Ndërlidhjet

Prokurimi publik “zhvat” buxhetin


Ilustrim
Ilustrim

Zyrat e prokurimit në Kosovë mbeten fushat ku më se shumti zhvillohet korrupsioni dhe keq menaxhimi i parasë publike, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Madje sipas tyre, për luftimin e veprimtarive korruptive vazhdimisht ka munguar vullneti politik, por edhe i prokurorëve për të zgjidhur rastet e korrupsionit.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, ka thënë se prokurimi publik vazhdon të jetë hallka ku gërshetohet çdo veprimtari korruptive, sepse është fusha ku është e koncentruar pjesa më e madhe buxhetit publik, në të cilin vazhdimisht ka pasur zhvatje.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka memorandum bashkëpunimi më Këshillin Prokurorial të Kosovës për të monitoruar planin e veprimit për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit.

”Bazuar në monitorimin të cilin e kemi bërë, kemi parë një mungesë të vullnetit të prokurorëve për t’i zgjidhur me prioritet rastet e korrupsionit. Por, edhe në rastet në të cilat ka pasur zgjidhje, ka pasur në më shumë se gjysmën e tyre hudhje të rasteve të korrupsionit, apo pushim të hetimeve të këtyre rasteve. Vetëm në më pak se gjysmën e rasteve ka pasur ngritje të aktakuzave”, ka shtuar Musliu.

Udhëheqës të Lëvizjes “FOL” pohojnë se fusha e tenderimit është terreni më i përshtatshëm për keq përdorimin e parasë publike.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen Fol, Petrit Zogaj, për Radion Evropa e Lirë shprehet se mbi 80 për qind e buxhetit të shtetit shkon përmes procedurave të prokurimit publik.

Në shumicën e procedurave tenderuese brenda institucioneve publike, thotë ai, ka pasur ankesa për shkelje, rivlerësime, kthime në fillim të proceseve për shkak të shkeljeve të procedurave dhe të aferave potenciale korruptive.

“Një veçori që ka ndodhur nga viti i kaluar dhe që ka vazhduar edhe sivjet që në mungesë të një konsensusi politik për anëtar të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ne kemi kaluar mbi 260 ankesa për periudhën 31 gusht – 2 shkurt, dhe nuk janë shqyrtuar asnjëherë për shkak se nuk ka pasur bord".

"Dhe ato ankesa nga ana e operatorëve ekonomik kanë shkuar pa u shqyrtuar dhe që ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë biznesin por edhe autoritetin kontraktues në këtë rast institucionet publike”, ka thënë Zogaj.

Ligji për prokurimin publik siguron mënyrën efikase, transparente dhe të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike. Ky ligj, gjithashtu ka për qëllim të sigurojë integritetin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publik dhe personave të tjerë që janë të përfshirë në aktivitete të prokurimit, që vendimet e individëve të mos ndikohen nga interesat personale.

Por, Petrit Zogaj nga Lëvizja “ Fol” ka theksuar se shumica e institucioneve publike nuk kanë qasje transparente karshi shpenzimeve të parasë publike .

“Problemi më korrupsionin me prokurimin publik ka të bëjë më jo respektim të procedurave ligjore që janë të parapara në prokurim publik, më konflikt të interesit që është i shfaqur kudo, e që konflikti i interesit ka potencial të prodhojë afera korruptive".

"Pra, shumica e autoriteteve kontraktuese e institucioneve publike nuk e kanë qasjen transparente në shpenzimin e parasë publike përmes prokurimit publik", tha Zogaj.

Edhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare, Kosova është kritikuar për shkallën e lartë të korrupsionit.

Ndërkaq, në raportin e progresit të Komisionit Evropian nga autoritetet është kërkuar që të dëshmojnë rezultate praktike në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të zhvillojë me tej pavarësinë e drejtësisë.

XS
SM
MD
LG