Ndërlidhjet

Kosovës i hapen dyert për në lojërat olimpike


Bordi ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar e ka pranuar Komitetin Olimpik të Kosovës, anëtar me të drejta të përkohshme, ndërkohë që në dhjetor të këtij viti pritet t’i jepet statusi i anëtarit me të drejta të plota.

Lajmi për këtë, ka ardhur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar te Komiteti Olimpik i Kosovës, dhe kryetari i kësaj të fundit, Besim Hasani e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë.

“Lajmi thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për tu pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, me status të përkohshëm, Ndërsa, statusi do të avancohet në dhjetor ( të këtij viti) kur mbahet sesioni i jashtëzakonshëm i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, sepse është kompetencë ekskluzive e sesionit për ta pranuar një komitet olimpik me kushte të barabarta me të gjitha komitetet olimpike kombëtare të vendeve tjera”, ka theksuar Hasani.

Hasani, tha se kjo nënkupton se në mënyrë automatike u hapen dyert të gjitha federatave tjera të papranuara dhe por edhe sportistëve të Kosovës që të marrin pjesë në gara për fitimin e kuotave që do t’i kualifikonin për pjesëmarrje në lojërat olimpike në vitin 2016 që do të mbahen në Rio de Janeiro, në Brazil.

Ministri në largim i Kulturës Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi thotë për Radios Evropa e Lirë, se pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, është realizmin i ëndërrës së kamotshme të gjeneratave të tëra të sportistëve të Kosovës, të cilët për më shumë se 2 dekada kanë qenë të izoluar, në mënyrën, siç e quan ai, më të padrejtë të mundshme.

“Sot, realisht, është ditë feste, ditë gëzimi, është ditë historike për sportin e Kosovës. Është ditë kur ne duhet t’iu shprehim respekt të gjithë atyre sportistëve, të gjithë atyre punëtorëve sportiv, federatave sportive dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, udhëheqësit të këtij komiteti zotit Besim Hasani, për punën e palodhshme për kaq shumë vite që e kanë bërë, në mënyrë që të arrijmë deri te ky moment, kur, realisht, sportistët tonë bëhen pjesë e barabartë e sportit ndërkombëtarë”, ka thënë ministri në largim Krasniqi.

Ndryshe, prej 8 deri më 10 dhjetor, në Monaco do të mbahet Sesioni i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, ku do të shtrohet edhe çështja e dhënies së statusit të anëtarit të barabartë për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Hasani thekson se praktikat e deritashme, japin për të kuptuar se Kosova do ta marrë atë status..

“Deri më tash, në historikun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, nuk ka ndodhur që një vendim i Bordit ekzekutiv të refuzohet nga Sesioni. Kështu që, po besoj, sepse konsiderohet që Bordi ekzekutiv i analizon gjërat mirë dhe nuk ngutet, si dhe kur merr vendime, ato janë meritore".

"Por, megjithatë, kompetenca e Bordit ekzekutiv është ta pranoj përkohësisht, ndërsa kompetencë e sesionit është që t’ia japë statusin me të drejta të plota. Dallimi i vetëm i faktit që të jesh i pranuar përkohesisht nga ajo me të drejta të plota, është se nuk ke të drejtë të votosh. Përndryshe, të gjitha të drejtat tjera janë të barabarta”, shprehet Hasani.

Në anën tjetër, ministri në largim Krasniqi, thotë se pranimi i Kosovës në Komitetin Ilimpik ndërkombëtarë është jo vetëm e arritur për sportin..

“Është padyshim një e arritur edhe politike, por edhe diplomatike, sepse po flasim për njohje nga instancat dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare jo vetëm në sport, Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë është një organizatë, e cila bartë në vete një kredibilitet dhe një respekt global dhe njohja nga ky institucion është tepër e rëndësishme. Ndoshta njohje më e rëndësishme pas kësaj, mund të jetë vetëm njohja nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, sepse në një formë, OKB-ja e sportit është pikërisht Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë”, shprehet Krasniqi.

Komiteti Olimpik i Kosovës është themeluar në vitin 1992 dhe që atëherë ka bërë përpjekje që të thyej barrierat që u ishin vënë sportistëve të Kosovës, për shkak të aparteidit që ishte ushtruar ndaj sportistëve shqiptarë të Kosovës në vitet e 90 të shekullit të kaluar nga sistemi i kaluar serb i Milosheviqit.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe të gjitha federatat e sporteve të Kosovës, si dhe institucionet qeveritare përgjegjëse për sportin në Kosovë, kanë bërë përpjekje të shumta për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës.

Pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë konsiderohet si kurorëzim i këtyre përpjekjeve që u hapë rrugën sportistëve të Kosovës që zyrtarisht të marrin pjesë në garat olimpike.

XS
SM
MD
LG