Ndërlidhjet

Shqiptarët e Luginës kërkojnë zbatimin e plotë të të drejtave të tyre


Në tri komunat e banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, që ndryshe njihet edhe si Lugina e Presheves, shqiptarët vazhdojnë të përballen me probleme të ndryshime si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik dhe të sigurisë.

Përfaqësuesit e shqiptareve thonë se problemet më të mëdha janë në mospërfshirjen e shqiptareve në organet shtetërore dhe moszhvillimi ekonomik.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Serbisë, nuk ka vullnet të mirë politik që të ndryshojë gjendjen e shqiptareve në luginë dhe nuk sjell investitorë në rajonin ky jetojnë shqiptarët.

“Edhe pse nga ndërkombëtaret thuhet se ka një qeveri pro-demokratike në Beograd, por për fat të keq ndaj shqiptarëve nuk janë aspak demokratik. Ne i kemi të njëjtat probleme që i kemi pas edhe me herët me përjashtim të disa ndryshimeve në zhvillimin e infrastrukturës, për fat të keq shumë pak është bërë në inkuadrimin e shqiptareve në organet shtetërore”, tha Arifi

Ai tha se e gjithçka çka është e mundur të bëhet nga pushteti lokal për përmasimin e jetës se qytetarëve në komunën e Bujanocit është duke u bërë, por sipas Arifi problemi qëndron te vullneti jo i mirë i Qeverisë së Serbisë.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, ka përmendur faktin që shqiptarët e luginës, kanë problem edhe në aspektin edukimit.

Ne ketë drejtim ai ka ftuar autoritetet e Kosovës dhe Shqipëri që të punojnë në këtë rrafsh në mënyrë që të dilet nga kjo gjendje.

“Normal që kemi problem edhe në arsim, sepse dhe diplomat e Universiteti të Kosovës, studentet të cilët përfundojnë fakultete në Prishtinë, edhe pse ekziston marrëveshja e Brukselit mes dy kryeministrave nga viti i kaluar, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka shpallur atë vendim jokushtetues dhe kemi probleme sa i përket nostrifikimit diplomave. Po ashtu probleme kemi edhe me studentët që kryejnë studimet në Maqedoni dhe Shqipëri dhe pengohen që të japin kontributin e tyre ne zhvillimin ekonomik”, u shpreh Arifi.

Edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Galip Beqiri, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e shqiptareve në Luginë të Preshevës nuk është e mirë.

Ai thotë largimi i shqiptarëve, papunësia dhe moszhvillimi ekonomik, janë vetëm disa nga problemet aktuale të shqiptareve.

“Është një numër i madh i të rinjve që ikin në botën perëndimore, duke e parë se nuk ka mundësi të zhvillimit ekonomik apo punësimit. Kjo na bën që të angazhohemi më tepër që të krijojmë vende pune, kushte për zhvillim ekonomik".

"Për shembull numri i nxënësve ka rënë, brenda 10 viteve për 3 mijë nxënës. Kemi pas 13,500 tash janë 11 mijë nxënës përafërsisht. Një numër i madh i studenteve studiojnë në Prishtinë, Tiranë e në Tetovë, shumë nga ta nëse gjejnë një vend pune atje nuk kthehen. Kështu që situata nuk është më mirë se sa ka qenë edhe para shumë viteve”, Beqiri.

Beqiri thekson po ashtu se shqiptarët në Luginë nuk trajtohen njësoj si qytetarët tjerë të cilët jetojnë në Serbi.

Sipas tij, janë dhënë premtime si nga faktori ndërkombëtar dhe qeverisja e re ne Beograd, që shqiptarët do t’i gëzojnë të drejtat e tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

“Nuk ka ndonjë ndryshim nga qeveritë e kaluara, kurse faktori ndërkombëtar premton gjithnjë se do ta ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve qeveria e Vuciqit. Edhe pse ne kemi dy deputetët në parlamentin republikan –zëri i deputetëve tanë kurrsesi nuk kalon që të bëjë ndonjë amendament apo ndonjë problem që të zgjidhet nga qeveria për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Beqiri.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdimisht kanë kërkuar që të kenë trajtim dinjitoz nga ana e shtetit të Serbisë dhe reciprocitet në sigurimin e të drejtave si pakicë, ngjashëm me të drejtat që u sigurohen serbëve në Kosovë, e sidomos në veri të vendit.

XS
SM
MD
LG