Ndërlidhjet

Qasje simbolike e Serbisë ndaj krimeve të luftës


Gjatë punës dhjetëvjeçare, Prokuroria për krime lufte e Serbisë ka ngritur aktpadi për 44 lëndë, prej të cilave 35 janë përfunduar.

Kjo nënkupton se mesatarisht janë ngritur 3 aktakuza në vit, ndërkaq që për këtë periudhë janë arritur dy gjykime përfundimtare.

Përmes këtij shembulli, ekspertët e Fondit për të drejtën humanitare në Serbi, duke paraqitur Analizën për procedimin e krimeve të luftës në Serbi nga viti 2004 deri në vitin 2013, kanë ilustruar qëndrimin se arritjet në këtë fushë janë modeste dhe joefikase.

Nikola Qukanoviq, avokat në Fondin për të drejtën humanitare, ka theksuar se një nga vërejtjet kryesore lidhur me punën e prokurorisë, është mos procedimi për pjesëtarët e rangut të mesëm dhe të lartë të ushtrisë dhe policisë, të cilët vetëm në disa raste janë nxjerrë para gjyqit.

“Në Prokurorinë për krime lufte, thonë se kjo është pasojë e mungesës së dëshmive, pengesave ligjore, zgjedhjes së strategjisë së prokurorisë, bashkëpunimit të pa mjaftueshëm të policisë dhe organeve të Sigurimit m shtetëror, të cilët i mbrojnë kolegët e tyre, si dhe mungesa e vetëdijes për krimet e kryera. Por, ekziston përshtypja se në Prokurorinë për krime lufte ekziston një shkallë e auto-censurës dhe jo gatishmërisë për tu ballafaquar me sfidat e këtij lloji”, theksoi Qukanoviq.

Zëvendësprokurori për krime lufte i Serbisë, Bruno Vekariq, është pajtuar që çështja e përgjegjësisë komanduese është mjaft e rëndësishme, por ka theksuar se pikërisht, së fundmi, prokuroria ka nisur hetimet kundër ish-komandantit të Brigadës së motorizuar 125, Dragan Zhivanoviq.

Kjo, sipas tij, për shkak të dyshimeve se në vitin 1999, në Kosovë, ka kryer krim lufte, për shkak se ka pasur dijeni dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë që të parandalojë vrasjen e së paku 118 civilëve shqiptarë, shkatërrimin e shtëpive, plaçkitjen e pasurisë dhe dëbimin.

“Kur flasim për bashkëpunimin me organet e shtetit, pikërisht në këtë lëndë tash kemi probleme të mëdha që të marrim të dhëna, në mënyrë që këtë lëndë ta zbatojmë më tutje. Mund ta pranojë se rangu apo lartësia e personave që gjenden në funksione të caktuara nuk janë përpunuar mjaft në lëndët për krime lufte, por gjatë gjithë kohës, në një mënyrë kemi qenë shërbim i Tribunalit të Hagës. Si shërbim edhe u kemi ndihmuar që të arrijnë deri te aktgjykimet e caktuara”, tha Vekariq.

Një aspekt i trajtuar në analizën e Fondit për të drejtën humanitare është edhe mbrojtja e dëshmitarëve, program i cili ka nisur në vitin 2006, kur edhe është themeluar Komisioni për zbatimin e programit, si dhe Njësia për mbrojtje.

Por, analisti Edmir Veljoviq, thotë se pikërisht kjo njësi, në një numër rastesh ka qenë burim i frikësimit të dëshmitarëve. Sipas tij, analiza nxjerr në pah problemet në punën e kësja njësie..

“Ato janë: e kaluara e luftës e disa të punësuarve në Njësi dhe sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve, të cilët kanë qenë ose janë pjesëtarë aktiv të forcave të armatosura. Ata dëshmitarë janë kërcënuar gjatë programit për mbrojtje, janë poshtëruar, keqtrajtuar. Nga ta është kërkuar që të heqin dorë nga dëshmia , në mënyrë që ata, në fund, me vetiniciativë, ta braktisin programin për mbrojtje”, theksoi Veljoviq.

Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Vekariq është pajtuar se ekzistojnë probleme në sistemin e mbrojtjes së dëshmitarëve, por sipas tij, marrë parasysh kushtet në të cilat punon prokuroria, janë arritur rezultate.

Ndryshe, Prokuroria dhe Fondi, janë pajtuar se nevojitet një strategji shtetërore për procedimin e krimeve të luftës, me të cilën do të caktoheshin objektivat dhe mënyra e realizimit të tyre.

Sandra Orloviq, drejtore ekzekutive e Fondit për të drejtën humanitare ka shprehur frikën se dinamika me të cilën po procedohen krimet e luftës, si dhe trajtimi i çështjes së mbrojtjes së dëshmitarëve, do të ndikojnë negativisht në proces.

Kam frikë se e gjithë kjo do të kontribuojë në atë që një numër i madh i autorëve, të cilët ende jetojnë në Serbi, do të ndjehen të lirë dhe pa frikën se mund të dalin para gjyqit, deri në fund të jetës”, ka theksuar Orloviq.

Oskar Benedikt, zëvendës shef i misionit të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, ka theksuar se procedimi i krimeve të luftës, gjatë luftërave në ish – Jugosllavi, është pjesë integrale e ballafaqimit me të kaluarën. Sipas tij, ndikimi i këtij procesi nuk duhet nënçmuar, për sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian.

“Duhet të shmanget çdo tregues i mosndëshkueshmërisë, me hetim adekuat dhe procedim, në rastet e zyrtarëve të rangut të lartë , për të cilët dyshohet se janë të përzier në krime lufte”, ka thënë Benedikt.

XS
SM
MD
LG