Ndërlidhjet

Raka: Liberia - 4 milionë banorë dhe vetëm 28 mjekë


Lul Raka, mikrobiolog
Lul Raka, mikrobiolog

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përzgjedhur si konsulent për parandalimin dhe kontrollin e Ebolës në nivelin nacional në Liberi, profesor Lul Rakën, mikrobiolog nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në mënyrë që Kosova t’u bashkohet angazhimeve globale kundër virusit Ebola.

Radio Evropa e Lirë ka bërë një bisedë me profesor Rakën, i cili sapo është kthyer nga Liberia, pas qëndrimit të tij prej pesë javësh atje.

Gjatë qëndrimit në Liberi, unë kam qenë konsulent i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve dhe kam qëndruara pesë javë atje. Jam marrë me trajnimin e stafit, kam qëndruar nëpër qendrat e trajtimit të pacientëve të prekur me Ebola, si dhe nëpër të gjitha institucionet shëndetësore ku ka pasur raste të infeksionit në mesin e punëtorëve shëndetësorë, sepse gjatë kësaj epidemie në Liberi ka pasur gati 200 punëtorë shëndetësorë të prekur me Ebola, 97 prej të cilëve kanë vdekur. Pjesa më e madhe tyre kanë qenë infermierë”.

Një fakt shumë me rëndësi të cilin e ka hasur profesor Raka gjatë qëndrimit në Liberi, në përpjekje për luftimin e përhapjes së mëtutjeshme të virusit Ebola, është mungesa e stafit mjekësor.

Një popullatë prej 4 milionë banorësh, ka treguar Raka, numëron vetëm 28 mjekë, prandaj edhe menaxhimi i situatës shëndetësore del të jetë i papërballueshëm, sidomos në raste emergjente si kjo me virusin Ebola.

“Liberia, me 4 milionë banorë i ka vetëm 28 mjekë. Prandaj, ndihma nga jashtë ka qenë më se e domosdoshme. Kjo epidemi e Ebolës ka qenë e 25- ta me radhë. Karakteristikë e saj është se në numrin e rasteve ajo ka qenë më e madhe se të gjitha 24 epidemitë së bashku që nga viti 1976”.

“Element tjetër karakteristik ka qenë se për herë të parë i ka prekur tri shtete, sepse gjitha epidemitë e mëhershme kanë qenë të shtrira në zona rurale në ndonjë shtet, dhe e keqja më e madhe është se ajo tashmë ka përfshirë edhe kryeqytetet, e që në këtë rast kontrolli dhe parandalimi është shumë më i vështirë”, ka treguar ai.

Profesor Raka gjithashtu ka potencuar faktin se për shkak panikut të madh nga virusi vdekjeprurës, Ebola, pothuajse të gjitha spitalet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mbyllura.

“Sa i përket përballjes me Ebolën, një element për mua që ka qenë paradoksal , është se pjesa më e madhe e spitaleve, ku edhe kanë qenë numri më i madh i rasteve në Liberi, kanë qenë të mbyllura dhe ende, një pjesë e madhe prej tyre vazhdon të jetë e mbyllur, për shkak të frikës që të punojnë me pacientët në nevojë”.

“Në mungesë të kapacitetit të shtretërve, pacientët me raste të reja të sëmundjes qëndrojnë në shtëpi dhe nuk shkojnë në spital. Familjarët përkujdesen për ta, por infeksioni bartet tek anëtarët e tjerë të familjes. Mendoj se kjo është sfida më e madhe në Liberi, se si të kontrollohet dhe menaxhohet epidemia në komunitet”, ka theksuar Raka.

Përvoja në Liberi dhe krahasimi me shëndetësinë në Kosovë

I sapokthyeri nga Liberia, Lul Raka, ka bërë një krahasim ndërmjet shtetit ku ka ndihmuar dhe ka shërbyer si konsulent , Liberisë dhe Kosovës, ku për këtë të fundit ka thënë se në rast të shfaqjes së virusit Ebola, profesionistët shëndetësorë do të jenë në gjendje pa problem ta menaxhojnë sëmundjen.

“Sa i përket krahasimit mes Kosovës dhe Liberisë, një element fillestar që është shumë i rëndësishëm në fillim të sëmundjes, kur edhe janë shanset më të mira për ta kontrolluar dhe parandaluar, Qeveria e Liberisë e ka mohuar ekzistimin e Ebolës. Po ashtu, një pjesë e popullatës ende e mohon ekzistimin e virusit duke thënë se nuk ka Ebolë në Liberi, dhe është humbur një pjesë e madhe e vlefshme e kohës për parandalim dhe kontroll”.

“Kosova, me sistemin shëndetësor që e ka, me shumë sfida dhe probleme, për Liberinë është shumë larg, është Amerikë. Kapacitetet e Shëndetit Publik për ta adresuar drejtpërdrejt sëmundjen në Kosovë, janë të pakrahasueshme me Liberinë. Nuk ka gjasa që këtu të mbyllen spitalet për shkak të frikës së punëtorëve shëndetësorë, edhe në qoftë se shfaqen rastet e para, sepse Kosova nuk është e izoluar nga bota”.

“Pacientët kanë ku të shkojnë, është Klinika infektive, ku ka përvojë më shumë se 30-vjeçare të përballjes me pacientë me ethe hemorragjike, sepse Ebola është një lloj i etheve hemorragjike. Përvoja e Klinikës infektive në Prishtinë është e jashtëzakonshme dhe asnjë klinikë në rajon nuk mund të krahasohet me Klinikën infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, ka deklaruar Raka në bisedën për Radion Evropa e Lirë.

Sëmundjen me virusin Ebola e përhap vetëm personi që ka simptoma dhe shenja klinike të sëmundjes. Por, edhe nëse është në fazën e inkubacionit, por s’ka shenja, personi nuk e përhap sëmundjen.

XS
SM
MD
LG