Ndërlidhjet

Dhuna në familje vazhdon të jetë e pranishme


Ilustrim
Ilustrim

Dhuna fizike dhe ajo psikike ndaj gruas vazhdon të jetë shqetësim për organizatat të cilat mbrojnë të drejtat e grave.

Sipas tyre, shkaqet pse dhuna fizike është e pranishme në një masë të konsiderueshme, janë kushte e vështira ekonomike por edhe rrethana tjera.

Përfaqësuesit e qendrave që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, thonë se Kosova ka krijuar mekanizma legjislativ të standardeve evropiane sa i përket parandalimit të dhunës në familje, por zbatimi i tyre nuk po ndodh.

Drejtoresha e Qendrës për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren, Jubile Kabashi tha për Radion Evropa e Lirë, se dhuna jo vetëm ndaj grave por në familje është mjaft e shprehur.

“Mund të them se deri në tetor kemi pasur 22 raste të strehuara. Dhuna nuk njeh moshë, nuk njeh gjini, nuk njeh status ekonomik. Ajo mund të ndodh edhe të familjet e pasura dhe varfra. Mund të ndodh edhe te të gjitha komunitetet. Kemi ( viktima) jo vetëm të nacionaliteti shqiptar por kemi edhe të nacionalitete të tjera të cilat kanë pasur nevojë të strehohen”, tha Kabashi.

Shifrat për rastet të dhunës në familje, asnjëherë nuk mund të dihen saktë për faktin se në shumë raste nuk raportohen.

Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësitit Kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës tha se dhuna në familje vazhdon të jetë e pranishme dhe se ajo për dallim nga vitet e mëhershme, tash është duke u raportuar.

“Numri mund të arrijë deri në 700 raste të cila janë raportuar për nëntëmujorin e këtij viti. Kjo shifër ndryshon nga muaji në muaj dhe mund të themi se për këta tre muajt e fundit numri mund të jetë edhe me i lartë i rasteve të raportuar dhe kalon vitin paraprak”, tha Haxholli.

Ndryshe, përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me njerëz, Hamijete Dedolli tha për Radion Evropa e Lirë se përkundër faktit se punohet për të luftuar dhunën ndaj grave dhe në familje, ajo është shumë prezente.

“Sa i takon dhunës po e konsideroj ndoshta edhe më drastike edhe më të keqe se sa në vitin e kaluar. Me vetë faktin do të thotë që po ushtrohet dhunë fizike dhe psikike ndaj të miturave sidomos, por edhe ndaj grave në përgjithësi, e konsideroj që përkundër punëve të tjera që po bëhen në luftimin e dhunës edhe me tutje ajo është shumë prezente në shoqërinë tonë”, tha Dedolli.

Qytetari Ali Azemi, me profesion inxhinier thotë se dhuna në familje mund të paraqitet si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike.

“Njeriu kur nuk ka mjete materiale për të jetuar mirë atëherë edhe problemet më të vogla shndërrohen në probleme të mëdha dhe aty lind dhuna dhe konflikti, si në mes të burrit dhe gruas por edhe anëtarev të tjerë. Edhe dhuna ndaj burrave nga gratë është për keqardhje”, tha Azemi.

Kurse Xheneta Bahtiri me profesion kontabiliste, thotë se dhuna fizike kudo që përdoret nuk është e mirë.

“Problemet ekonomike por dhe faktor të tjerë çojnë deri te dhuna fizike ndaj grave, kurse gratë te burrat mund të ushtrojnë dhunë psikike më shumë”, tha ajo.

Gratë të cilat përjetojnë dhunë fizike dhe psikologjike në të shumtën e rasteve nga bashkëshorti, nuk gëzojnë përkujdesje e mjaftueshme institucionale.

Ato zakonisht kërkojnë ndihmë fillimisht nga policia dhe me pas edhe të organizatat që mbroje të drejtat e grave.

XS
SM
MD
LG