Ndërlidhjet

Fitore bindëse e partive pro-evropiane në Ukrainë


Kiev...
Kiev...

Partitë pro-evropiane kanë shënuar fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Ukrainë.

Rezultatet e pjesshme, të publikuara të hënën, tregojnë se blloku i presidentit Petro Poroshenko dhe partia e kryeministrit Arseniy Yatsenyuk “Fronti Popullor” prijnë me shumicën e votave.

Poroshenko ka thënë se votuesit i kanë dhënë “mbështetje të fortë dhe të pakthyeshme rrugës së Ukrainës për në Evropë”.

“Natyrisht se jam i kënaqur të shoh bllokun Petro Poroshenko të udhëheqë në të gjitha exit-pollet. Por, kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që ne, më në fund, kemi një shumicë pro-ukrainase dhe pro-evropiane”, ka thënë Poroshenko.

Zgjedhjet në Ukrainë janë parë si shpresë për forcimin e vendit, pas një viti të trazirave politike dhe pas disa muajve të luftës kundër separatistëve pro-rusë në lindje.

Presidenti Poroshenko i ka thirrur zgjedhjet e parakohshme tetë muaj pasi ish-presidenti Viktor Yanukovych është përmbysur nga pushteti, si pasojë e revoltës kundër tij.

Përmbysjes së Yanukovychit, Rusia i është përgjigjur me aneksimin e rajonit të Krimesë nga Ukraina në muajin mars. Kievi dhe Perëndimi akuzojnë po ashtu Moskën për dërgim të armëve dhe trupave për kryengritësit pro-rusë në provincat lindore të Donjeckut dhe Luhanskut.

Rreth 5 milionë votues në Krime dhe në zonat e kontrolluara nga separatistët në Donjeck dhe Luhansk nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, i cili është kritik i ashpër i Rusisë, ka thënë se koalicioni qeverisës duhet të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Baza e koalicionit të ri është marrëveshja e asociimit me Bashkimin Evropian. Kjo do të jetë baza e marrëveshjes së koalicionit”, ka thënë Yatsenyuk.

Tri partitë tjera që do të kalojnë pragun zgjedhor prej 5 për qind dhe do të hyjnë në Parlament përfshijnë Bllokun Opozitar, në përbërje të të cilit janë edhe shumë anëtarë të partisë së Yanukovychit, pastaj Partinë Radikale dhe partinë e ish-kryeministres Yulia Tymoshenko.

Partia Komuniste duket se nuk do ta kalojë pragun dhe do të mbetet jashtë Parlamentit, për herë të parë prejse Ukraina ka fituar pavarësinë nga kolapsi sovjetik më 1991.

Liderët e kryengritësve pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk kanë thënë se do të mbajnë zgjedhjet e veta më 2 nëntor për të zgjedhur parlamentet separatiste.

Kievi, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kanë thënë se këto zgjedhje janë të paligjshme dhe se nuk do të njihen.

Rusia fajëson Kievin dhe Perëndimin për trazirat politike në Ukrainë dhe mohon çdo rol të sajin në konfliktin në lindje. Kjo, edhe përkundër pohimeve të NATO-s se ka dëshmi të qarta për mbështetjen e saj me trupa, armë dhe propagandë.(v.tela)

XS
SM
MD
LG