Ndërlidhjet

Rusia fajëson Perëndimin për krizën në Ukrainë


Sergei Lavrov
Sergei Lavrov

Rusia ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për krizën në Ukrainë, duke thënë se konflikti atje është produkt i 25 vjetëve të zgjerimit egoist perëndimor.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duke iu adresuar Dhomës së Ulët të Parlamentit ka thënë se Perëndimi “duhet të mbështesë procesin e marrëveshjeve reciprokisht të pranueshme, në vend se të mbështesë palën luftuese në Kiev, duke mbyllur sytë ndaj shkeljeve të egra të të drejtave të njeriut, mungesës së ligjit dhe krimeve të luftës”.

“Të gjitha veprimet (e autoriteteve të Ukrainës në lindje të Ukrainës) reflektojnë një dëshirë shumë të fortë të palës luftuese në Kiev për të bërë gjithçka të mundur që të përjashtojë milicinë, që të përjashtojë ‘Republikën Popullore të Donjeckut’ dhe ‘Republikën Popullore të Luhanskut” nga pjesëmarrja në procesin negociues”, ka thënë Lavrov.

Ai ka përsëritur se Moska nuk është e përfshirë në konfliktin e armatosur midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë, i cili, qysh në muajin prill, ka vrarë mbi 4,100 luftëtarë dhe civilë.

Lavrov ka thënë se konflikti është një çështje e brendshme e Ukrainës dhe se të gjitha përpjekjeket për ta bërë Rusinë palë në konflikt, janë kundërproduktive.

“Kjo është absolutisht përpjekje kundërproduktive dhe provokuese, e cila nuk ka asnjë shans për sukses”, është shprehur Lavrov.

Adresimi i tij në Dumën shtetërore, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror, duket se ka për qëllim të sigurojë rusët se Kremlini është në anën e drejtë, si dhe të zbehë akuzat e Perëndimit për mbështetjen direkte të Rusisë për separatistët, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të provincave Donjeck dhe Luhansk në Ukrainë.

Fjalimi i tij vjen një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka përdorur fjalë dhe ka bërë veprime kundër Perëndimit për të forcuar kontrollin e tij mbi vendin, ka thënë se Shtetet e Bashkuara “duan ta nënshtrojnë Rusinë” dhe të zgjidhin problemet e tyre “në kurriz” të Rusisë.

Lavrov po ashtu ka thënë se nuk ka asnjë alternativë për bashkëpunim midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian, i cili për kohë të gjatë ka qenë partneri i saj më i madh tregtar.

Ai ka fajësuar BE-në për tensionet dhe ka thënë se marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin duhet të bazohen në konceptin e barazisë.

“Drejtimi konstruktiv i Rusisë drejt integrimit po shkon kundër dëshirës së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për të përçarë dhe sunduar, për të shtyrë planet e tyre taktike”, ka thënë Lavrov.

Rusia ka ndaluar një gamë të gjerë të importeve ushqimore nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura mbi Rusinë për shkak të krizës në Ukrainë.

Konflikti në lindje të Ukrainës ka rritur frikën te fqinjët e Rusisë se ajo mund të kërkojë kontrollin e më shumë territoreve, si dhe ka tensionuar marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin në nivelin më të keq që prej Luftës së Ftohtë.

Marrëdhëniet janë dëmtuar rëndë edhe nga aneksimi që i ka bërë Moska gadishullit të Krimesë në muajin mars. Ky hap ka pasuar iken e presidentit pro-rus të Ukrainës nga pushteti, pas disa muajsh protesta kundër tij.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për dërgimin e armëve dhe trupave në lindje të Ukrainës, për të ndihmuar separatistët atje.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë më 18 nëntor se ka rritje të madhe të pranisë ushtarake edhe në lindje të Ukrainës, edhe në anën ruse të kufirit. Ai i ka bërë thirrje Moskës që të tërheqë trupat.(v.tela)

XS
SM
MD
LG