Ndërlidhjet

Ngërçi politik vonon integrimet evropiane


Ngërçi politik, që po e pengon formimin e tërësishëm të institucioneve të vendit, do ta ketë çmimin, me të cilën Kosova do të përballet në procesin e integrimeve evropiane, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe ata të integrimeve evropiane.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, pas dorëzimit të Raportit të progresit të Komisionit Evropian tek autoritetet e Kosovës, ka theksuar se për shkak të ngërçit politik, “katër muaj pas zgjedhjeve të suksesshme, vendi është në rrugë pa krye” dhe se ”Kosova tashmë po ndjen pasojat e vonesës në formimin e institucioneve”.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe ato pak arritje të Kosovës, të cilat janë identifikuar në Raportin e progresit, kanë mbetur nën hijen e ngërçit politik, për pasojat e të cilit zyrtarët evropianë kanë tërhequr vërejtjen.

“Po qe se Kosova do të kishte arritur t’i krijonte institucionet e veta, ky Raport i progresit jo që do të kishte ndonjë përgjegjësi të madhe në kuptimin e asaj, por veçanërisht do ta vlerësonte me tone shumë të larta konstruktivitetin e Kosovës në agjendën evropiane, si dhe veçanërisht për atë që ka të bëjë me bashkëpunimin rajonal, e pastaj edhe arritjen e MSA-së. Por, në njëfarë mënyre, këto bien nën hijen e asaj çka është duke ndodhur në Kosovë, e që ndryshe po identifikohet si ngërç politik”, thotë Ujkani.

Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilat janë dhënë në ditën e dorëzimit të Raportit të progresit për Kosovën, por edhe vetë përmbajtja e raportit, janë sinjali më i qartë për liderët dhe për partitë politike, për çmimin e lartë që do t’i kushtojë Kosovës kjo krizë politike.

“E para ka të bëjë me vonesën e qëllimshme që vetë BE-ja do t’ia bëjë procesit të liberalizimit të vizave, për shkak të mundësisë që institucionet e Kosovës së pari të raportojnë mbi reformat dhe punën që ata kanë bërë. Së dyti, do të mund të vonojë procesi i nënshkrimit për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, duke marrë parasysh faktin që vendet e BE-së tashmë merren me Kosovën, jo në kuptimin e ofrimit të saj liberalizimit të vizave ose MSA-së, por merren me të, si një rast ku ekziston një krizë politike”, thekson Doli.

Në këtë kontekst, Doli shtron se BE-ja do të reflektojë në mënyrën që qëllimi parësor për Kosovën do të duhej të ishte zgjidhja e krizës politike dhe jo marrja e liberalizmit të vizave, apo ofrimi i plotë i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Profesor Ujkani vlerëson se moskrijimi i deritashëm i institucioneve, për shkak të ngërçit politik, do të lërë gjurmë jo të mira dhe afatgjate në aspektin e agjendës evropiane.

“Ndoshta do të jenë gjurmë më afatgjate. Po e marr vetëm një detaj. Raporti i progresit e vlerëson ose e nënvizon faktin që Kosova ka bërë një përparim të madh në atë që është procesi i liberalizimit të vizave. Në njëfarë mënyre ka arritur gjysmën e rrugës. Tash, po të kishim pasur institucionet e themeluara nga qershori e këndej, vërtet Kosova do të kishte mundur t’i adresoj edhe shumë gjëra që do ta përshpejtonin këtë proces”, vlerëson Ujkani.

Edhe Doli konsideron se kostoja e ngërçit politik, do të jetë në kuptimin e nevojës për adresim të një numri të madh sfidash, të cilat janë grumbulluar për vendin, në këtë periudhë pa një qeveri efektive. Gjithashtu, sipas tij, kosto do të jetë edhe për imazhin, të cilin Kosova është duke e ndërtuar si një demokraci jostabile dhe jofunksionale.

“Besoj që partitë politike dhe liderët politikë duhet të jenë shumë të vetëdijshëm që këto kosto nuk janë të tilla që mund të shlyhen shumë lehtë dhe imazhi i Kosovës nuk është një gjë që mund të përmirësohet në një ditë. Kosova e ka të nevojshme që të tregojë një stabilitet të fuqishëm institucional, prandaj, liderët dhe partitë politike duhet të tregojnë një pjekuri të jashtëzakonshme politike në mënyrë që imazhi jo i mirë i Kosovës brenda BE-së të mund të ndryshojë”, pohon Doli.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane, vlerësojnë se të gjitha proceset që Bashkimi Evropian i planifikon në raport me Kosovën, si dhe marrëveshjet edhe me vendet e rajonit, do të shtyhen për shkak të mungesës së një grupi institucionesh, që duhet të funksionalizohen pas krijimit të institucioneve të larta të vendit, të cilat do t’i merrnin përgjegjësitë e plota juridike dhe politike ndaj Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG