Ndërlidhjet

Obama kërkon kompetenca të reja të luftës


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se do të punojë me përfaqësuesit në largim të Kongresit për autorizimin e kompetencave të reja, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

“Është shumë herët të thuhet nëse jemi duke fituar ose jo, sepse, siç e kam thënë edhe në fillim të fushatës kundër Shteteit Islamik, do të jetë një plan aftagjtë për të forcuar qeverinë e Irakut… “, ka thënë Obama.

Shtetet e Bashkuara po udhëheqin një fushatë të sulmeve ajrore kundër xhihadistëve islamikë në Irak dhe Siri.

Duke folur pas humbjes së Demokratëve në zgjedhjet për Kongres, Obama ka shprehur optimizëm të përmbajtur edhe në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, për programin e tij bërthamor.

Këto dy çështje mund të jenë të vështira për Shtëpinë e Bardhë pasi Kongresi i ri i zgjedhur, i dominuar nga Republikanët, të mblidhet në janar.

Obama ka thënë se mundësitë e një marrëveshjeje me Republikën Islamike duhet të bëhen të qarta gjatë javëve të ardhshme.

Fuqitë botërore dhe Irani kanë vendosur 24 nëntorin si afat për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme për programin bërthamor të Iranit.

“Nëse ata do t’i thonë ‘po’ asaj që është më e mirë për Iranin, më e mirë për rajonin dhe më e mirë për botën, mbetet një çështje e hapur. Këtë do ta zbulojmë gjatë disa javëve të ardhshme”, ka thënë Obama.

Fuqitë botërore druajnë se Irani ka për qëllim krijimin e armës atomike, andaj edhe i kërkojnë atij kufizimin e aktiviteteve bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Teherani, në anën tjetër, këmbëngul se programi i tij ka vetëm qëllime paqësore dhe civile.

Sidoqoftë, Republikanët kanë siguruar shumicën në Senatin e Shteteve të Bashkuara, në zgjedhjet e 4 nëntorit, si dhe kanë forcuar shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve.

Obama është zotuar se do të punojë me Republikanët në një mënyrë produktive, pasi Kongresi të mblidhet në fillim të vitit të ardhshëm.

“Jam i etur të punoj me Kongresin e ri për t’i bërë dy vjetët e ardhshëm sa më produktivë. Jam i përkushtur t’i vlerësoj idetë, jo nëse vijnë nga Demokratët ose Republikanët, por nëse punojnë për popullin amerikan”, ka thënë Obama.

Senatori republikan, Mitch McConnell, i cili pritet të jetë udhëheqës i shumicës në Senat, ka thënë se votuesit amerikanë presin që Republikanët dhe Shtëpia e Bardhë të gjejnë “gjuhë të përbashkët” dhe të ndërmarrin veprime të shpejta për çështje të rëndësishme legjislative.(v.tela)

XS
SM
MD
LG