Ndërlidhjet

Ngecjet e vazhdueshme në kriteret e Komisionit Evropian


(©Shutterstock)
(©Shutterstock)

Ngërçi politik në Kosovë, ka ndikuar negativisht vetëm në njërin nga kriteret e Komisionit Evropian për integrimet evropiane të vendit, kriterin politik, që nënkupton demonstrimin e kapaciteteve institucionale.

Por, kriteret tjera, sikurse reformimi i gjyqësorit, reformimi i administratës publike dhe reforma zgjedhore, kanë shënuar ngecje para 8 qershorit, kur edhe janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Kosovë, vlerësojnë ekspertët e integrimeve evropiane.

Profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson ngecjet në reformimin e gjyqësorit dhe të administratës publike, nuk janë çështje muajsh, por i viteve më parë.

“Në qoftë se ne kemi sot mungesë ose deficit në funksionimin e sistemit gjyqësor, kjo nuk është rezultat i ngërçit politik, por është rezultat i një involvimi masiv politik vite më parë, së paku që nga viti 2008 e deri më tash. Prandaj, ky sistem gjyqësor që në tash e kemi, është duke i vuajtur konsekuencat ose pasojat e këtij involvimi masiv politik që ka ndodhur kohë më parë”, thotë Mazreku.

Profesor Mazreku ka shtuar se për reformën në administratën publike, ka munguar vullneti politik.

“Sa i përket administratës publike, është çështje në të cilën Kosova ka ngecur si rezultat i mungesës së vullnetit politik , që nga viti 2008, së paku. Çdo raport i progresit flet për mungesën e vullnetit politik për të filluar reformën e administratës publike”, shprehet ai.

Emrush Ujkani, po ashtu, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se reforma në sistemin gjyqësor varet nga vet gjyqësori dhe ai nuk është i varur nga klima aktuale politike në vend.

“Reforma gjyqësore duhet të ndodhë asisoj që vet gjyqësori, secili gjyqtarë dhe prokuror, dy këshillat, qoftë ai prokurorial dhe ai gjyqësor, duhet të marrin iniciativa konkrete dhe në përputhje me ligjin në fuqi, që ta reformojnë. Pra, ata duhet dhënë betimin, gjyqtarët dhe prokurorët, dhe ai betim të mos jetë vetëm një akt formal, por vërtetë ata ta kryejnë detyrën ashtu siç është e paraparë dhe sikur që ndodhë në secilin vend të botës, aty ku ka sundim të ligjit”, thekson Ujkani.

Profesor Ujkani ka përjashtuar logjikën e ndërhyrjes së pushtetit politik në sistemin gjyqësor me pretekstin që ai të reformohet.

Ndryshe, ai vlerëson se, pavarësisht që ngecjet në reformat në administratën publike dhe në sistemin zgjedhor janë evidente tash e sa vjet, ato tash e tutje ndërlidhen edhe me formimin e tërësishëm të institucioneve të Kosovës.

“Kuptohet, Kosova është peng i mungesës së legjislaturës dhe funksionimit të saj, pra të Kuvendit të Kosovës, për të shtyrë përpara procesin zgjedhor, ku, kuptohet që është shumë e domosdoshme që të ketë vullnet politik, për të ardhur deri te një konsensus, një kompromis, për të pasur reformë zgjedhore. Është shumë e logjikshme që kjo nuk mund të ndodhë për aq sa nuk mund të kemi institucione të themeluara në vendin tonë”, thotë Ujkani.

Profesor Ujkani ka shtuar se në qoftë se vazhdohet me ritmin e deritashëm të mos reformimit të fushave të përmendura në raportin e progresit të KE-së, mund të ketë edhe implikime më afatgjatë.

Por, profesor Mazreku, shpreh mendimin se ngërçi politik, fare nuk ka ndikuar në reformën e administratës publike dhe në reformën zgjedhore.

“Te thuhet që ngërçi politik ka ndikuar apo e ka penguar reformën në administratën publike, mendoj se është anakronike, sepse kjo reformë nuk ka filluar asnjëherë. Përkundër, janë bërë veprime të kundërta me atë që është kërkuar në raportet e progresit që nga viti 2008”, shprehet Mazreku.

Profesor Mazreku ka shtuar se çështja e reformës zgjedhore, ka qenë kusht për të gjithë faktorët politik në Kosovë

“Ka ekzistuar, në fakt, si kusht për Kosovën, shumë kohë më parë, që spektri politik, përkatësisht partitë parlamentare, ta kenë një vullnet politik të mirëfilltë për ta krijuar një pako ligjesh që e mbulojnë sistemin zgjedhor në Kosovë. Edhe kjo, në fakt, është çështje që Kosova ka dështuar përpara 8 qershorit dhe jo pas kësaj date”, thotë ai.

Ndryshe, njohësit e integrimeve evropiane edhe më parë kanë theksuar se për plotësimin e kritereve të Komisionit Evropiane, tash e tuje, do të nevojiten institucione të fuqishme dhe stabile.

Sipas tyre, për të qenë të tilla, ato duhet të themelohen mbi bazën e ligjeve dhe të kenë legjitimitetin e mjaftueshëm politik, si dhe të jenë llogaridhënëse.

XS
SM
MD
LG