Ndërlidhjet

Marrëveshja - të kënaqurit dhe të dëshpëruarit


Qytetarët për dhe kundër marrëveshjes
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Qytetarët për dhe kundër marrëveshjes

Strukturat e Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës kanë rikonfirmuar mbështetjen për marrëveshjen e koalicionit të arritur ndërmjet liderëve të tyre, Hashim Thaçi e Isa Mustafa.

Ndërkohë që partitë tjera opozitare e kanë cilësuar këtë marrëveshje të dëmshme dhe kthim parapa për Kosovën.

Por, nënshkruesit e marrëveshjes janë shprehur të bindur se do të kenë një bashkëqeverisje të mirë gjatë mandatit të ardhshëm.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka marrë mbështetjen e Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të partisë për marrëveshjen e arritur.

Sipas tij, PDK dhe LDK kanë ngjashmëri në profil dhe program.

"Jemi vonuar, por është marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme, e sinqertë dhe e respektit të ndërsjellë që bazohet në parime, kritere e standarde të qeverisjes perëndimore. Kemi orientim të qendrës së djathtë si PDK dhe LDK. E po ashtu do të kemi një përfshirje edhe të spektrit politik gjithë-etnik", është shprehur Thaçi.

Mbështetje marrëveshjes Thaçi - Mustafa, i ka dhënë edhe Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës.

Përmes një komunikate, LDK njofton se kryesia ka caktuar grupet punuese që do të merren me detajizimin e marrëveshjes në parim, përkatësisht grupi punues për strategji dhe grupi punues për harmonizimin e programit qeverisës.

Në anën tjetër, marrëveshja Thaçi - Mustafa është cilësuar si shumë e dëmshme nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Që nga 10 qershori, përkatësisht 10 shtatori, këto dy subjekte politike dhe partia Nisma ishin në një Bllok me LDK-në me synimin që të formonin qeverinë, duke e lënë PDK-në në opozitë.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë gjatë një konference për gazetarë se marrëveshja PDK- LDK, paraqet një bashkim të dy modeleve të këqija qeverisëse që tashmë janë parë si në nivel të vendit, ashtu edhe në qeverisjen në Prishtinë.

"Përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Të dyja shkollat e tyre të qeverisjes (në Kosovë dhe në Prishtinë) janë dëshmuar si të dështuara. Më të këqijtë me më të ligët janë bërë bashkë dhe kjo nuk është në të mirë të Kosovës dhe të ardhmes së saj", ka thënë Haradinaj.

Edhe më i ashpër ndaj marrëveshjes PDK-LDK, ishte lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në një adresim për gazetarët, Kurti ka thënë se kjo ishte një marrëveshje për fshehjen reciproke të dosjeve, duke drejtuar kritika sidomos në adresë të liderit të LDK-së.

"Kolaboracionizmi i Isa Mustafës me PDK-në do t'i bëjë të korruptuarit edhe më të pasur, kriminelët edhe më të mbrojtur, të varfrit edhe më të mjerë, klasën e varfër edhe më të mjerë, klasën e mesme edhe më të varfër, SHIK-un edhe më të fuqishëm, Mitrovicën edhe më të ndarë e Serbinë më të pranishme", është shprehur Kurti.

Marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, pritet t'i japë fund krizës politike prej pesë muajve.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga liderët e tyre Hashim Thaçi e Isa Mustafa më 19 nëntor, në prani të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Marrëveshja përcakton që qeveria e ardhshme të udhëhiqet nga LDK-ja. Këto dy parti politike kanë bashkëqeverisur edhe në të kaluarën, por atëherë pjesë e koalicionit ishte edhe AAK-ja.

Së bashku LDK dhe PDK kanë 67 deputetë dhe mund të llogarisin edhe në përfshirjen e pakicave, të cilat kanë të rezervuara 20 ulëse në Kuvend.

Tani, të dy partitë e koalicionit, pritet të përcaktojnë edhe ndarjen e posteve udhëheqëse dhe resorëve qeverisëse.

Ndërkohë që kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina pritet të thërras fillimisht vazhdimin e seancës konstituive.

Pas konstituimit të Kuvendit me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, do të pasojë edhe nisja e procedurës për formimin e qeverisë.

XS
SM
MD
LG