Ndërlidhjet

LAN dhe Vetëvendosje, parti që dallojnë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Disa deklarata të liderit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes së cilave ai i kishte cilësuar zyrtarë të partive të koalicionit nga LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma si hajna të kategorisë së dytë, nga analistët politik shihen si reflektim i dallimeve që ka përbrenda koalicionit pas zgjedhor.

Sipas tyre, me këso deklarata, por dhe qëndrime të mëhershme të Vetëvendosjes se "ky është një koalicion për një qeveri emergjente dhe të zorit", paraqesin qartë edhe brishtësinë që ka ky grumbullim i partive brenda një koalicioni të gjerë.

Analisti i Institutit për Politika Zhvillimore - KIPRED, Albert Krasniqi mendon se partitë e këtij blloku po e paraqesin si prioritet të parë largimin e PDK-së nga pushteti, para se të ofrojnë një alternativë zhvillimore, që do të sillte një qeveri eventuale e krijuar nga këto subjekte politike.

“Në fakt, Vetëvendosje me atë që ka thënë deri më tash, i jep vetëm dy vite përkrahje kësaj qeverie, ngase po e quan një qeveri emergjente dhe jo qeveri që do të punonte për zhvillimin e vendit. Më shumë është koncentruar në largimin e PDK-së sesa që po ofrohet ndonjë alternativë zhvillimore tjetër. Koalicioni është i fragmentuar, ka katër subjekte politike, plus ato nga pakicat të cilat e kanë për detyrim t’i përfshijnë në qeveri dhe me një kryeministër i cili nuk e ka shumicën, ose është nën 10 për qind të votave, nuk garanton një qeveri stabile në të ardhmen”, ka vlerësuar Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka nënshkruar as kërkesën e tri partive tjera të koalicionit drejtuar presidentes Atifete Jahjaga për sqarimin e pikës 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me postin e kryetarit të Kuvendit.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë për Radion Evropa e Lirë se dallimet mes partive politike si LDK, AAK, Nisma me Lëvizjen Vetëvendosje kanë qenë që nga fillimi të mëdha. Andaj, ai i sheh këto plasaritje edhe si të pritshme.

Sa i përket raportit mes Vetëvendosjes dhe LAN-it (LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje), ky raport ka qenë i çuditshëm prej fillimit, prandaj edhe këto konflikte e fundit duket se janë normale, ngase ekziston një dallim shumë i madh mes partive LAN-it dhe Vetëvendosje. Ka qenë i çuditshëm edhe tentimi për t’i amortizuar gjithë ato dallime e pakënaqësi”, ka theksuar Muhaxhiri.

Në situatën kur asnjë parti politike nuk ka vizion se si të tejkalohet kriza rreth formimit të institucioneve, Artan Muhaxhiri thotë se tensionet janë të pritshme.

Qëndrimet në pozicionet fillestare, sipas tij, nuk prodhojnë rezultate dhe zgjidhje, por kriza të reja.

Muhaxhiri, e sheh edhe një mundësi që koalicioni pas zgjedhor të hapë rrugën për tejkalimin e kësaj gjendje të krijuar, përkatësisht që të pajtohet me Gjykatën Kushtetuese se posti i kryetarit të Kuvendit nuk i takon dh të përqendrohet vetëm në ndërtimin e qeverisë.

Ka kohë që presioni më i madh është duke u bërë mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse insistimi i saj që ta mbajë për vete postin e kryetarit të Kuvendit, edhe pse Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kundërtën, është duke u parë si faktori kryesor që po e bllokon situatën. Mirëpo, në qoftë se eventualisht modifikohet marrëveshja mes partive të koalicionit, VLAN, kjo do të ishte një element pozitiv, sepse do të ndikonte në zhbllokimin e menjëhershëm ët situatës”, ka thënë Muhaxhiri.

Bllokada institucionale që po zgjat tash e katër muaj, sipas analistit Alber Krasniqi nxjerr në shesh jo vetëm acarime, por edhe politika të subjekteve për strategji dalëse,pasi që mungesa e formimit të institucioneve për epilog mund të ketë edhe zgjedhjet e reja të parakohshme.

“Situata e krijuar është acaruese për të gjithë dhe durimi ka filluar të harxhohet. Tani mund të jetë që këto deklarata mund të bëhen edhe për një strategji dalëse, siç po quhet, për shkak se zgjedhjet po shihen gjithnjë e më shumë si opsion për të dalë nga kjo situatë. Këto deklarata bëhen edhe për qëllim të mbajtjes së elektoratit te i cili ka pakënaqësi me arritjen e këtij koalicioni”, ka thënë Krasniqi.

Analistët politik kanë kritikuar jo vetëm partitë e bllokut pas zgjedhor, por edhe Partinë Demokratike të Kosovës për shtyrjen e vendit drejt një krizë edhe më të thellë.

Në çdo variant, ata megjithatë e vlerësojnë si më të dobishme cilëndo zgjidhje që do të kishte si rezultat krijimin e institucioneve, krahasuar me opsionin e fundit, atë të zgjedhjeve të reja.

XS
SM
MD
LG