Ndërlidhjet

Investimet e huaja në Maqedoni, shënojnë rënie


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë

Investimet e huaja në Maqedoni kanë shënuar rënie për 11 milion euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tetë muajt e parë të këtij viti në vend kanë hyrë 176 milion euro, për dallim nga 2013-ta kur gjatë kësaj periudhe kishte 187 milion euro. Të dhënat e tilla vijnë në kohën kur nga qeveria shprehen me tone optimiste, për rritjen e investimeve të jashtme.

Madje, me premtime për investime të fuqishme, një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku janë prezantuar mundësitë dhe lehtësirat që ofron vendi në sferën e ekonomisë.

Ndërkohë, duke komentuar rënien e investimeve dhe deklaratat e zyrtarëve se Maqedonia ka përmirësuar ndjeshëm këtë sektor, njohësit e çështjeve ekonomike, thonë se investimet e jashtme nuk mund të priten pa një rregullore të qëndrueshme ligjore, pa klimë të mirë të biznesit dhe kushte për punë të kompanive të huaja.

“Ndryshimi i shpeshtë i ligjeve apo i kushteve për punë gjithmonë shkakton pasiguri tek investitorët e jashtëm andaj edhe ata heqin dorë nga investimi i kapitalit të tyre, pasi askush nuk rrezikon të investoj në një vend ku nuk ka siguri të përgjithshme".

"Shembull më i freskët është rasti me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe vendimi i qeverisë që 1 minutë para hyrjes në fuqi, të ndryshon ligjin duke e shtyrë liberalizimin, madje për vite të tëra. E gjithë kjo konsideroj se është një sinjal shumë i keq që ndikon tek investitorët e jashtëm“, ka thënë Zoran Ivanovski, profesor i ekonomisë në Universitetin e Shkupit.

Edhe Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, vlerëson se ndryshimet e ligjeve, mungesa e stabilitetit politik dhe kushtet e pa barabarta, ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme. Ai gjithashtu apostrofon politikat e gabuara të qeverisë, të cilat janë të orientuara kryesisht në investimet e jashtme duke anashkaluar bizneset e brendshme, të cilat mund të luajnë rol më të madh se aktivitetet e qeverisë në tërheqjen e investimeve të jashtme.

“Veprimet pompoze të qeverisë për të paraqitur Maqedoninë si vend atraktiv për investime të huaja dhe nga ana tjetër rezultatet konkrete, respektivish të dhënat statistikore të cilat e përgënjeshtrojnë në masë të madhe këtë, sigurisht se kjo për ekonominë e vendit nuk është sinjal pozitiv. Në këtë drejtim ajo çfarë ne propozojmë është që me tepër të vihet theksi i bashkëpunimit në mes të investitorëve vendor dhe të huaj pasi duke tentuar që të promovojmë vetëm me investitorët të huaj dhe duke u paraqitur në opinion si një vend atraktiv, ne drejtpërsëdrejti ndikojmë në përkeqësimin e gjendjes së investitorëve vendor“, ka shtuar Halili.

I të njëjtit mendim është edhe profesori Zoran Ivanovski, sipas të cilit, shtylla bazë e ekonomisë së vendit duhet të jenë bizneset e brendshme, të cilat në forma të ndryshme bashkëpunimi mund të çojnë në tërheqjen e investimeve të jashtme.

“Konsideroj se më rëndësi të madhe është sigurimi i investimeve të brendshme, pasi ato në konsiderohen si shtylla e ekonomisë së një vendi, andaj pjesëmarrja e tyre më e fuqishme në ekonominë e vendit do të inkurajonte në tërheqjen e investimeve të jashtme".

"Fatkeqësisht investitorët e brendshëm janë në pozitë të pabarabartë në krahasim me ata të jashtëm në kontekst të kushteve që ofrohen për kapitalin e tyre“, theksoi Ivanovski.

Sipas të dhënave statistikore, Maqedonia është ndër vendet e fundit në rajon sa i përket tërheqjes së investimeve të jashtme edhe pse mbetet e ranguar lartë në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes”.

Gjatë vitit 2013, janë regjistruar rreth 269 milion euro investime të jashtme, shifër kjo shumë e ulët në krahasim me premtimet e qeverisë. Sipas ekspertëve, investimet e jashtme duhet të jenë së paku rreth 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, apo afërsisht 400 milion euro.

XS
SM
MD
LG