Ndërlidhjet

Goditen bizneset, për t’u mbushur arka e shtetit


Ilustrim
Ilustrim

Bizneset në Kosovë kanë hedhur një varg kritikash në adresë të Doganave të Kosovës, sipas tyre, për të grumbulluar sa më shumë të hyra për akrën e shtetit, Doganat po godasin pamëshirshëm bizneset.

Ata thonë se po bëhen shkelje të procedurave, rritjes së bazës doganore, detyrime dhe kushtëzime të bizneseve për të paguar taksat në kufi, sipas vlerës që doganat po e përcaktojnë dhe jo sipas faturave dhe dokumentacionit që paraqesin bizneset.

Ankesat e paraqitura në Doganë nga bizneset, i pohon edhe zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, por që sipas tij, ankesat e bizneseve nuk qëndrojnë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se institucionet që merren me mbushjen e arkës së shtetit, në veçanti Doganat e Kosovës, po veprojnë në kundërshtim me ligjet.

“Sipas burimeve tona më shumë se 7 mijë ankesa janë shkuar në Doganë pikërisht për shkak të shkeljes së procedurave, rritjes së bazës doganore, detyrime të bizneseve dhe kushtëzimeve për të paguar taksat në kufi sipas vlerave që doganat i përcaktojnë dhe jo sipas faturave dhe dokumenteve që i paraqesin bizneset”, bënë të ditur Shahini.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, hedh poshtë kritikat që bëhen në adresë tyre. Numri i ankesave të bizneseve bën të ditur Stavileci është 1500 dhe që është i njëjtë me periudhën e vitit të kaluar.

Sipas tij, të hyrat në dogana kanë shënuar ngritje si rezultat i rritjes së performancës së doganës dhe reformat e suksesshme në administratë.

“Prej 150 mijë zhdoganimeve që kanë ndodhur nga janari deri më tani, ne kemi pranuar 1500 ankesa, kjo nënkupton se vetëm 1 për qind e bizneseve ka sjellë ankesë për formën e vlerësimit që ka bërë dogana”, thekson ai.

Janë statistikat e Doganave të Kosovës, shton Stavileci që demantojnë ankesat e bizneseve.

Prej 100 dërgesave thekson ai, 92 prej tyre iu është pranuar vlera që vetë bizneset e kanë deklaruar, ndërsa vetëm 8 për qind e mallrave iu është rritur vlera që e kanë deklaruar, pasi që siç thotë Stavileci, ka pasur prova të mjaftueshme se ajo vlerë që e ka paraqitur biznesi nuk ka qenë e saktë.

“Gjithmonë një pjesë e bizneseve të cilat mund të jenë keqpërdorues apo tentojnë t’iu shmangen taksave të ndryshme normalisht që do të ankohen kur doganat i mbledhin taksat e sakta”, ka shtuar Stavileci.

Vlen të theksohet se gjatë këtij viti Doganat e Kosovës kanë suspenduar 14 zyrtarë doganorë, të cilët janë dyshuar se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e importit të mallrave përmes pikëkalimeve kufitare.

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë dy institucione nga të cilat varet edhe mbushja e buxhetit.

Deri në fund të muajit tetor Doganat e Kosovës kanë mbledhur 702 milion euro, derisa Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur mbi 300 milion euro.

XS
SM
MD
LG