Ndërlidhjet

Opozita në Maqedoni, rrezikon mandatin e vet


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Nisja e procedurave për heqjen e mandateve të deputetëve të opozitës do të thelloj edhe më shumë krizën politike në vend, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar paralajmërimet e shumicës parlamentare se për shkak të mungesës në seanca për gjashtë muaj pa ndërprerë, deputetëve të Lidhjes social-demokrate do t'u merren mandatet.

Deputetët e opozitës menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të prillit kanë deponuar dorëheqjet e tyre për shkak të pretendimit për falsifikimin e zgjedhjeve, por ato nuk janë shqyrtuar nga shumica parlamentare,e cila kishte verifikuar mandatet, dhe tani pas gjashtë muajve do të nisë procedurat për marrjen e tyre.

Vendimi për bojkot është politik dhe mungesa në seanca nuk ka të bëj me arsye tjera, thonë nga LSDM-ja duke mbrojtur qëndrimin për mos kthimin e tyre në Kuvend.

Nga kjo parti thonë se dorëheqjet e tyre nuk janë pranuar nga shumica parlamentare për të përfituar në kohë dhe për të përdorur të gjitha mënyrat e mundshme për të futur përçarjen në mesin e opozitës.

“Lojërat me data dhe ultimatume, me interpretimin e kushtetutës dhe ligjeve, janë çështje e kryeparlamentarit Trajko Veljanovski dhe VMRO-DPMNE-së. Gjatë gjashtë muajve të fundit LSDM-ja dhe deputetët e saj ishin objekt i spekulimeve të paskrupullta, për atë se a do të kthehen ose jo në Kuvend. Siç e shihni ne i kemi rezistuar presioneve të tilla dhe mbetemi në qëndrimin tonë“, ka thënë Petre Shilegov, zëdhënës i Lidhjes social-demokrate.

Opozita ka parashtruar pesë kërkesa ndërsa më kryesorja ka të bëj me formimin e një qeverie teknike, e cila do të organizonte zgjedhje të lira dhe demokratike, që sipas LSDM-së, do të ishte mënyra e vetme për nxjerrjen e vendit nga kriza politike.

Sipas procedurave të Kuvendit, marrja e mandateve të deputetëve duhet të kaloj përmes komisionit parlamentar për çështje të mandatave dhe imunitetit ndërsa vendimi përfundimtar duhet të miratohet në seancë plenare nga dy të tretat e votave të deputetëve.

Nëse vendimi miratohet, atëherë kandidatëve tjerë në listat e partive opozitare, u ofrohet posti deputetit, por tani për tani asnjë prej tyre nuk do të pranoj dhe kjo dëshmohet me deklaratat e nënshkruara nga ana e tyre.

Nëse kjo ndodhë atëherë janë të pashmangshme zgjedhjet e pjesshme parlamentare që kanë hapur dilema të shumta mbi realizimin e tyre.

Isen Saliu, njohës i çështjeve politike dhe kryeredaktor i të përditshmes “Lajm“, thotë se kriza do të thellohet edhe më shumë, andaj fton liderët por edhe faktorët tjerë në ndërhyrjen e daljes nga gjendja momentale.

“Ekziston rreziku që çdo hap i mëtejshëm, që nuk është i paramenduar mirë mund vetëm ta thelloj krizën. Nëse pushteti vendos të merren mandatet e deputetëve, kjo do të shkaktoj pakënaqësi shtesë, por nëse mandatet nuk merren atëherë shkelen ligjet dhe procedurat. Andaj mendoj se në afat sa më të shpejt duhet të filloj dialog intensiv mes pushtetit dhe opozitës që të gjendet rrugëdalje nga kjo krizë".

"Kuptohet se si çdo herë më parë, edhe kësaj radhe rol kyç në gjetjen e një zgjidhjeje të mirëfilltë duhet të ketë Presidenti dhe përfaqësuesit diplomatik të vendeve mike të Maqedonisë, sepse pasojat e krizës aspak nuk prekin elitat, por nga to pësojnë vetëm te qytetarët“, ka thënë Saliu.

Ndryshe, përplasjet mes pozitës dhe opozitës lidhur me bojkotin dhe mungesën e dialogut politik ishin pjesë e kritikave edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian.

Brukseli kërkon vendosjen e dialogut të mirëfilltë, nga opozita të kthehet në Kuvend si institucioni i vetëm për artikulimin e kërkesave të tyre, por edhe nga pushteti kërkon shqyrtimin me seriozitet të kërkesave të opozitës pasi vazhdimi i krizës sipas BE-së, nuk i ndihmon procesit integrues të Maqedonisë.

Liderët e dy blloqeve politike, kryeministrit Nikolla Gruevski dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev janë takuar njëherë, por pa arritur asnjë marrëveshje për çështjet kontesuese.

XS
SM
MD
LG