Ndërlidhjet

Blloku i revoltuar, PDK e quan të papjekur


Koalicioni i partive politike në përbërje të Lidhjes Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe Lëvizjes Vetëvendosje, i ka kërkuar kryesueses së seancës konstituive, Flora Brovina, që të thërrasë vazhdimin e seancës javën e ardhshme.

Që nga ora 10:00 deputetët e këtij koalicioni ishin mbledhur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku me praninë e tyre fizike kanë shprehur mospajtimin me vendimin e kryesueses Brovina për shtyrjen e seancës të planifikuar të mbahej të enjten.

Liderët e koalicionit, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj kanë mbajtur edhe një adresim para deputetëve nga radhët e partive të tyre dhe mediave, ku kanë shprehur revoltën me shtyrjen e seancës konstituive.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kërkuar që mbledhja të thirret javën e ardhshme.

Ndërkohë që të gjithë deputetët e këtyre katër partive politike nënshkruan edhe mocionin me të cilin thirret vazhdimi i seancës.

“Ne nuk jemi për të mbajtur seancë këtu, por jemi që të shprehim pakënaqësinë tonë, jemi këtu që të themi se këtij shteti i nevojitet parlamentarizmi. Kemi kërkesë që shumicës parlamentare t’i mundësohet që të formojë institucionet e Kosovës. Andaj do të bëjmë kërkesë që vazhdimi seancës konstituive të mbahet më së largu në mesin e javës së ardhshme”, është shprehur Mustafa.

Ndërkohë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e ka lënë Kosovën pa Republikë dhe po tenton që ta lë edhe pa parlament.

Kritika ndaj PDK-së dhe lideri të saj, Hashim Thaçi ka shprehur edhe kandidati i këtij koalicioni për kryeministër, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Ai ka thënë së ky bllok i partive nuk do të negociojë ndarjen e pushtetit me Partinë Demokratike të Kosovës.

"Jemi përcaktuar për ndryshime të plota. Pra, jo të pjesshme dhe jo për kompromis me PDK-në dhe Hashim Thaçin. Jo kompromis me klanet e tyre, jo përulje ndaj tyre as ndaj shantazheve e as për çantave me para që ua kanë ofruar deputetëve. Por për një ndryshim të plotë në vend. Ky ndryshim fillon këtu, me zgjedhjen e kryeparlamentarit. Kryeparlamentari i këtij Kuvendi i zgjedhur me votën e juaj, është kryetari i LDK-së dhe kandidati i gjithë neve, z.Isa Mustafa", ka deklaruar Haradinaj.

Në anën tjetër ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Pas një takimi që ka mbajtur kjo parti politike, njëri nga nënkryetarët dhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se prania e deputetëve në sallën e Kuvendit në momentin kur seanca ishte shtyrë, tregon papjekuri politike dhe mos respektim të institucioneve.

“Ne besojmë se veprimet e tilla duhet të shmangen, sepse përveç që tregojnë një papjekuri politike dhe mos respektim institucional, në të vërtetë kontribuojnë edhe në degradimin të procesit të ndërtimit të institucioneve. Konsiderojmë që deputetët e opozitës me të vërtetë kanë ndërmarrë veprime të gabueshme të cilat dëshmojnë një papjekuri të lartë institucionale", ka theksuar Krasniqi.

Konstituimi i Kuvendit ka filluar nga data 17 korrik. Posti i kryetarit të Kuvendit mbetet nyja të cilën nuk po mund ta zgjidhin deputetët e legjislaturës së pestë të Kosovës.

PDK si fituese e zgjedhjeve, dështoi që ta marrë këtë post më 18 shtator për mungesë votash në Kuvend.

Kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, ndonëse i kanë votat e mjaftueshme nuk kanë hapësirë kushtetuese për të marrë këtë post.

Kjo është konstatuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin ishte shpallur anti-kushtetues zgjedhja e Isa Mustafës për shkak se nuk ishte i kandiduar nga grupi më i madh parlamentar.

Përpjekjet për zgjidhjen e kësaj krize aktualisht po zhvillohen përmes serisë së takimeve që presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga po zhvillon me liderët e partive parlamentare, edhe pse deri më tani asnjëri bllok nuk po ka dhënë shenja se do të lëvizë nga pozicionet fillestare.

XS
SM
MD
LG