Ndërlidhjet

Deputetët serbë, në zgjedhjet jolegale në Ukrainë


Flamuri i Ukrainës
Flamuri i Ukrainës

Ukraina ka reaguar ndaj pranisë së dy vëzhguesve nga Serbia në zgjedhjet jolegale në Donjeck dhe Luhansk, rajone lindore këto të Ukrainës, të cilat e kanë vetëshpallur pavarësinë nga kjo e fundit.

Të dy vëzhguesit, Vladimir Gjukanoviq dhe Branislav Blazhiq, janë deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Progresiste Serbe, lider i së cilës është kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe themelues i së cilës është , kryetari aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliq.

Ministria e punëve të jashtme të Ukrainës e ka ftuar për të biseduar ambasadorin e Serbisë në Kiev, Rade Bulatoviqin, zëvendës ministrja e parë e punëve të jashtme e Ukrainës, Natalija Haljbarenko, është takuar me Bulatoviqin, për shkak se dy deputetët e Partisë Progresiste Serbe kanë qenë vëzhgues në zgjedhjet jolegale në Donjeck.

Para kësaj, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës kanë deklaruar se asnjë organizatë ndërkombëtare me reputacion dhe asnjë vend demokratik në botë nuk i njohin pseudo-zgjedhjet në rajonet e Ukrainës, Donjeck dhe Luhanks, si dhe nuk i kanë dërguar atje vëzhguesit e tyre.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Progresiste Serbe në Kuvendin e Serbisë, Zoran Babiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se prania e dy deputetëve të partisë së tij në lindje të Ukrainës, nuk ka qenë zyrtare dhe në cilësinë e deputetëve, por ata kanë pasur ftesa private .

“Ftesa vjen në emër personal dhe jo në emër të deputetit të popullit. Në qoftë se do të vinte në emër të deputetit të popullit, atëherë do të vinte në Kuvend dhe në grupin parlamentar. Nuk ka ardhur ashtu. Ka ardhur me emër dhe mbiemër”, tha Babiq.

Por, deputeti serb Vladimir Gjukanoviq, lidhur me arsyet se pse ka shkuar në rajonet lindore në Ukrainë ka thënë se janë të shumta.

“Pse kemi shkuar? Për shume arsye. Para së gjithash nga kureshtja që të shohim se a ka të bëj me propagandën apo jo, me çfarë ka të bëhet atje dhe kush dhe çfarë po shpikë. Do të thotë nga kureshtja e pastër. Në qoftë se konstatohet se kam shkelur disiplinën partiake, unë insistoj që të dënohem. Kam shkuar me shumë vetëdije atje, me vetiniciativë dhe më besoni, mendoj se do ta bëja sërish të njëjtën”, tha Gjukanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Por, se a do të japin institucionet e larta të Serbisë sqarime lidhur me veprimin e dy depuetëve serbë, sipas Babiq, ka arsye të bisedohet vetëm brenda partisë së tij.

“Për zotin Gjukanoviq dhe për zotin Blazhiq, natyrisht se nuk mund të sqarohet as Kuvendi e as këshillat parlamentarë, për shkak se ata në Ukrainë kanë qenë vetëm në cilësinë e personave fizik, privatisht, sepse kanë pasur ftesa në emër të tyre personal. Për ta do të bisedojmë në organet partiake dhe ky është vendi i vetëm ku mund të bisedojmë”, theksoi Babiq.

Ndryshe, Ministria e Jashtme e Qeverisë së Serbisë ka deklaruar se Serbia e pranon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, procesin paqësor dhe se vetëm me dialog mund të arrihet zgjidhja. Ministria e jashtme e Qeverisë së Serbisë ka thanë se përfaqësuesit e asnjë institucioni zyrtar, as qeverisë e as parlamentit, nuk kanë qenë të angazhuar në procesin zgjedhor në lindje të Ukrainës.

Por, Bojan Al Pinto Bërkiq, anëtari i Forumit për marrëdhënie ndërkombëtare në Beograd, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në qoftë se verifikohet fakti se dy deputetët serbë kanë qenë vëzhgues në zgjedhjet jolegale, atëherë Qeveria e Serbisë do ta ketë problem t’ua sqarojë partnerëve evropian mospërputhjen e politikës së saj të jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

“Me siguri që askush nuk i ka ftuar zotërinjtë Gjukanoviq dhe Blazhiq që në kapacitete private të vëzhgojnë zgjedhjet, por veprimi i tyre është interpretuar si prani e deputetëve të parlamentit serb, të cilët në një mënyrë i japin legjitimitet zgjedhjeve që u mbajtën të dielen”, tha Bërkiq.

Sipas tij, në qoftë se këta deputet kanë qenë vëzhgues në zgjedhjet jolegale, atëherë ata në mënyrë të drejtë për drejtë kanë punuar kundër politikave të vendit të tyre.

Në të njëjtën kohë, në Bruksel, Federica Mogherini, shefe për siguri dhe politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, ka përsëritur qëndrimin e Brukselit, lidhur me zgjedhjet jolegale në lindje të Ukrainës.

“Zgjedhjet e ashtuquajtura, janë jolegale dhe jolegjitime, si dhe nuk do të njihen. Por, ato gjithashtu janë edhe rrezik serioz për vazhdimin e dialogut për paqen, të cilën po përpiqemi ta arrijmë në vend të ngjarjes”, ka theksuar Mogerini.

Për shkak të krizës në Ukrainë, Brukseli i ka vënë sanksione Rusisë, si dhe ka paralajmëruar Beogradin se nuk është i kënaqur me shkallën e pajtueshmërisë të politikës së jashtme të Serbisë me atë të Bashkimit Evropian, si dhe pret që Serbia, si kandidat për anëtarësim, të ndjek politikën evropiane.

XS
SM
MD
LG