Ndërlidhjet

Ukrainë: Zgjedhjet - shpresë për reforma dhe anti-korrupsion


Zgjedhjet për parlamentin e ri në Ukrainë priten si një kthesë e rëndësishme, që do ta vendosë këtë vend në rrugën properëndimore, të cilën gjë presidenti, Petro Poroshenko, e pat cilësuar si zhvillim “historik”.

Duke folur para zgjedhjeve, presidenti Poroshenko tha se votimet e kompletojnë “transferin e autoritetit”, që kishte filluar me përmbysjen e ish-presidentit pro-rus, Viktor Yanukovich, pas protestave masive në muajin shkurt të këtij viti.

Poroshenko u ka bërë thirrje votuesve ta zgjedhin një përbërje të parlamentit që është “reformuese, jo e korruptuar, pro-ukrainase dhe pro-evropiane, dhe jo pro-sovjetike”.

Afro 36.5 milionë njerëz janë të regjistruar, por më tepër se 4 milionë janë të vendosur në pjesët lindore, në rajonet Donjeck dhe Luhansk, që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, që nuk kanë lejuar mbajtjen e votimeve.

Zyrtarët e votimeve thonë se 15 prej 32 komisioneve zgjedhore të rretheve atje nuk do të operojnë.

Rrjedhimisht, 27 prej 450 vendeve në Parlamentin e Ukrainës, do të mbeten të zbrazëta.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e ka bërë një vizitë të befasishme në rajonin Donbas në pjesën lindore të Ukrainës në ditën e zgjedhjeve.

“Kam arritur në Donbas”, ka shkruar Poroshenko në rrjetin Twitter, me ç’rast i ka publikuar edhe fotografitë duke u takuar me njerëzit në vendvotimin në Kramatorsk, qytet që tash është nën kontrollin e forcave qeveritare, por për të cilin ishte luftuar shtatë muaj.

Bashkëshortja e presidentit, Maryna Poroshenko, u tha gazetarëve në Kiev, se presidenti “kishte shkuar atje për ta kontrolluar kursin e votimeve”.

Në hulumtimet e opinionit avancon Blloku Petro Poroshenko, që pritet se do të fitoj më së shumti vota.

Fronti Popullor, partia e re e kryeministrit aktual, Arseniy Yatsenyuk, dhe e zyrtarëve të tjerë të qeverisë, po ashtu, pritet të ketë përfaqësues në parlament, së bashku me disa parti nacionaliste, përfshirë edhe Partinë Radikale të udhëhequr nga ultra-nacionalisti, Oleh Lyashko.

Ky lider ka thënë se partia e tij “shkon në parlament për të ndërmarrë reforma radikale, dhe për ta ndryshuar situatën në mënyrë radikale”.

Për të parën herë prej se Ukraina është bërë vend i pavarur, pas shkatërrimit të ish-Bashkimit Sovjetik, Partia Komuniste nuk pritet të ketë përfaqësues në parlament.

Po ashtu, pritje të ngjashme ka edhe për Partinë e Rajoneve, me pikëpamje pro-ruse, e cila vetëm para 10 muajsh ishte partia më e madhe në parlament.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se shumica e Ukrainasve i mbështesin reformat ekonomike dhe demokratike, veçanërisht goditjen kundër korrupsionit, që eventualisht do të çonin në anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, paraqet hije të zezë ndaj zgjedhjeve.

Një armëpushim i arritur në fillim të muajit shtator, e ka përfunduar pjesën më të madhe të luftimeve ndërmjet forcave pro-qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, por shkeljet pothuajse në baza ditore, kanë shkaktuar viktima në mesin e të dy palëve në konflikt dhe civilëve.

Gjatë këtij konflikti deri tash janë vrarë më se 3,700 vetë, ndërsa qindra mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. Shumica e këtyre njerëzve jetojnë në pjesë të tjera të Ukrainës dhe nuk janë të regjistruar për votim në këto rajone ku ata banojnë aktualisht.

Liderët e separatistëve pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk kanë thënë se do të mbajnë zgjedhje të ndara për të ashtuquajturën Republikë Popullore të Donjeckut, më 2 nëntor.

Kievi, Uashingtoni dhe disa vende të tjera, kanë thënë se këto zgjedhje të 2 nëntorit janë jolegjitime dhe nuk do të njihen.

Zgjedhjet në Ukrainë monitorohen nga vëzhgues të jashtëm dhe vendës.

Kent Harstedt, nga Suedia e kryeson misionin e përkohshëm zgjedhor të OSBE-së në Ukrainë. Ai thotë se zgjedhjet ballafaqohen me shumë sfida.

“Ka shumë sfida. Do të thosha se siguria është njëra nga ato. Tjetër është mobilizimi i zgjedhësve për të votuar. Sfida e tretë është ajo e kandidatëve që garojnë, që të mos keqtrajtohen”, tha Kent Harstedt. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG