Ndërlidhjet

Rama: Modeli i serbëve të Kosovës për Luginën


Shqipëria dhe Serbia kanë hapur faqe të re të marrëdhënieve dhe kanë marrë përgjegjësinë që gjeneratat e reja në Shqipëri dhe Serbi, të mos trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të një konflikti jashtëzakonisht të gjatë, që fëmijët shqiptarë dhe serbë nuk e meritojnë, ka thënë të martën kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë vizitës që i ka bërë Preshevës, në kuadër të vizitës së tij në Serbi.

Që nga ora 10 e paradites, disa mijëra qytetarë të Luginës së Preshevës, kanë dalë rrugëve të këtij qyteti për ta pritur kryeministrin shqiptar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka arritur rreth mesditës në Presheve dhe ka vizituar bashkinë e qytetit.

Më pas, në shtëpinë e kulturës në këtë qytet, ai u është drejtuar strukturave udhëheqëse politike të shqiptarëve që jetojnë në qytetet Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që ndryshe njihen me emrin Lugina e Preshevës, si dhe qytetarëve të shumtë të pranishëm në sallë.

“Ndjehem thellësisht i privilegjuar që si kryeministër i republikës së Shqipërisë t’ju them mirë se u gjeta dhe t’ju siguroj unë dhe qeveria jonë nuk do të rreshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të lindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari, kudo që ai jeton”, tha Rama.

Në këtë kontekst, kryeministri shqiptar Rama e ka nënvizuar edhe ardhjen e tij në Serbi dhe dialogun me shtetin serb.

Ai ka theksuar se shteti shqiptar nuk do të tërhiqet nga detyrimi i tij kushtetues, për të qenë i angazhuar në mënyrë konstante që duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me Serbinë, të forcojë pozitën e vet për të mbrojtur dhe për të mbështetur aspiratat e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë.

“Në Shqipëri dhe Kosovë ka modele të admirueshme të bashkëjetesës, ka modele të admirueshme të respektit për liritë dhe të drejtat e minoriteteve dhe me këtë krenari, por duke u nisur nga vetja, ne kemi të drejtën të kërkojmë të njëjtën gjë nga tjerët. Duhet të jeni të gjithë krenarë, sepse atë që duam për veten tonë, nuk ia mohojmë tjetrit. Por, ama, atë që i japim tjetrit, asnjë tjetër nuk mund të na e mohoj neve”, theksoi kryeministri Rama.

Ai u ka thënë qytetarëve të Luginës së Preshevës se ka biseduar me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq dhe është arritur marrëveshja që të gjitha diplomat universitare të Shqipërisë të njihen në Serbi.

Ai gjithashtu ka theksuar se studentëve që shkojnë nga Lugina e Preshevës për të studiuar në Shqipëri do t’u rriten mundësitë, duke dyfishuar numrin e të pranuarve në fakultetet e mjekësisë dhe duke pranuar pa limit në fakultetet tjera.

Rama ka theksuar se ia ka adresuar kryeministrit serb edhe problemet tjera të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, probleme këto që kanë të bëjnë me shkollimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik e social, si dhe për jetën kulturore.

Kryeministri shqiptar gjithashtu ka theksuar se përpjekjet e shqiptarëve nuk janë në dëm të fqinjëve, por në interesin e përbashkët evropian.

“Unë kam folur, drejtë për drejtë, hapur dhe shkoqur, në takimin kokë më kokë me kryeministrin Vuçiq. Atij ia kam bërë shumë të qartë se ne shqiptarët nuk jemi në një betejë të përbashkët për ndonjë Shqipëri të madhe. Por, jemi në një betejë të përbashkët për një Evropë të madhe që ka vend për të gjithë shqiptarët dhe që duhet t’i përfshijë të gjithë shqiptarët, sigurisht bashkë me të gjithë të tjerët”, u shpreh Rama.

Ndryshe, Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës, e ka cilësuar vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Preshevë, si vizitë historike dhe e ka falënderuar atë për, siç ka thënë, përkushtimin për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Një përkushtim i veçantë, një përkushtim, për të cilin, padyshim, se ka qenë i njohur edhe prej përpara me problemin Luginë e Preshevës. Nga Beogradi kërkoi që të zgjidhet ky problem, duke shfrytëzuar metodat më të mira të mundshme të rajonit dhe duke e krahasuar me serbët në veriun e Republikës së Kosovës, si dhe në mbarë territorin e Kosovës, të cilët gëzojnë në mënyrë shumë më të madhe të drejta,se sa shqiptarët në Luginën e Preshevës”, ka thënë Mustafa.

Vizita e kryeministrit shqiptar, Rama, në Preshevë, është në kuadër të vizitës së tij dyditëshe në Serbi, vizitë kjo e cila vjen 68 vjet pas vizitës së fundit që një burrështetas shqiptar i ka bërë Serbisë.

XS
SM
MD
LG