Ndërlidhjet

Shqetësime për rrymë, ngrohje dhe rrugë të kalueshme


Kosovë, foto nga arkivi
Kosovë, foto nga arkivi

Me rënien e temperaturave dhe reshjeve të borës, qytetarët e Kosovës përgjatë viteve janë përballur me probleme të shumta, siç është ndërprerja e energjisë elektrike, mungesa e ngrohjes si dhe komunikacioni i vështirësuar.

Gjatë sezonit të dimrit kërkesa e konsumit për energji elektrike ngrihet, dhe qytetarët e Kosovës mbeten në mëshirë të importit të energjisë nga operatorët tregtarë që Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka kontrata.

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se aktualisht gjendja me furnizim me energji elektrike është stabile.

Megjithatë, sipas tij, me rënien e temperaturave dhe reshjeve të borës janë shkaktuar disa prishje në rrjetin energjetik të cilat janë duke u evituar nga ekipet e KEDS.

Energjia e importuar në vend dhe energjia e prodhuar nga KEK i mbulojnë të gjitha kërkesat e konsumatorit për energji elektrike dhe aktualisht nuk ka ndonjë problem serioz. Pas aksidentit në termocentralin Kosova A importi është shtuar jashtëzakonisht shumë për të mbuluar mungesën e energjisë së prodhuar”, shton Shkodra.

Ndërprerjet me energji elektrike, sipas Shkodrës mund të ketë vetëm në rastet kur ka prishje dhe kur pamundësohet realizmi i importit nga vendet prej nga Kosova importon.

“Sidoqoftë, jemi duke e bërë të pamundurën që të ketë furnizim stabil me energji elektrike edhe në kohën kur temperaturat janë të ulëta”, thekson ai.

Rënia e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, vjen si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur në Termocentralin “Kosova A”, në muajin qershor të këtij viti.

Përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë deklaruar se janë duke bërë riparime në Termocentralin Kosova A, njësia A4 dhe A5, dhe se prodhim nuk mund të rritet deri në fund të këtij viti.

Në raportet e deritashme të organizatave ndërkombëtare për sistemin energjetik të Kosovës vlerësohet se “një pengesë e madhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës është furnizimi joadekuat dhe jo i besueshëm me energji elektrike”.

Ekspertët e energjetikës vazhdimisht kanë potencuar se pa ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit të shumëpërfolur Termocentrali “Kosova e Re”, dhe energjisë alternative, vështirë se do të mund të shkarkohet vendi nga mungesa e energjisë elektrike.

Ndërsa, kur bëhet fjalë për ngrohje, punët duket se do t’i kenë më mirë në këtë vit qytetarët e Prishtinës, por jo menjëherë pas rënies së temperaturave.

Sezoni ngrohës, që çdo vit nis më 15 tetor, është shtyrë kësaj radhe për të nisur me uljen më të madhe të temperaturave.

Drejtori i ndërmarrjes publike “Termokos”, Arsim Janova thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në përfundim të projektit të ri të ngrohjes me avull që pritet të vijë nga termocentrali Kosova B dhe se gjithçka do të jetë gati më 15 nëntor.

“Kah mesi i nëntorit startojmë me nxehje nga Obiliqi që do të ishte një zgjidhje shumë e mirë dhe një projekt kapital. Probleme ndoshta mund të ketë deri në 15 nëntor, pasi që të gjitha kapacitetet tona financiare i kemi drejtuar në startimin me ngrohje nga termocentrali Kosova B”, ka bërë të ditur Janova.

Ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve nga ndërmarrja publike “Termokos”, ka filluar para dy vjetëve.

Pas përfundimit të projektit, Termokosi do të heqë dorë nga përdorimi i mazutit për ngrohtoret, që do të rezultojë në një qasje më të mirë ndaj mjedisit.

Derisa sa i përket komunikacionit rrugor Policia e Kosovës ka njoftuar se në disa akse rrugore si rezultat i të reshurave të borës mund të paraqiten vështirësi të qarkullimit të automjeteve.

Ata kanë kërkuar nga ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit.

XS
SM
MD
LG