Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhje të pjesshme për mandatet e opozitës


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Zgjedhjet e pjesshme në Maqedoni janë të pashmangshme nëse shumica parlamentare vendos t'ia merr mandatet deputetëve të opozitës të cilët tani gjashtë muaj bojkotojnë punimet e Kuvend për shkak të pretendimit për falsifikimin e zgjedhjeve parlamentare të prillit.

Nisja e procedurave bazohet në ligjin mbi punën e Kuvendit ndërsa vjen menjëherë pas verifikimit të vendimit për vazhdimin e bojkotit nga organet drejtuese të Lidhjes social-demokrate. Por, sipas njohësve të çështjeve politike, shkuarja në zgjedhje të pjesshme, jo që nuk do të zgjidhte krizën politike, por ajo mund të thellohet edhe më shumë.

“Nëse opozita refuzon të merr pjësë në zgjedhjet plotësuese, atëherë ligjërisht procesi do të shkurtohet, pra së paku nga ana ligjore do të përmbyllet procesi pasi do të mbushen vendet vakante".

"Por, nëse ndodhë që opozita të merr pjesë në zgjedhje dhe më pas të përrësis vendimin për mospjesëmarrje në Kuvend atëherë hyjmë në një cikël shumë të gjatë, pra gjithçka do të filloj nga e para“, thotë Albert Musliu, njohës i çështjeve politike.

Duke komentuar zërat për shpalljen eventuale të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe rolin e partisë shqiptare në qeveri, Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila po ashtu ka përplasje të shpeshta me partnerin e saj në qeveri, VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Nikolla Gruevski, analisti Musliu thotë se ajo mund nxis një gjë të tillë, në rast të largimit nga qeveria, por kjo nuk do të ndryshonte situatën.

Sipas tij, popullariteti mes pozitës dhe opozitës mbetet i pandryshuar, kështu zgjedhjet nuk do të ndryshonin raportin e forcave politike.

“Subjekti politik shqiptar mundet të bashkëpunoj me opozitën dhe të shpallin zgjedhje të parakohshme, por ashtu siç janë raportet, siç është opinioni publik situata nuk do të ndryshoj në disfavor të subjektit më të madh politik në Maqedoni".

"Pra, sa i përket ndryshimit eventual të skenës politike mundësitë e partive shqiptare janë të limituara, jo se nuk mund të bëjnë, por nuk kanë mundësi që ta ndryshojnë situatën në mënyrë radikale“, thotë Albert Musliu.

Kriza politike mund të përkeqësohet edhe më shumë thotë ndërkohë, Zdravko Savevski, analist politik maqedon. Ai thotë se dy blloqet politike luftën kryesore do ta zhvillojnë në terren për të bindur popullatën se kanë apo jo të drejt në qëndrimet e tyre.

“Kriza politike në Maqedoni është e thellë dhe ajo mund të rëndohet edhe më shumë. Ajo që po ndodhë që nga bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës nuk jep shpresë se dy palët do të arrijnë ndonjë zgjidhje për kapërcimin e situatës. Dy partitë tani do të përpiqen që përmes aktiviteteve në terren të bindin opinionin se qëndrimet e tyre janë të vërteta".

"Sa i përket zgjedhjeve të pjesshme nëse mbahen mendoj se ato nuk do të ndryshojnë asgjë në skenën politike ndërsa në anën tjetër nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje përmes dialogut politik, me një fjalë kriza do thellohet e deri ku mbetet të shihet“, thotë Savevski.

Kriza politike apo mungesa e dialogut mes pozitës dhe opozitës ishte pjesë edhe raportit të progresit të Komisionit Evropian. Brukseli në vazhdimësi ka kërkuar kthimin e opozitës në Kuvend, por edhe nga pozita ka kërkuar që të jetë e hapur për të shqyrtuar kërkesat e opozitës e cila kërkon qeveri teknike e cila do të organizonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka thënë se me opozitën është i gatshëm të bisedoj për gjithçka përveç për qeveri teknike e cila sipas tij është legjitime e dal nga zgjedhjet parlamentare të fituara bindshëm nga partia e tij.

XS
SM
MD
LG