Ndërlidhjet

Kosova rrezikohet nga kriza buxhetore


Ilustrim
Ilustrim

Kosova rrezikohet nga kriza buxhetore, nëse nuk tejkalohet situata e krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të tetë qershorit, vlerësojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit, sipas të cilëve si pasojë e kësaj, ka pasur edhe rënie të Bruto Produktit Vendor.

Lidhur me rrezikun eventual buxhetor, të hënën edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ua ka bërë me dije “liderëve të partive politike parlamentare, rrezikun nga kriza jo vetëm institucionale dhe politike, por mbi të gjitha, nga kriza buxhetore dhe financiare.

Paralajmërimet e presidentes për krizë eventuale buxhetore dhe financiare janë reale, thonë edhe zyrtarë të Ministrisë së Financave.

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit në largim të Financave, Besim Beqaj, pohon se problemet kanë filluar të ndihen nga korriku i këtij viti, mirëpo ato do të shfaqen më shumë, nëse vazhdon bllokada institucionale.

“Aktualisht, nuk kemi probleme me financimin e funksioneve themelore të vendit, pasi janë të siguruara mjetet financiare për paga pensione dhe realizimin e projekteve të filluara konform dispozitave ligjore në fuqi. Mirëpo, vazhdimi i mëtejmë i kësaj bllokade do të përkeqësonte gjendjen pasi që mosaprovimi i Ligjit mbi buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 do të ishte një situatë shumë e keqe për vendin”, deklaron Baxhaku për Radion Evropa e Lirë.

Në mungesë eventuale të buxhetit të miratuar, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajit e parë, shpenzimet buxhetore mund të realizohen me 1/12 e buxhetit paraprak.

Probleme më të theksuara mund të paraqiten në muajin mars të vitit të ardhshëm, nëse deri në atë periudhë nuk miratohet buxheti i vitit.

Por, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë, thotë se për shkak të ngërçit politik, viti 2014 ka qenë i dështuar në aspektin ekonomik dhe kjo mund të ndikojë edhe në vitin e ardhshëm. Si pasojë e kësaj Gërxhaliu thotë se do të ketë edhe rënie të nivelit të bruto-produktit vendor, nga afër 7 miliardë dollarë sa ka qenë më 2013.

“Jemi dëshmitarë të asaj që shumë agjenci të rëndësishme dhe bordet e tyre janë të pakompletuara dhe kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti se jemi në fund të vitit dhe duhet të bëhet planifikim buxhetor për vitin 2015, lirisht mund të thuhet që viti 2014 ka qenë vit i dështuar ekonomikisht. Por, brenga më e madhe e komunitetit të biznesit në Kosovë, është që si duket këto pasoja do të reflektojnë dhe do të barten edhe në vitin 2015”, thotë Gërxhaliu.

Ai thekson se kolapsi ekonomik mund të shkatërrojë çdo proces pozitiv të ndërtuar gjatë 14 vjetëve të fundit. Madje, sipas Gërxhaliut, në mungesë të rishikimit të buxhetit të këtij viti, nga muaji shkurt edhe punëtorët mund të mbesin pa paga.

“Nëse, nuk do të ketë rishikim dhe planifikim buxhetor, atëherë maksimumi i që mund të paguhen pagat për shërbyesit civil do të jetë deri në shkurt të vitit 2015 dhe vërtet më vonë do të jetë shumë e vështirë edhe përmes një ligji për situata të jashtëzakonshme, po një gjë e tillë nuk i bën nder Kosovës, nuk i bën nder imazhit të saj dhe duhet vërtet të mendohet më shumë për Kosovën".

"Nëse mendohet të shkohet edhe një herë në zgjedhje dhe duke pasur parasysh faktin e kostos së zgjedhjeve, atëherë paramendojeni se cilat do të jenë pasojat edhe më negative në të ardhmen”, shton Gërxhaliu.

Ndryshe, në bazë të procedurave ligjore fundi i tetorit është koha kur Qeveria duhet të miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal, kurse deri në fund të dhjetorit duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në profilin e tij në facebook, ka thënë se janë në fazën finale të përpilimit të Buxhetit të 2015, i cili, sipas tij, është i vetmi në rajon që vazhdon të rritet në bazë të zhvillimit të ndjeshëm ekonomik të Kosovë.

Buxheti është i bazuar në rritjen ekonomike prej 4.6 për qind dhe me vlerë totale prej 1 miliard e 670 milionë eurosh, ka shkruar mes tjerash Thaçi.

XS
SM
MD
LG