Ndërlidhjet

Maqedoni: Administratorët shqiptarë, të pa sistemuar


Shkup
Shkup

Sekretariati për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit nuk mund të jap numrin e saktë të administratorëve shqiptarë të cilët nuk janë sistemuar në vendin e tyre të punës, ngase ky proces është në rrjedhë e sipër dhe gjendja ndryshon nga dita në ditë.

Kështu është shprehur për Radion Evropa e Lirë zëvendës Kryeministri Musa Xhaferi, duke nënvizuar se numri i saktë i administratorëve duhet kërkuar nga dikasteri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, si dhe Ministria e Finacave.

Xhaferi njëherësh fajin për mos sistemimin e administratorëve e ka hedhur mbi një pjesë të vetë administratorëve të cilët refuzojnë të udhëtojnë nga vendbanimet ku jetojnë për në Shkup, ku edhe është e vendosur administrata qendrore .

“Nuk dua të spekuloj po në një aspekt është dhe mungesa e vullnetit të atyre institucioneve të cilët duhet të pranojnë një numër adekuat të përfaqësimit të të gjitha etnive në vend, ajo që është më kryesoja është se të gjithë janë të vetëdijshëm se kjo punë duhet kryer dhe këta administrator duhet të sistemohen".

"Më duhet të theksoj se në këtë drejtim paraqitet edhe një problem i aspektit territorial, pra kemi kërkesa nga ata të punësuar se ku dëshirojnë të sistemohen, meqë rrogat e administratorëve nuk janë të larta, ata preferojnë njësitë rajonale të cilat nuk e kanë kapacitetin e mjaftueshëm që tu përgjigjen këtyre kërkesave”, ka theksuar Musa Xhaferi, përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ai ka nënvizuar se do të pasojnë sanksione për të gjithë ata drejtues institucionesh që e bllokojnë procesin e sistemimit të administratorëve shqiptarë.

“Ne do t`i praktikojmë të gjitha proceduat, do t`I konsumojmë të gjitha mundësitë institucionale dhe ligjore që ata të binden se ata duhet të marrin barrën për t`i sistemuar një numër të caktuar të këtyre administratorëve që ende s'janë sistemuar, pra duhet t`i rekrutojnë për arsye se ata marrin rrogë nga buxheti shtetëror dhe njëherësh janë të obliguar të kontribuojnë për administratën e shtetit”, ka shtuar ai.

Ndërkohë hulumtimet e organizatës joqeveritare "AGIS", kanë nxjerrë në pah se” të rinjtë preferojnë administratën shtetërore, ngase në institucionet shtetërore ata ndjehen më komod edhe në rastet kur ata nuk iu përgjigjen obligimeve ligjore.

“Të rinjtë e anketuar janë përgjigjur se në administratë shumë pak punohet, u mbetet shumë kohë e lirë dhe siç janë shprehur mund të ndihesh si zotëri I vërtetë nëse je i punësuar në administratën shtetërore”, ka theksuar Aleksandar Cvetkovski nga organizata e të rinjëve "AGIS".

Nga ana tjetër Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se kjo formë e funksionimit, ku qindra administrator shqiptarë sipas të dhënave që kanë dalë në pah nga polemikat e deputetëve të opozitës dhe atyre në pushtet , marrin rrogë pa shkuar fare në punë.

Kjo bie ndesh me vet ligjin për administratë shtetërore përkatësisht vlerësimin mbi bazë të sistemit meritorë.

“Nesër, kur do të filloj të bëhet vlersimi i administratës nga ata të cilët janë përgjegjës për të vlerësuar kualitetin e punës që bëjnë administratorët, shtrohet pyetja kush dhe si do ti vlerësojë këta njerëz që kanë qëndruar në shtëpi, askush nuk e din kush janë, si duke,por vetëm kanë marrë rrogë. Sigurisht se do të jenë më pak të votuar dhe do tregohet dera për të dalë nga institucionet pa u futur fare brenda”, thekson Arben Halili.

Ndryshe edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, Maqedonisë i janë adresuar një varg kritikash sa i përket administratës shtetërore e cila siç theksohet përpos që është e stërngarkuar, nuk është në nivelin e duhur në shërbim të qytetarëve.

Problem në vete paraqet dhe fakti se autoritetet qeveritare në shumë raste kanë refuzuar të japin numrin e përgjithshëm të të punësuarve në administratën shtetërore, numër ky që sipas opozitës është mbi 100 mijë.

XS
SM
MD
LG