Ndërlidhjet

Për koncesionimin e Brezovicës, fituesi dihet


Brezovica
Brezovica

Këtë muaj pritet të shpallet kompania fituese për koncesionimin e qendrës turistike “Brezovica”, thonë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Në garë për këtë qendër tashmë gjendet vetëm kompania MDP Consultants (konsorcium nga Franca dhe Andora), që sipas të gjitha gjasave kjo edhe do të jetë kompania fituese për zhvillimin e këtij kompleksi.

Kjo kompani sipas autoriteteve kompetente, posedon kapacitete të nevojshme për të projektuar, financuar dhe ndërtuar një qendër për turizëm malor dhe rekreacion për gjatë gjithë vitit për vizitorët lokal dhe ndërkombëtar.

Lulzim Demolli, këshilltar politik për media i ministrit në largim të Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, tha se projekti për zhvillimin e Qendrës turistike "Brezovica”, është në fazën e vlerësimit të ofertës se pranuar nga konsorciumi francezo –andorian – kosovar.

“Ne jemi në pritje që këto ditë ekspertët vlerësues të dorëzojnë raportin e tyre, më pas i mbetet komitetit ndërministrorë që të bëjë vlerësimin e rekomandimeve të ekspertëve dhe këtë muaj të vendoset të nënshkruhet apo jo me ofertuesin e kualifikuar”, tha Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në garë për këtë qendër kanë qenë katër kompani të para kualifikuara, por tri nga to për arsye të ndryshme, sipas Demollit, nuk kanë dorëzuar ofertat e tyre.

Edhe kryeministri në largim i Kosovës Hashim Thaçi, në rrjetin social facebook, para disa ditësh ka shkruar se procesi i ofertimit për koncesionim ka përfunduar para disa javëve dhe ekspertët e agjencië së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillim ndërkombëtar, janë duke e analizuar ofertën e konsorciumit të famshëm francez.

Brenda këtij viti, ka shkruar ai, do të përfundon procesi shumëvjeçar i gjetjes së investitorit dhe kështu do të fillon një faqe e re e zhvillimit ekonomik të këtyre trevave. Mbi 200 milionë euro pritet të investohen në zhvillimin e qendrës më të mirë të skijimit në këtë pjesë të Ballkanit

Në anën tjetër ekspert të kësaj çështje, e konsiderojnë të ngutshëm dhe jo ligjorë shpalljen e kompanisë fituese me vetëm një ofertues në garë.

Zekë Çeku ekspert i fushës së turizmit, njëherësh udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, shprehet se për të arsyetuar vonesat dhe parregullsitë në këtë proces, autoritetet kompetente do vendosin të shpallin kompaninë fituese me vetëm një ofertues dhe të arsyetohen para opinionit se po marrim një hap të rëndësishëm.

“Unë mendoj se është jo serioze që të shkohet më një operator, ky është një projekt madhor që kërkon shumë kohë, kërkon shumë njohuri dhe referencë jashtëzakonisht të fuqishme. Unë nuk e njoh operatorin, prandaj nuk mund të vlerësoj operatorin, por procesin si proces ka shkuar në mënyrë të gabuar që nga fillimi dhe tash me një nguti për çfarë arsye të shkohet vetëm një operator”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Por, përfaqësues të Komitetit për Partneritet Publiko - Privat, pohojnë se procesi i koncesionimit të Brezovicës, ka shkuar sipas të gjitha procedurave ligjore.

Lorik Fejzullahu nga ky komitetet, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Ligji i Prokurimit Publik lejon që të procedohet më vetëm një ofertë, nëse për këtë vendos autoriteti Kontraktues.

“Rasti i “Brezovicës” ka shkuar me një proces konkurrues ku ka pasur kualifikime të kompanive dhe në fazën e dytë ka qenë vetëm një ofertë. Ligji për Partneritet- Privat dhe Ligji mbi Prokurimin Publik ka mekanizma që parashohin raste të tilla ku pranohet vetëm një ofertë dhe rezervon të drejtën që autoriteti kontraktues të marrë vendim nëse do të ecë përpara për një ofertë”, është shprehur Fejzullahu.

Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që ndodhet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe apo në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit. Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2522 metra, me një hapësirë prej 2500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

XS
SM
MD
LG