Ndërlidhjet

Gratë në Irak përdhunohen dhe shiten për 150 dollarë


Ilustrim
Ilustrim

Anëtarja e vetme Yazidi (grup etnik) e Parlamenti irakian thotë se situata e të drejtave të njeriut në vendin e saj është duke u përkeqësuar. Vian Dakhil thotë se militantët e Shtetit Islamik rrëmbejnë, përdhunojnë dhe shesin gra Yazidi.

“Ato janë ende pa strehë, flejnë në rrugë. Situata nuk është e mirë dhe dimri është afruar”, thotë Dakhil.

Dakhil ka qenë fituese e Çmimit Anna Politkovskaya për vitin 2014. Ajo tani ështrë duke u shëruar nga plagët që ka pësuar nga rrëzimi i helikopterit më 12 gusht në malin Sinjar, në veri të Irakut. Thotë se militantët kanë detyruar gratë e krishtera të largohen nga shtëpitë, porse gratë Yazidi kanë fat edhe më të keq.

“Vetëm gratë Yazidi rrëmbehen. Nuk e dimë pse pikërisht gratë Yazidi janë në shënjestër”, thotë Dakhil.

Sipas saj, nga më shumë se 500,000 banorë Yazidi në Irak, rreth 25,000 vajza janë rrëmbyer nga Shteti Islamik.

“Ne nuk e dimë saktësisht se ku janë të gjitha ato, por disa mbahen në burgje të ndryshme këtu në Irak dhe disa janë dërguar në Siri. Ato përdhunohen dhe shiten – 150 dollarë për një vajzë”, tregon Dakhil, duke bërë thirrje edhe për ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

“I bëj thirrje secilës qeveri, jo vetëm tonës, që të ndërmarrin masa për t’i shpëtuar këta njerëz, sepse situata është vërtet e keqe. Ajo çfarë ndodh këtu nuk mund të zgjidhet vetëm nga Qeveria e Irakut. Jam e sigurt”, thotë Dakhil.

Ajo ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare në muajin gusht, ku ka folur në vaj para Parlamentit irakian për banorët Yazidi të bllokuar në malin Sinjar, i cili ka qenë i rrethuar nga militantët e Shtetit Islamik. Ajo e ka përshkruar gjendjen atje si gjenocid.

Familja ime po theret, irakianët po vriten… edhe sot banorët Yazidi janë duke u therur. Vëllezër, larg nga të gjitha mosmarrëveshjet politike, ne duam solidaritet humanitar. Flas këtu në emër të njerëzimit. Na shpëtoni”, u ka thënë ajo deputetëve më 5 gusht.

Kryetari i parlamentit i ka ndërpretë fjalimin, ndërsa të tjerët kanë heshtur.

Ky fjalim ka tërhequr edhe vëmendjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili i është referuar deputetes Dakhil, kur ka njoftuar për sulmet ajrore të SHBA-së kundër Shtetit Islamik në Irak, më 7 gusht.

“Këtë javë, një irakiane ka qarë para botës, se askush nuk iu ndihmon. E pra sot, Amerika po vjen për të ndihmuar”, ka thënë Obama.(v.tela)

XS
SM
MD
LG