Ndërlidhjet

Kongresi i ri mund ta ndryshojë politikën e jashtme amerikane


Me zgjedhjen e vendosur të Republikanëve për të marrë kontrollin e senatit të Shteteve të Bashkuara, në zgjedhjet afatmesme të së martës, presidenti Barack Obama mund të ballafaqohet me një perspektivë tjetër të politikës së jashtme, gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij.

Kontrolli i dy dhomave të Kongresit nga Republikanët, mund të kufizojë hapësirën manovruese të presidentit ndaj dy qëllimeve më të mëdha të politikës së jashtme, ka thënë Guy Ziv, profesor i Universitetit Amerikan.

“Kjo do të krijojë më shumë vështirësi për presidentin Obama, për shkak të progresit që ai ka dashur të shohë në negociatat Iraniane - negociatat e programit nuklear të Iranit dhe procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës. Të dyja nga këto çështje për fat të keq janë përdorur si lojë për qëllime partiake”, ka theksuar Ziv, ligjërues i politikave të jashtme dhe negociatave ndërkombëtare

Programi nuklear i Iranit

Bisedimet me negociatorët ndërkombëtar rreth programit nuklear të Iranit janë planifikuar të përfundojnë këtë muaj, ku po punohet për të bindur Iranin të kufizojë aktivitetet e armëve bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Përfaqësuesit e Republikanëve në Senat janë duke treguar kujdes në marrëveshjen që e lejon Tehranin të vazhdojë pasurimin me uranium, por Obama tashmë ka autoritet të plotë të heq dorë nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara, pa miratimin e Kongresit.

Analisti i institutit “Cato”, Justin Logan, ka thënë se kjo situatë mund të ndryshojë në rast se Republikanët konfrontojnë me forcë Iranin.

“Ka disa perspektiva se një valë e madhe e Republikanëve që kanë marrë Senatin, mund të rrisë perspektivën e sanksionimit të faturave kundër Iranit, pa dokumentin e heqjes nga autoritetet”, ka thënë Logan.

“Por kjo çështje kërkon nga Kongresi të marrë përgjegjësi dhe të lë gjurmë mbi politikën. Historikisht, është treguar shumë kujdes për ta bërë këtë”.

Senatori Republikan John McCain ka drejtuar kritikat e partisë së tij ndaj mbështetjes së vogël nga Shtetet e Bashkuara, për t’u treguar të matur ndaj rebelëve në Siri dhe shtytje për një rol më aktiv ushtarak, ka thënë Robert Manning analist në Këshillin Atlantik.

Mendoj se në aspektin e sigurisë, do të keni gjasa të shihni senatorin McCain duke marrë përsipër Komitetin e Forcave të Armatosura në Senat dhe mendoj se kjo do të mund të ishte kundërshtuese me shpenzimet e kushteve të mbrojtjes dhe disa prej aktiviteteve tona ushtarake në Lindjen e Mesme dhe vendet e tjera”, ka shtuar Manning.

Përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar programin e trajtimeve dhe pajisjeve ndaj rebelëve sirian, çështja nuk ka të ngjarë të shkojë larg duke pasur parasysh luftën kundër militantëve të shtetit Islamik.

“Ekziston një program aktiv. Nuk është duke u drejtuar ashtu si senatori McCain do të dëshironte. Mendoj se ndryshimi këtu do të mund të ndodhte në bazë të procesit të bisedimeve, çfarë lloje të dëgjimeve ndodhin dhe se si Republikanët në Senat mund të ndikojnë në mbulimin e shtypit, nga ajo që thuhet për politikat e presidentit”, ka thënë Logan.

Departamenti Shtetëror

Zëdhënësja e Departamentit Shtetëror Jen Psaki ka theksuar se diplomatët e Shteteve të Bashkuara bashkëpunojnë në mënyrë të barabartë me këdo që kontrollon Kongresin.

“Departamenti i Shtetit është një institucion jo-partiak dhe i njëjtë në bashkëpunim me Demokratët dhe Republikanët, kështu që ne do të vazhdojmë të ecim përpara me këtë mendim”, ka thënë Psaki.

Ndërkaq sa i përket John Kerry, gjatë mandatit të tij në pozitën e Sekretarit të Shtetit, ka pasur raportime të mediave gjatë kësaj kampanje, ku janë cituar burimet nga administrata e presidentit Obama, e që është kritikuar se po ndjek një politikë të jashtme “të pa lidhur mirë”, me atë të presidentit.

Sipas zëdhënëses Jen Psaki, Shtëpia e Bardhë e ka bërë mjaft të qartë se ai “do të qëndrojë këtu”.

Përgatiti: Flandra Marmullaku

*Ky material u publikua fillimisht në VOA

XS
SM
MD
LG