Ndërlidhjet

Kosova nuk i përmbushi reformat e kërkuara nga KE


Kriteret, të cilat Raporti i progresit i Komisionit Evropian i vitit 2013, i kishte nënvizuar dhe që ishin parë si sfida nga institucionet e Kosovës, nuk janë përmbushur gjatë këtij viti, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane në vend.

Këto vlerësime vijnë në prag të publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian për këtë vit.

Rreth një vit më parë, me 16 tetor 2013, ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, pati garantuar përkushtim maksimal të qeverisë në përmbushjen e detyrave që dalin për procesin integrues.

“Është e vërtetë që raporti i progresit përveç që ka nënvizuar të arriturat, ka nënvizuar edhe sfidat. Një ndër to është përmbyllja e reformës zgjedhore, përmbyllja e reformës së administratës publike, më pas, fuqizimi i institucioneve të pavarura në fushën e rendit dhe ligjit. Në këtë pikë ne kemi ndërmarr disa hapa, të cilët nuk janë të reflektuar në raportin e progresit, për shkak se kanë ndodhur ditëve të fundit, dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur të jenë aty”, tha ajo.

Por, njohësit e integrimeve evropiane, vlerësojnë se përmbyllja e reformave në fushat e përmendura, nuk është bërë, ndërkohë që në fusha përkatëse ka pasur edhe degradim.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se reforma zgjedhore nuk ka përfunduar gjatë këtij viti dhe zgjedhjet parlamentare, me 8 qershor, janë mbajtur pa një reformë të tillë.

“Reforma nuk është bërë, por, megjithatë, kemi pasur zgjedhje të mira. Mbase reforma e administratës publike është pika më e dobët, për shkak se, jo vetëm që nuk është vazhduar me reformë, por administrata publike ka vazhduar të degradoj edhe më tutje".

"Përkundër faktit që Qeveria e Kosovës ka marrë vendime kontroverse, si për shembull ajo e nënshkrimit të auto-rrugës, ka bërë presion edhe më të madh politik dhe financiar brenda qeverisë dhe në administratë publike, ku ka pasur raste që mjetet të cilat janë ndarë për reformë të administratës publike, janë marrë prapa për tu ndarë për ndërtim rrugësh. Pra, janë derdhur prapë në asfalt”, shprehet Muharremi.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesori i të Drejtës evropiane, Avni Mazreku.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se të gjithë faktorët politik ishin pajtuar që të merren me përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe rrjedhimisht, të mos merren fare me reformën zgjedhore.

Ndërkaq, reforma e administratës publike, sipas tij, nuk ka qenë sfidë vetëm e këtij viti, por që nga viti 2008, kur Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj.

“Në qoftë se e marrim çështjen e reformës zgjedhore, Kosova nuk e ka përmbushur këtë sfidë, të identifikuar nga Raporti i progresit. Në reformën e administratës publike, në vazhdimësi, institucionet e Kosovës dhe ata që kanë qeverisur me Kosovës, kanë dështuar".

"Nuk kanë dështuar për faktin që nuk e kanë njohur këtë problem dhe se nuk e ka qenë i identifikuar ky problem. Por, kanë dështuar vetëm si rezultat i mungesës së vullnetit politik, sepse administrata publike është përdorur si instrument, si mekanizëm, për t’i akomoduar militantët e tyre partiak. Rrjedhimisht, ka rezultuar ose është burimi kryesor i korrupsionit masiv në institucionet e vendit”, thekson Mazreku.

Të dy këta njohës të integrimeve evropiane, vlerësojnë se Kosova gjithashtu ka dështuar në çështjen fuqizimit të institucioneve të pavarura në fushën e rendit dhe ligjit.

Muharremi thekson se këtyre institucioneve nuk është arritur që t’iu sigurohet pavarësia e veprimit.

Ne kemi pasur disa ligje që kanë kaluar, por nuk ka fuqizim të institucioneve dhe nuk ka pavarësi më të madhe të këtyre institucioneve. Për shembull, qoftë Agjencia kundër korrupsionit, qoftë gjykatat, i tërë sistemi i drejtësisë, nuk po ndihmohet. Ai qëllimisht nuk po lejohet të jetë i pavarur, për shkak se, si duket, është edhe konflikt interesi për qeveritarët dhe njerëzit tjerë të korruptuar në vend”, thotë Muharremi.

Profesor Mazreku thotë se mos fuqizimi i institucioneve të pavarura në fushën e rendit dhe ligjit, ndërlidhet me mungesën e vullnetit politik për një fuqizim të tillë, si dhe me mungesën e reformave, të cilat përmendi më parë.

“Kjo vjen si rezultat i mungesës së reformës së administratës publike. Dihet mirëfilli se një shtet, për të ekzistuar si shtet stabil dhe funksional, duhet që institucionet apo agjencitë e pavarura të shtetit, të jenë të pavarura nga politika ditore, përkatësisht, nga interesi partiak, klanor apo politik", shprehet ai.

Ndryshe, njohës të integrimeve evropiane, vlerësojnë se Raporti i progresit i ri i Komisionit Evropian, i cili pritet të publikohet ditët në vijim, pritet të përsëris vërejtjet për fushat e ngjashme, sikurse edhe vitin e kaluar, për të cilat institucionet e Kosovës ishin zotuar se do t’i reformonin.

XS
SM
MD
LG