Ndërlidhjet

Maqedoni: Kushtetuesja dështon t'i mbrojë të drejtat e qytetarëve


Ilustrim
Ilustrim

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë nga viti 1992 vetëm në një rast ka verifikuar shkeljen e të drejtave të njeriut, ndërkohë që gjatë 22 vjetëve të fundit janë parashtruar mbi 250 parashtresa.

Gjykatësi Bojan Mariqiq duke prezantuar të dhënat e hulumtimit “ Të drejtat themelore – të vendosura në korniza evropiane”, të realizuar nga Qendra Maqedonase për Arsim Evropian, thekson se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë shumë pak shfrytëzohet si instrument për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por edhe në ato raste kur është shfrytëzuar, ka rezultuar si pak efikase.

“Në Maqedoni evidente janë shumë dobësi në kuadër të sistemit gjyqësor, sa i përket realizimit të të drejtave të njeriut. Por, si më të rëndësishme do të fokusoja edukimin e pamjaftueshëm të gjykatësve, si dhe nevojën për riedukimin e kuadrit i cili është i përfshirë në sistemin gjyqësor sa i përket praktikimit të konventave evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut".

"Edhe pse më duhet të theksoj se janë shënuar hapa pozitivë gjatë dy vjetëve të fundit në këtë drejtim, megjithatë nevojitet kohë që hapat pozitivë të jenë të dukshëm edhe në praktikë”, thotë Mariqiq.

Nga ana tjetër, Bajram Pollozhani, ish-gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë, konsideron se Ankesa Kushtetuese, e cila parashihet me ndryshimet e fundit të Kushtetutës së Maqedonisë, paraqet një instrument shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Megjithatë, sipas Pollozhanit, në këtë formë siç propozohet nga Qeveria e Maqedonisë, nuk do të arrijë të ketë efekt me të drejtat e parapara me ligj.

“Nuk është menduar mirë mënyra e futjes së këtij instrumenti në Kushtetutë, ngase ndryshohet pozita e Gjykatës Kushtetuese. Me këtë propozim, Gjykata Supreme në Republikën e Maqedonisë nuk është më gjykata më e lartë në shtet, ngase mbi këtë bazë kur shteren mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike, pala ka në dorë edhe një mekanizëm juridik për të kërkuar realizimin e një të drejte, Ankesën Kushtetuese”.

“Në fakt, pas këtij mekanizmi juridik fshihet ideja që qytetarët mos të shkojnë të ankohen në Gjykatën e Strasburgut, që palët të jenë të obliguara që paraprakisht ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm, dhe njëkohësisht të lodhen si pasojë e afateve shumë të gjata gjatë marrjes së vendimeve“, vlerëson Pollozhani.

Por, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë thotë se qytetarët jo vetëm se nuk marrin iniciativë për të parashtuar ankesë në gjykata sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, por në masë të konsiderueshme ata nuk janë në dijeni me këto të drejta.

“Jo çdo qytetar i di të drejtat e tij. Nuk mund të presim që niveli i edukimit juridik të çdo qytetari në Maqedoni, në lëmin e ë drejtave, të jetë në nivel aq të lartë. Dhe, e dyta, do të fokusoja se procesi i ankimimit, apo ngritjes së padisë, është mjaft i kushtueshëm dhe shumica e qytetarëve nuk mund t`ia lejojnë vetes mundësinë që të ngrenë padi edhe kur vlerësojnë se janë shkelur të drejtat e tyre”, thekson Musliu.

Ai shton se nevojitet një qasje më aktive e sektorit civil dhe institucioneve arsimore për promovimin e të drejtave të njeriut që nga moshat më të reja.

Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë, siç thekson gjykatësi Bojan Mariqiq kanë fokusuar shumë raste, në bazë të së cilave vlerësojnë se janë shkelur në mënyrë eklatante të drejtat e njeriut, përfshirë këtu arrestimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski, demolimin e zyrave të LGBT-së, në Çarshi të Shkupit, pjesërisht formën e mbylljes së Televizionit kombëtarë A1 dhe arrestimin e drejtuesve të këtij mediumi, e gjithashtu edhe raste të tjera.

XS
SM
MD
LG