Ndërlidhjet

Poroshenko: Zona neutrale - së shpejti


Presidenti Petro Poroshenko shihet në një ekran tableti gjatë konferencës me gazetarë në Milano.
Presidenti Petro Poroshenko shihet në një ekran tableti gjatë konferencës me gazetarë në Milano.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se Parlamenti do ta miratojë vendimin për kufijtë e saktë të zonës neutrale, ndërmjet separatistëve pro-rusë dhe forcave të sigurisë së Ukrainës, në pjesën lindore të këtij vendi.

Shpresohet se zona neutrale 15 kilometërshe nga të dy palët, prej nga do të tërhiqet e gjithë artileria dhe armatimet e tjera të rënda, do të kontribuojë në ndaljen e luftimeve të vazhdueshme nga të cilat ka edhe të vrarë.

Poroshenko tha se zona neutrale është pjesë e Marrëveshjes së Minskut, që është nënshkruar në fillim të muajit shtator për t’i ndalur luftimet.

“Element kryesor i tërë kësaj është armëpushimi dhe ne jemi pajtuar për hapat konkretë për ta kryer një monitorim, menaxhim dhe verifikim efektiv të armëpushimit, me pjesëmarrjen e OSBE-së. Ne jemi pajtuar për një numër në rritje të aeroplanëve pa ekuipazh, përfshirë edhe ata nga Gjermania dhe Franca, në shkallën e parë dhe nga shtetet e tjera, në shkallën e dytë, nën ombrellën e OSBE-së”, tha Petro Poroshenko, duke folur para gazetarëve, pas takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të premten në Milano të Italisë.

Më tutje, presidenti i Ukrainës shfaqi shpresën se do të hapen disa vendkalime kufitare ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

“Ne jemi pajtuar për progres të caktuar në kufi dhe unë shpresoj se ne do t’i vendosim monitoruesit nga OSBE-ja dhe ne do t’i hapim disa vendkalime në kufirin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës”, theksoi Petro Poroshenko.

Sipas tij, situata në Donbas, në pjesën lindore të Ukrainës, nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake.

“Është e pamundshme që çështja e paqes në Donbas të zgjidhet me mjete ushtarake. Ne duhet ta fitojmë besimin e atij populli. Besimi do të fitohet kur ne të tregojmë se ne do të japim dhe po japim rast për ripërtëritjen e jetës normale, siç është vepruar tashmë në territoret e tjera, që janë çliruar nga okupimi”, deklaroi Petro Poroshenko.

Me armëpushim ka përfunduar pjesa më e madhe e luftimeve ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë, megjithëqë përleshjet në aeroportin e Donjeckut dhe në fshatrat përreth qytetit Luhansk, vazhdojnë pothuajse për çdo ditë.

Ushtria e Ukrainës tha se dy ushtarë të saj janë vrarë së fundit nga luftimet e tilla.

Kombet e Bashkuara thanë se më se 3,700 vetë janë vrarë në luftën 6 mujore në pjesën lindore të Ukrainës, ndërsa qindra mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Presidenti i Ukrainës foli edhe për çështjen e zgjedhjeve në të ashtuquajturën Republikë Popullore të Donjeckut, në pjesën lindore të Ukrainës.

“Të ashtuquajturat zgjedhjet e rrejshme më 2 nëntor ose në ndonjë datë tjetër, nëse ato nuk mbahen në harmoni me ligjin e Ukrainës, nëse ato nuk mbahen sipas regjimit të armëpushimit, nëse ato mbahen pa vëzhgues ndërkombëtarë, përfshirë ata nga OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe anëtarët e konsultimeve në Milano, atëherë ato nuk mund dhe nuk do të pranohen nga asnjë anëtar i konsultimeve”, tha Poroshenko, gjatë një interviste në Televizionin e Ukrainës.

Nga ana tjetër, Aleksandar Zakharchenko, lideri i vetëshpallur në Donjeck, gjatë një takimi me votuesit lokalë, tha:

“Tash republika ka hyrë në një nivel të ri. Ne tashmë i kemi krijuar ministrinë e financave dhe atë të tatimeve. Prej tash ne do t’i mbledhim fondet dhe do t’i shfrytëzojmë ato varësisht nga nevojat dhe domosdoshmëria për çështje të ndryshme”.

Çështje tjetër aktuale për Ukrainën është edhe furnizimi me gaz natyror nga Rusia.

Petro Poroshenko tha se ka mbetur që të dy vendet vetëm të pajtohen për çmimin e gazit me rastin e furnizimit të mëtejshëm, ndërsa ka theksuar se të dy palët kanë arritur pajtueshmëri që Ukraina të paguaj 385 dollarë amerikanë për 1000 metra kub gaz, për sasinë që është dërguar prej 31 marsit të këtij viti. Ukraina kishte kërkuar çmim më të ulët për 60 dollarë, por Rusia ka insistuar në çmimin 385 dollarë amerikanë.

Pritet që më 21 tetor në Bruksel, zyrtarët nga Rusia, Ukraina dhe ata të Bashkimit Evropian, do të diskutojnë për çështjen e çmimit të gazit. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG