Ndërlidhjet

Zgjedhjet “ilegale” në lindje të Ukrainës


Donjeck
Donjeck

Autoritetet e vetëshpallura në sektorë të pjesës lindore të Ukrainës, që janë nën kontrollin e kryengritësve, thonë se figurat udhëheqëse të separatistëve pro-rusë, kanë dalë fitues në zgjedhje, të cilat janë denoncuar nga Perëndimi si ilegale, ndërsa presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka vlerësuar se ato ishin “farsë”.

Zyrtarët separatistë thanë se Alexander Zakharchenko, është zgjedhur për ta udhëhequr të vetëshpallurën, Republikë Popullore e Donjeckut, ndërsa Igor Plotnitsky, po ashtu, të vetëshpallurën Republikë Popullore e Luhanskut, pasi janë numëruar të gjitha fletëvotimet nga zgjedhjet e së dielës.

Rezultatet finale i ka shpallur zyrtari separatist i zgjedhjeve, Roman Lyagin, i cili mëtutje ka theksuar:

“Kievi duhet të pajtohet me faktin se Donbasi tashmë nuk është pjesë e Ukrainës. Kjo është e vetëkuptueshme. Dikush mund të mos pajtohet me këtë, por ju nuk mund ta kontestoni faktin. A e njohin ata shprehjen e vullnetit tonë ose refuzojnë ta njohin, është punë e Kievit. Ne kështu kemi vendosur për vetëveten”, tha Roman Lyagin, i cili e ka përdorë termin Donbas, për ta përshkruar një sektor industrial në pjesën lindore të Ukrainës, që pjesërisht koincidon me territorin, i cili mbahet nga separatistët prorusë.

Kritikët e separatistëve thonë se Zakharchenko dhe Plotnitsky nuk kanë pasur kundërshtarë realë në zgjedhje, që janë mbajtur në shenjë të injorimit të Kievit dhe Perëndimit, por që nga Rusia janë portretizuar si reflektim i “vullnetit të popullit” në pjesë të Donjeckut dhe Luhanskut, që janë nën kontroll të kryengritësve.

Separatistët, po ashtu, i kanë mbajtur edhe zgjedhjet për këshilla, që pretendohet se i përfaqësojnë banorët në dy republikat e vetëshpallura.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka vlerësuar se zgjedhjet janë “ilegale dhe jolegjitime” dhe se paraqesin “pengesë për paqe” në pjesën lindore të Ukrainës, ku më tepër se 4 mijë luftëtarë dhe civilë janë vrarë, prej muajit prill, në konfliktin ndërmjet forcave qeveritare dhe separatisëtve, për të cilët Ukraina dhe NATO-ja thonë se mbështeten nga ushtarët dhe armatimi i Rusisë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se zgjedhjet janë “në kundërshtim me letrën dhe frymën” e marrëveshjes për armëpushim të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht më 5 shtator, që konsiderohej se do ta ndalte luftën. Steinmeier ka kërkuar që Rusia ta respektojë “unitetin e Ukrainës”.

Analistët thonë se zgjedhjet e separatistëve vetëm do t’i ashpërsojnë edhe më tutje armiqësitë ndërmjet Kievit dhe kryengritësve prorusë, duke i dhënë Rusisë një levë të ndikimit, duke i ndarë edhe më tepër rajonet lindore nga pjesa tjetër e Ukrainës dhe potencialisht duke e krijuar “një konflikt të ngrirë” të ri, sikur ato, për të cilat kritikët e Moskës thonë se Kremlini i ka inkurajuar çdokund në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, në mënyrë që ta mbajë kontrollin e fuqishëm.

Rusia e kundërshton çfarëdo roli në konflikt, përkundër asaj që kritikët e saj thonë se ka dëshmi të gjerë të involvimit. Formalisht, Rusia nuk i ka njohur territoret nën kontrollin e separatistëve si shtete të pavarura.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka kumtuar se i sheh zgjedhjet si legjitime dhe e ka rritur presionin ndaj Kievit, që t’i ketë parasysh kryengritësit.

“Duke pasur parasysh se zgjedhjet janë mbajtur, është ekstremisht e rëndësishme të ndërmerren hapa aktivë në krijimin e dialogut stabil ndërmjet autoriteteve qendrore të Ukrainës dhe përfaqësuesve të Donbasit, brenda kornizës së Marrëveshjes së Minskut”, tha Ministria e Jashtme ruse, duke iu referuar armëpushimit dhe planit të paqes, për të cilin janë pajtuar Ukraina dhe separatistët më 5 shtator, që është nënshkruar edhe nga Rusia, po ashtu.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, i ka denoncuar zgjedhjet si “farsë nën tytën e tankeve dhe armëve”.

Zgjedhjet janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që thanë se ato paraqesin shkelje të Marrëveshjes së Minskut.

E përditshmja Wall Street Journal raporton se Mark Stroh, zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se “ne i tërheqim vërejtjen Rusisë, po ashtu, kundër përdorimit të çfarëdo votimi të tillë jo-legjitim, si pretekst për dërgimin e trupave shtesë dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë”.

Votimet në pjesën lindore të Ukrainës, në masë të madhe, janë injoruar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, por një kontingjent i partive perëndimore të afërta me Moskën dhe partitë politike nga Rusia, i kanë monitoruar zgjedhjet.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG