Ndërlidhjet

Rashiti: Drejt një qeverie teknike


Naim Rashiti
Naim Rashiti

Blloku i partive: LDK, AAK, Nisma dhe Lëvizje Vetëvendosje, po shkon drejt shpërbërjes dhe blloku nuk do të jetë ashtu siç ka qenë deri më tash, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, analisti i Grupit Ballkanik për Politika.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Rashiti, çështja e postit të kryeministrit të Kosovës, a po e qon bllokun e partive: Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, drejt shpërbërjes?

Naim Rashiti: Blloku shkon drejt shpërbërjes, për dy arsye. Besoj që ai tashmë është në shpërbërje e sipër për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetues, e cila në mënyrë eksplicite, tregon se si dhe nga kush nominohet kryetari i Kuvendit. Nën dy, është vet forma e marrëveshjes, të cilën e kanë bërë ata (partitë e bllokut), me 10 qershor, duke i ndarë postet njëri-tjetrit në mënyrë eksplicite. Kjo e ka dëmtuar më së shumti bllokun, vetë forma e marrëveshjes.

LDK-ja duket qartë dhe është parë qartë se që nga fillimi ka hezituar të artikulojë se nuk dëshiron të mbetet në koalicion pa ndonjë post të rëndësishëm qeveritar, do të thotë pa përgjegjësinë kryesore. Është penduar shumë me formën se si ia ka dhënë këtë të drejtë AAK-së, zotit (Ramush) Haradinaj, si dhe, në të njëjtën kohë, zoti Haradinaj ka hyrë në këtë marrëveshje vetëm me këtë kusht, për marrjen e postit të kryeministrit të qeverisë.

Pastaj, janë edhe çështjet tjera që ndërlidhen me marrëveshjen me Vetëvendosjen, ndaj të cilës ka një hezitim ndërkombëtar. Liderëve të bllokut u është thënë në mënyrë eksplicite, disa herë, se partnerët ndërkombëtarë hezitojnë që ta shohin Vetëvendosjen në qeveri, në këtë qeveri që po vjen, mu në kulmin e implementimit të marrëveshjeve të dialogut Serbi-Kosovë.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Rashiti, sa u është përmbajtur blloku parimeve të veta, marrë parasyshë se tashmë po shënohen diskutime lidhur me atë se kush do ta ketë postin e kryeministrit?

Naim Rashiti: Blloku nuk është më dhe nuk e besoj që do të jetë në formën çfarë ka qenë, si dhe nuk e besoj më se do të ketë ndonjë marrëveshje në mes të LDK-së dhe AAK-së për postin e kryeministrit. Zoti Isa Mustafa e ka të vështirë që të siguroj votat e Vetëvendosjes dhe të gjitha votat e AAK-së për postin e kryeministrit.

Por, në të njëjtën kohë, edhe për zoti Haradinaj - tashmë është bërë e qartë, se nuk ka vullnet në kuadër të LDK-së, për ta votuar zotin Haradinaj për kryeministër. Kështu që kjo marrëveshje, si tërësi, bie, si dhe vet matematika për zgjedhjen e kryeministrit nga ana e bllokut, pothuajse është bërë e pamundur.

Tani, LDK-ja artikulon një qasje ndryshe, ku ata do të jenë të hapur për marrëveshje politike me subjektet tjera apo rikonfigurime të koalicioneve, çfarëdo qofshin ato, në kuadër të bllokut, një bllok i ri apo qoftë edhe me Partinë Demokratike të Kosovës, ndonëse në këtë fazë, ka hezitim të madh në kuadër të LDK në raport me një koalicion me PDK-në.

LDK-ja dhe zoti Mustafa, tani mendojnë seriozisht që në çdo formë të koalicionit duhet ta kenë postin e kryeministrit, ata, ekskluzivisht, që besoj se do ta kenë shumë vështirë ta materializojnë.

Radio Evropa e Lirë
A do të thotë kjo se prisni koalicion të ardhshëm për formimin e qeverisë së re, që synon edhe përfshirjen e Partisë Demokratike të Kosovës?

Naim Rashiti: Tani i kemi tre kandidat në garë për postin e kryeministrit, zotin (Hashim)Thaçi, zotin Mustafa dhe zotin Haradinaj. Besoj që të tre do të mbesin pa postin e kryeministrit dhe besoj që kjo garë dhe ky diskurs i diskutimeve do t’i shtyje liderët e partive - si dhe me një shtytje të fuqishme ndërkombëtare, në ditët në vijim - për një marrëveshje për një qeveri teknike. Deri më herët, kanë qenë dy kandidat në garë për kryeministër. Tani janë bërë tre.

Është harruar posti i Kuvendit (krye-parlamentari). Eventualisht, paramendoj që zoti Mustafa të votohet nga të gjitha palët për kryetar Kuvendi, por nuk po shoh formulë se si të tri partitë merren vesh për ta ndarë pushtetin, për të qenë liderët ose për të formuar institucione me të gjithë liderët brenda institucioneve, ku liderët udhëheqin institucionet, parlamentin, kryeministrinë. Dhe, si rezultat, do të përfundojnë me një marrëveshje teknike.

Radio Evropa e Lirë
A prisni që kjo të ndodhë, do të thotë, një marrëveshje e tillë, para konstituimit të Kuvendit apo pas?

Naim Rashiti: E kam shumë të vështirë ta paramendoj një zgjidhje dhe një marrëveshje para konstituimit të Kuvendit. Edhe vet seanca konstituive e Kuvendit është pothuajse e pamundur, të zhvillohet në këtë fazë, pa marrëveshje.

Vetëm e vetëm, nëse LDK-ja, me të vërtetë merr një vendim që të hyj në negociata me PDK-në apo me një partner tjetër, për një rikonfikurim të një marrëveshjeje të re. Unë mendoj se që nga momenti kur kemi të shprehur vullnet politik të partive politike për të filluar negociatat, për të gjetur partner për formimin e qeverisë, do të marrë shumë kohë. Do të marrë disa javë deri në rezultatin final të ndarjes së posteve.

Edhe një herë, kjo pikërisht për arsye se është vështirë të gjendet një formulë, e cila i kënaq apetitet e liderëve. Besoj që të gjithë do të duhej të kënaqen me një marrëveshje teknike, që i lë liderët anash, për një qeveri të përkohshme. Kanë shkuar gjërat aq larg sa që e kam të vështirë të besoj që këta tre lider do ta rindërtojnë një mirëbesim të humbur, tanimë të dëmtuar. Ashtu që të qeverisin bashkë në një zyrë apo në një kabinet.

Radio Evropa e Lirë
Dhe në fund, zoti Rashiti, a pritni që gjatë kësaj jave të ketë konstituim të Kuvendit dhe të evitohet rreziku i një kolapsi financiar buxhetor?

Naim Rashiti: Vetëm një marrëveshje për kryetar të Kuvendit mund të qojë në konstituimin e Kuvendit. Nuk shoh konstituim të Kuvendit dhe zgjedhje të kryetarit të Kuvendit, pa një marrëveshje, kryesisht në mes të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Ata, të cilët do t’i bëjnë votat, për ta votuar kryetarin e Kuvendit, jo domosdo në këtë fazë reflektojnë marrëveshjen për qeverinë,. Por, megjithatë, minimalisht duhet një marrëveshje për ta zgjedhur kryesinë e Kuvendit.

XS
SM
MD
LG