Ndërlidhjet

Maqedoni - Greqi: Nuk ka zgjidhje për emrin


Deklarata e një dite më parë e Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki se Maqedonia si asnjëherë më parë është larg zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ështjen e emrit, apo se vendi është edhe larg arritjes së një marrëveshjeje me Bullgarinë për fqinjësi të mirë, vlerësohet si jo serioze nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

Ata vlerësojnë se deklarata e tillë hedh poshtë të gjithë angazhimet e deritanishme për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi me shtetet fqinje, të cilat në forma të ndryshme bllokojnë procesin integrues të Maqedonisë.

Arsim Sinani, drejtues i Akademisë Diplomatike dhe profesor në Universitetin e Tetovës, thotë se institucionet duhet të punojnë për zgjidhjen e kontesteve, e jo të konstatojnë ngecjen e tyre. Ai, gjithashtu dyshon edhe ndryshimin e mundshëm të kursit të politikës së jashtme.

“Deklaratat e tilla të Ministrit të Punëve të Jashtme janë joserioze, janë deklarata të cilat nuk e ndihmojnë zgjidhjen e problemit me emrin dhe problemet tjera me fqinjët, e largojnë Maqedoninë nga rruga euroatlantike dhe këto dëme do ti shohim në të ardhmen."

"Personalisht konsideroj se kjo qeverisje nuk është e gatshme të bëj kompromis për emrin. Është interesant se ky sinjal vjen në pas vizitës së Putinit në Beograd dhe a do të thotë kjo se ka lidhshmëri me politikën ruse, e cila po dëshiron të kthehen në Ballkan, mendoj se në këtë vij është edhe qëndrimi i Poposkit“, shprehet ai.

Ndërkohë, duke komentuar pozicionin e Bashkimit Demokratik për Integrim në qeveri e cila vazhdon të jetë optimiste lidhur me zgjidhjen e kontestit, Sinani thotë se optimizmi i partisë shqiptare në ekzekutiv është joserioz pasi zgjidhja e këtij problemi është në duart e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE.

Sinani thotë se BDI-ja duhet të të ndryshoj strategjinë e veprimit nga e cila po pësojnë qytetarët e Maqedonisë.

“BDI-ja është optimiste, por optimizmi i saj përfundon në momentin kur partneri i saj i koalicionit nuk pranon asnjë zgjidhje, nuk pranon negociata, nuk merret me çështjen seriozisht, prandaj vlerësoj se optimizmi i BDI-së shterret dita ditës, dhe mendoj se ajo duhet të jetë më serioze në këtë drejtim“, thekson Sinani.

Nikolla Dujoski, profesor i së drejtës ndërkombërate në Universitetin e Shkupit thotë problemet nuk zgjidhen me konstatime se jemi larg apo afër zgjidhjes, por duhet angazhim serioz për të bindur komunitetin ndërkombëtar se Maqedonia ka të drejtë në raport me çështjen e emrit.

“Vlerësoj se shumë më e dobishme do të ishte që politikanët tanë të lobojnë që të sigurojmë sa më shumë miq tek shtetet e mëdha evropiane, që të afrohen qëndrimet mes palëve edhe pse ka shumë pak kohë që kjo të arrihet deri në dhjetor. Pra, nuk besoj se do të marrim datën pasi grekët në radhë të parë do të kundërshtonin një mundësi të tillë. Punët e mëdha nuk bëhen brenda natës, kështu që duhet më tepër angazhim për arritjen e qëllimit“, thotë Dujoski.

Ndryshe, deklarata e Ministrit të Jashtëm vjen para raundit të ri të negociatave për emrin që po zhvillohen nën pratronatin e Kombeve të Bashkuara. Mediat në disa raste kanë njoftuar se ndërmjetësi, Metju Nimic do të dalë me një propozim të ri për zgjidhjen e kontestit që sipas tyre do të jetë “Republika e Maqedonisë së Epërme“.

Propozime të tilla janë dhënë edhe më parë, por si njëra ashtu edhe pala tjetër i kanë refuzuar.

Maqedonia pretendon se me ndryshimin e emrit do të ndryshohet edhe indentiteti, gjuha dhe kultura maqedonase.

XS
SM
MD
LG