Ndërlidhjet

Komunikata e UÇK-së në Maqedoni, nxitë reagime


Shkup
Shkup

Sulmi ndaj qeverisë dhe marrja e përgjegjësisë nga formacioni i quajtur, “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, përmes një komunikate dërguar mediave, pastaj njoftimet për paraqitjen e personave në uniformë në rajonin e Tetovës dhe Shkupit si pjesëtarë të “Gardës së Iliridës”, si dhe incidentet tjera, përfshirë edhe aksionet e shumta policore për kontrollin e bizneseve shqiptare, kanë nxitur reagime të shumta në opinion, që nga vlerësimet se bëhet fjalë për sajime nga qarqe të caktuara, e deri tek shqetësimet për marrjen e masave që situata të mos dalë nga kontrolli për shkak të pakënaqësive, veçanërisht nga shqiptarët për shkak të statusit të tyre në shtet.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë komentuar marrjen e përgjegjësisë për sulmin nga “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, e cila përmes një komunikate të publikuar, ka reaguar për siç ka theksuar, “ngecjet në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, incidentet ndëretnike, proceset e montuara gjyqësore“, e çështje tjera.

MPB-ja vlerëson se situata është nën kontrollin e strukturave të sigurimit ndërsa njoftoi marrjen e të gjitha masave për zbardhjen e sulmit ndaj qeverisë, më 28 tetor.

“Ministria e Punëve të Brendshme po vepron shumë seriozisht për të hetuar incidentin me qeverinë. Aktivitetet po zhvillohen me intensitet të lartë. Në bashkëpunim me Prokurorinë Publike po kontrollojmë të gjitha informacionet që do mund të ndihmonin hetimin e rastit”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Ismet Ramadani, njohës i çështjeve politike dhe të sigurisë, thotë se zhvillimet e fundit janë pasojë e politikave të gabuara të qeverisë, e cila thuajse ka dështuar në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve, dhe kjo sipas tij, shfrytëzohet nga segmente të caktuara qoftë për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale, apo për të dhënë mesazhin se durimi i qytetarëve është nga fundi.

“Politika, respektivisht qeverisja e keqe jep hapësirë për situata të këtilla dhe kur kësaj i shtojnë edhe ngecjet në integrimet euroatlantike, atëherë e gjithë kjo krijon situata diskutabile. Nëse nuk ndërmerren masa serioze për zgjidhjen e problemeve reale, mund të priten situata edhe më të tensionuara“, ka thënë Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.

Marin Najdov, ish epror ushtarak, nuk beson në përkeqësimin e gjendjes së sigurisë, por edhe ai kërkon nga institucionet që të marrin masa për të mos lejuar paraqitjen e incidenteve.

“Unë mendoj se pas vitit 2001, kur pati konflikt të armatosur, gjendja është përmirësuar sa i përket aspekteve të sigurisë. Megjithatë, incidentet e tilla krijojnë ndjenjën e pasigurisë në shtet dhe ngarkojnë edhe më shumë qytetarët, të cilët edhe ashtu janë të preokupuar me probleme të ndryshme. Për këtë arsye, mendoj se shteti duhet të ndërmarrë masa që të mos paraqiten situata të tilla dhe të mos ketë shqetësime të panevojshme për qytetarët”, ka thënë Najdov.

Vllado Dimovski nga qendra për tolerancë ndëretnike, ka thënë se raportet ndëretnike nga viti 2001 e këndej vazhdojnë të jenë të brishta.

Ai thotë se në situatë kur kemi edhe mungesë të sundimit të së drejtës në shtet, çdo herë do të paraqiten situata kur qarqe të caktuara do të tentojnë që raportet ndëretnike ti keqpërdorim për fshehjen e problemeve tjera dhe përgjegjësia për këtë sipas tij bie tek partitë politike.

“Raportet ndëretnike nuk mund ti përkeqësojnë qytetarët, ato i përkeqësojnë politikanët, të cilët momentalisht udhëheqin me shtetin, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë”,ka shtuar Dimovski.

Zhvillimet e fundit pasojnë incidentet e shumta ndëretnike që kanë ndodhur mes të rinjve dhe në fushat e sportit, por edhe ato që kanë pasuar lidhur me procesin gjyqësor “Monstra”, të vrasjes së pesë maqedonasve për çka me burgim të përjetshëm janë dënuar 6 shqiptarë, të cilët kanë mohuar kategorikisht përfshirjen e tyre në këtë krim ndërsa kanë akuzuar strukturat e shtetit se kanë montuar rastin për qëllime të caktuara.

XS
SM
MD
LG