holanda, kanë nënshkruar po ashtu pjesëmarrjen në koalicionin e udhëhqeur nga Shtetet e Bashkuara për luftimin e Shtetit Islamik.

Sekretarja për çështje të brendshme të Britanisë, May, thotë se autoritetet duhet të nisin punën brenda vendeve të tyre. “Gjëja e parë që duhet të bëjmë, është të dekurajojmë të rinjtë myslimanë britanikë nga udhëtimi në Siri dhe Irak”, ka thënë May, citon New York Times.

Policia britanike është vënë në kërkim të një vajze 15 vjeçe nga Bristolli, e cila besohet se ka udhëtuar drejt Stambollit me një vajzë 17 vjeçe nga Londra, me qëllim për të hyrë në Siri dhe për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

May ka thënë se vajzat nuk do të dënohen, porse për të rriturit është e paligjshme të luftojnë për grupet terroriste.

New York Times thotë se Belgjika ka qenë zonë themelore e rekrutimit të xhihadistëve. Së paku 300 belgë janë larguar për në Siri, ka thënë May, së bashku me 400 gjermanë. Po ashtu besohet se 800 rusë janë duke luftuar në rajon, së bashku me 60 australianë, 80 suedezë, 50 norvegjezë dhe 70 danezë. Sipas qendrave të ndryshime që studiojnë çështjen, ka luftëtarë edh enga Italia, Holanda dhe Spanja.

Analisti Neumann ka thënë se rreth 40 për qind e 30,000 luftëtarëve të Shtetit Islamik janë të huaj, edhe pse shumica e tyre janë joevropianë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG