Ndërlidhjet

Sërish rrugëdalje përmes kushtetueses


Ilustrim(©Shutterstock)
Ilustrim(©Shutterstock)

Në mungesë të zgjidhjes politike, partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës sërish janë kthyer kah Gjykata Kushtetuese në kërkim të daljes nga ngërçi i krijuar rreth formimit të institucioneve të reja.

Grupet parlamentare nga radhët e minoriteteve, kërkojnë nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime rreth nenin 127 të aktgjykimit të shpallur rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Në atë nen, Kushtetuesja kërkon që deputetët të gjejnë zgjidhje kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Ky përkufizim, është kuptuar edhe nga partitë e mbledhur në koalicionin pas zgjedhor, në përbërje të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si mundësi për të propozuar kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit, krahas Partisë Demokratike të Kosovës, si parti fituese e zgjedhjeve.

Nisur nga këto dilema, deputetja boshnjake Duda Balje thotë se ka nevojë për sqarime nga Kushtetuesja, në mënyrë që vendi të mos shkoj në zgjedhje të reja.

“Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese të shpjegoj pikën 127 se si mund të gjejmë zgjidhje për këto situata. Ne jemi kundër zgjedhjeve, Kosova është në një situatë shumë te keqe dhe duhet të bëjmë diçka që të ecim përpara”, ka thënë Balje.

Me kërkesën e deputetëve nga minoritetet nuk është pajtuar deputeti serb, Nenad Rashiq, i vetmi nga ky komunitetet që nuk i takon Iniciativës Qytetare - Lista Serbe. Sipas tij, sqarimet për nenin 127 janë të nevojshme, por si rrugëdalje nuk duhet përjashtuar zgjedhjet e reja.

“Ne jemi pro zgjedhjeve të reja, sepse besojmë se përfaqësimi i komunitetit serb në Kuvend nuk është adekuat. Unë jam që të sqarohet neni 127 por nga ana tjetër e di se kemi mund ta përgatisim më mirë lëndën”, ka theksuar Rashiq.

Ndërsa nga aspekti kushtetues ende po kërkohen sqarime rreth mënyrës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, politikisht gjërat mbeten aty ku ishin edhe më 1o qershor kur blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje kishin marrë qëndrim që të bojkotonin çdo partneritet me PDK-në dhe liderin e saj Hashim Thaçi.

I nominuari i këtij blloku për postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe sot se asnjë zgjidhje nuk do të arrihet në bashkëpunim me PDK-në. Ai e ka përjashtuar mundësinë që faktori ndërkombëtar po bën presion që partitë politike të bashkëpunojnë me PDK-në në kërkim ët zgjidhjes për formimin e institucioneve.

“Askush që ka mend, nëpër kryeqendra, nuk na detyron ne të qeverisim me atë që e ka sjellë vendin në këtë gjendje, të cilën e shpjegon edhe raporti i progresit. Vetëm ata që janë të korruptuar ose që kanë interesa të caktuara mund t’ju shkoj mendja kështu, por të gjithë zyrtarët ndërkombëtar të qeverive që e duan Kosovën nuk vijnë të na thonë qeverisni me të (PDK-në)”, ka deklaruar Haradinaj.

Kriza rreth formimit të institucioneve mbetet e lidhur me postin e kryetarit të Kuvendit. PDK si fituese e zgjedhje dhe blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje pretendojnë të njëjtin post.

Përderisa PDK nuk po gjen mbështetje në Kuvend për kandidatin e saj, blloku pas zgjedhor nuk ka hapësirë kushtetuese që të propozoj për këtë post.

Andaj, partitë politike po shpresojnë që këto dilema t’ua zgjidh Gjykata Kushtetuese, e cila tashmë ka marrë një vendim me të cilin që shpallur jo kushtetuese zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit, ngase nuk ishte propozuar nga grupi më i madh parlamentar, kështu që nuk dihet nëse Kushtetuesja do të lëshohet në interpretime tjera.

XS
SM
MD
LG