Ndërlidhjet

Partitë para vendimeve për tejkalimin e krizës


Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës paralajmërojnë se shumë shpejt do të dalin me opsionet përfundimtare rreth tejkalimit të krizës për formimin e institucioneve të reja.

Kjo javë, tashmë po vlerësohet si vendimtare kur subjektet politike do të duhet të ofrojnë një zgjidhje, pasi që vendi po shkon drejt limitit kohor i cili do të rrezikonte me një krizë financiare e buxhetore që nga fillimi i vitit të ardhshëm nëse ndërkohë nuk konstituohet Kuvendi dhe formohet qeveria e re.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar sërish partitë tjera politike që të shkojnë në takimin e ftuar nga presidentja Atifete Jahjaga dhe aty të provojnë zgjidhjen e ngërçit politik.

Sipas tij, zgjidhja do të arrihej sikur liderët të uleshin dhe diskutonin duke lëvizur nga kërkesat maksimaliste.

"Ritheksoj se PDK insiston, dhe është e nevojshme, është edhe në kulturën tonë tradicionale, si qytetar, por edhe në kulturën politike, diskutimi, hapja e gjërave për tu negociuar, përderisa askush nuk do të mund të realizojë 100 për qindëshin e asaj që aspiron. Por, ne duhet t’i japim frymë, forcë dhe energji arritjes së marrëveshjes. Vetëm me marrëveshje tejkalohet ngërçi i krijuar”, ka thënë kryeministri.

Sa i përket PDK-së, Thaçi ka paralajmëruar se të mërkurën, do të mblidhet Këshilli Drejtues i kësaj partie kur edhe do të vlerësohet gjendja dhe përcaktohen hapat e mëtutjeshëm.

Në anën tjetër, nga koalicioni pas zgjedhor i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje nuk kanë pritje shumë të mëdha nga një takim eventual nën lehtësimin e presidentes Atifete Jahjaga.

Avni Arifi, këshilltari i parë politik i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se një takim i tillë me asgjë nuk garanton arritjen e marrëveshjes.

Ai insiston se blloku pas zgjedhor e ka shumicën në Kuvend dhe e konsideron si të padrejtë faktin që nuk po i lejohet procedimi me formimin e institucioneve.

"Problemi është se a besojmë që ka zgjidhje nëse liderët takohen dhe i shtrijnë dorën njëri tjetrit. Nuk e besoj që po dhe nuk është asnjëri që beson se një takim i tillë do t'i tejkalonte dallimet dhe do të vinte deri te një zgjidhje", ka thënë Arifi.

Blloku pas zgjedhor, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ndodhet edhe para sfidës kryesore që nga themelimi më 10 qershor.

Pamundësia që ky koalicion, përkatësisht Lidhja Demokratike e Kosovës të merr nën drejtim postin e kryetarit të Kuvendit po i shton kërkesat brenda LDK-së që kjo parti politike të kthehet kah pretendimi për postin e kryeministrit, të cilin me marrëveshjen e 10 qershorit ia kishte besuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje, Avni Arifi, thotë se marrëveshja e 10 qershorit mbetet në fuqi dhe se në takimin e fundit të bllokut ku kishin marrë pjesë edhe përfaqësuesit e LDK-së, kjo çështje nuk ishte ngritur për diskutim.

"Kjo marrëveshje ekziston përderisa ne të jemi në situatë të punojmë për të dhe orientimi ynë kryesor është që ta implementojmë atë. Përfundimi i kësaj marrëveshjeje do të nënkuptonte një situatë krejt të re dhe çdo situatë e re do të reflektohej me premisa krejtësisht tjera", ka theksuar Arifi.

Kriza politike në Kosovë e shkaktuar nga mungesa e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit me çka mbahet peng rrjedhimisht edhe konstituimi i këtij institucioni dhe zgjedhja e qeverisë, po hyn në fazën kritike.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka paralajmëruar partitë politike që të ofrojnë dhe gjejnë një zgjidhje kushtetuese, në mënyrë që vendi të mos rrezikon që nga kriza politike, financiare e buxhetore të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

XS
SM
MD
LG