Ndërlidhjet

“Marrëveshja” me Iranin: Kongresi sfidon Obamën


Afati për arritjen e marrëveshjes për programin bërthamor të Iranit po afron dhe administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, është nën presion për të sjellë një kompromis, i cili do të ishte i pranueshëm për Kongresin skeptik.

Nëse ai nuk mund ta bëjë këtë deri më 24 nëntor, ai do të përballet me një afat edhe më të vështirë për të arritur marrëveshjen, para se Kongresi i ri, i kontrolluar nga Republikanët, të mblidhet në muajin janar.

“Tashmë ka pasur një afat të shtrënguar dhe tani ka dalë edhe një faktor i ri, i cili zvogëlon dritaren edhe më tej”, thotë presidenti i Këshillit Kombëtar Iraniano-Amerikan, Trita Parsi, duke aluduar në zgjedhjet e fundit, që kanë vënë Republikanët në kontroll edhe të Dhomës së Përfaqësuesve, edhe të Senatit.

Republikanët kanë paralajmëruar një veprim të ri ligjor, i cili do të vendoste sanksione të reja kundër Iranit, nëse nuk arrihet marrëveshja që dëshirojnë ata.

Por, edhe në rast të marrëveshjes, senatori Bob Corker, i cili pritet të jetë kryetar i ardhshëm i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se pret një rol më të madh të Senatit në përpunimin e detajeve.

“Edhe nëse arrijnë marrëveshje, mund të kalojë një periudhë e gjatë kohore para se detajet të përpunohen. Ndoshta. Nuk e dimë tani, por mendoj se do të ketë një mundësi të përshtatshme për Senatin që ta peshojë atë, do apo s’do Shtëpia e Bardhë”, ka thënë Corker për Radion Evropa e Lirë.

Corker ka qenë në mesin e 43 Republikanëve këtë javë, të cilët i kanë shkruar letër presidentit Obama, duke shprehur “alarm” për “planet e raportuara të Shtëpisë së Bardhë që të anashkalojë Kongresin” në rast të një marrëveshjeje.

Ata kanë thënë se planet e tilla “sugjerojnë se negociatorët mund të arrijnë një marrëveshje të dobët dhe të rrezikshme, e cila mund të dalë e papranueshme për popullin amerikan”.

“Do të vazhdojmë me presion shtesë ndaj Iranit, në muajt e ardhshëm, derisa Teherani nuk braktis ambiciet e tij bërthamore dhe ndjek një rrugë vërtet konstruktive në marrëdhëniet e tij me botën”, kanë shkruar senatorët në letrën e 19 nëntorit.

Mbështetësit e presionit të Kongresit thonë se kërcënimi për sanksione të reja mund të rezultojë me koncesione më të mëdha nga Teherani, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Të tjerët, megjithatë, konsiderojnë se sanksionet e reja nga ligjvënësit amerikanë mund ta prishin gjithë marrëveshjen.

“Është një lojë shumë e rrezikshme për Kongresin. Duke bërë kërcënime shtesë për sanksione, mund të prishë marrëveshjen para se të ketë shans për të parë se si vepron”, thotë John Bradshaw, drejtor ekzekutiv në Rrjetin e Sigurisë Kombëtare, një institut me seli në Uashington.

Republikanët kanë marrë kontrollin e Senatit këtë muaj. Ata do të kenë shumicën prej 53 ulësesh në këtë Dhomë, kur të mblidhet në fillim të janarit.

Ky pushtet ka rritur gjasat që ligjvënësit amerikanë të miratojnë ligje që godasin Iranin me sanksione të reja, edhe pse është e paqartë nëse legjislacioni mund të sigurojë pragun prej dy të tretave të votave në të dyja dhomat e Kongresit.

Senatorët Mark Kirk dhe Bob Menendez kanë paraqitur një projektligj në fund të vitit të kaluar – me 59 bashkësponsorizues, përfshirë 16 Demokratë – i cili do të vendoste sanksione më të ashpra kundër Iranit nëse marrëveshja nuk arrihet.

Ligji është bllokuar pranverën e kaluar në Senatin e kontrolluar nga Demokratët, për shkak të kundërshtimeve të forta nga ana e administratës Obama.

Kirk i ka thënë gazetës “The Hill”, e cila mbulon politikën amerikane, se ai do të paraqesë projektligjin në seancën e ardhshme të Kongresit dhe se ai është duke punuar në ndërtimin e një mbështetjeje të mjaftueshme, për ta shmangur veton presidenciale.

Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, përfaqësuesi republikan, Ed Royce, dhe demokrati Eliot Engel, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët më 20 nëntor, duke thënë se lejimi i Iranit për të pasuruar uranium është “ikje e rrezikshme” nga politika e SHBA-së për mospërhapjen bërthamore.

Refuzimi i Teheranit për të reduktuar ndjeshëm pasurimin e uraniumit, në nivele që nuk do të ishte i mjaftueshëm për përdorim në kokat bërthamore, ka qenë pika kryesore ku kanë ngecur negociatat midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të përjashtojë çdo mënyrë që Irani të zhvillojë armë bërthamore, kanë thënë Royce dhe Engel përmes deklaratës së tyre.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG