Ndërlidhjet

Isufi: S'ka rishqyrtim të marrëveshjes


Ahmet Isufi
Ahmet Isufi

Është momenti i fundit që presidentja të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që të sqarohet pika 127 e aktgjykimit të kësaj gjykate, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Isufi ka theksuar po ashtu se nuk do të ketë rishqyrtim të marrëveshjes me LDK-në dhe se nuk ka luhatje brenda koalicionit VLAN.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Isufi, komunitetet pakicë kanë iniciuar sqarime shtesë rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Konsideroni se në këtë mënyrë mund të gjendet një interpretim që do të qoj kah zgjidhja e ngërçit politik?

Ahmet Isufi: Dërgimi i një kërkese nga ana e minoriteteve - presidentes, është shenja se duhet të gjendet zgjidhja, e cila është dashur të ndodh edhe më herët, në kuptimin e marrjes së përgjegjësisë nga ana e presidentes. Kjo për arsye se grupi më i madh parlamentar që ekziston në Parlamentin e Kosovës, duke përbërë 63 deputetë shqiptarë, dhe po ashtu edhe 20 të tjerë, minoritete, kanë formuar një përbërje e cila garanton funksionimin normal të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe themelimin e qeverisë.

Mosmarrja deri tani e presidentes, në mënyrë më të prerë dhe më të angazhuar, tregon për gjendjen në Kosovë, sepse nuk do askush të marrë përgjegjësinë e mjaftueshme që i takon, dhe në këtë rast heshtja e deritashme dhe angazhimi i saj vetëm së fundmi, tregon që njerëzit që po marrin përgjegjësi nuk po e tregojnë atë.

Në të njëjtën kohë konsideroj që është momenti i fundit që presidentja të kërkojë që të sqarohet pika 127, e cila lë hapësirë për t'u interpretuar dhe për të pasur një vendim që shumica në parlament të marrin vendimin, dhe kjo duhet t'u lejohet meqë në rastin e parë i është lënë mundësia partisë e cila ka dalë me më shumë vota në zgjedhje. Por në momentin kur themelohet parlamenti, jepet betimi nga ana e deputetëve dhe fillon procedura e konstituimit të organeve të kuvendit, atëherë parlamentarët, si përfaqësues të popullit, e kanë fuqinë ekzekutive në parlament.

Radio Evropa e Lirë
Mund të duket hipotetike, por në rast se Kushtetuesja sërish i jep të drejtën vetëm PDK-së të propozojë kryetarin e Kuvendit, a do të ketë si efekt rishqyrtimin e marrëveshjes suaj me LDK-në, sidomos rreth postit të kryeministrit?

Ahmet Isufi: Kushtetuesja, me vendimin që e ka marrë, ka lënë hapësirë të komentimeve të ndryshme, por qartësimi duhet të bëhet ekzakt, sepse nuk ka të bëjë me çështje politike, por ka ta bëjë me çështje procedurale dhe vepruese kushtetuese. Prandaj, nuk është dashur të lihet hapësirë në asnjë moment që të komentohet në dy mënyra.

Dhe, lënia e hapësirës së tillë mundëson që pika 127 të vërtetohet në Gjykatën Kushtetuese dhe t'i jepet mundësia grupit më të madh parlamentar, në mënyrë që të kemi institucione të cilat veç janë të kërkuara edhe nga ana e qytetarëve të Kosovës.

Është keq sepse po hyjmë në muajin e pestë kur qeveria e cila është inekzistente, sepse me rastin e marrjes së mandatit të deputetit, përfundon mandati i ministrit, i kryeministrit dhe organeve ekzekutive, dhe çdo veprim i marrë, pas ditës kur janë certifikuar rezultatet, nga ana e qeverisë është e dëmshme sepse është anti-ligjore.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Isufi, po e ripërsëris, çka në qoftë se Kushtetuesja sërish i jep të drejtën vetëm Partisë Demokratike të Ksoovës që të propozoj kryetarin e Kuvendit?

Ahmet Isufi: Kushtetuesja, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në ligjet në fuqi, duhet të lejoj që parlamenti, si organi më i lartë i zgjedhur nga ana e qytetarëve, të marrë vendime pas momentet kur deputetët japin betimin.

Prandaj, e drejta është në anën e shumicës në parlament dhe gjithmonë shumica vendos për parlamentin. Ne kemi raste kur grupe parlamentare janë formuar edhe në të kaluarën, në të njëjtën mënyrë. Pse atëherë nuk është reaguar ose pse atëherë nuk ka pasur probleme? Prandaj, dalja kundër shumicës parlamentare është shkelje e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë
A nënkupton kjo që në asnjë formë nuk do të ketë rishqyrtim të marrëveshjes suaj me LDK-në?

Ahmet Isufi: Ekziston një marrëveshje e përbashkët e katër partive politike, të cilat e kanë lidhur një koalicion, që përbën shumicën në Parlamentin e Kosovës. Dhe do të ishte absurde nëse luhet me interesa të tjera, sepse deputetët kanë marrë obligim nga qytetarët, ata e kanë krijuar një grup parlamentar, i cili është shumicë dhe kjo është formula më e mirë që do të duhej të zhvillohej në Parlamentin e Kosovës.

Nuk duhet të lihen hapësira të manipulimeve tjera. Nëse disa parti politike nuk duan të bëjnë koalicion me një parti politike, nuk mund të vihet kushti nga ana e asaj partie, sepse, në fund të fundit, koalicionet lidhen në bazë të interesave politike programore, në bazë të interesave të qytetarëve dhe është demokraci. Prandaj, deputetët vendosin vet se kujt duan t’i takojnë. Koalicioni është i fuqishëm dhe konsideroj se nuk ka luhatje në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë
A do të ishte, megjithatë, AAK pjesë e një qeverie që do të drejtohej eventualisht nga LDK-ja dhe lideri i saj në këtë rast?

Ahmet Isufi: Në parim, është një marrëveshje e përfaqësuesve të koalicionit. Prandaj, çdo lëvizje nga pozicionet e marra në marrëveshje e prish ekuilibrin e këtij koalicioni. Prandaj konsideroj se koalicioni është stabil dhe i qëndrueshëm në këtë drejtim. Janë bërë hapat e duhur dhe duhet vetëm që Kushtetuesja të vërtetoj nenin 127, në mënyrë që të realizohet qëllimi i deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë
Në fund, zoti Isufi, sa i shihni zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje dhe a do të ruani koalicionin e krijuar me partitë partnere edhe në një proces të ardhshëm zgjedhor?

Ahmet Isufi: Është përgjegjësi e madhe e partisë politike, PDK-së në këtë rast, që e ka bllokuar procesin dhe zgjedhjet janë ato elemente të fundit që duhet të vinë në veprim, sepse, pas mbajtjes së zgjedhjeve, për pesë muaj që po hyjmë, janë humbje e kohës, janë humbje e interesave të qytetarëve të Kosovës dhe shkuarje drejt krizës së plotë institucionale në vend.

Prandaj, zgjedhjet janë elementi i fundit që mund të jenë. Megjithatë, ne konsiderojmë që marrëveshja e koalicionit duhet të vlej dhe duhet të formohen sa më shpejt institucionet, në mënyrë që vendi të shkojë me zhvillime të reja përpara.

XS
SM
MD
LG